Kryeministri Berisha bashkëbisedon me profesorë e pedagogë të Fakultetit Ekonomik për nismën "Shqipëria një euro"
Sot, Kryeministri Berisha pati një bashkëbisedim të hapur me drejtues, profesorë dhe pedagogë të Fakultetit Ekonomik, lidhur me nismën më të fundit të qeverisë "Shqipëria një Euro". Kryeministri diskutoi me të pranishmit për përmbajtjen dhe prioritetet e kësaj nisme, si dhe u njoh me shqetësimet dhe sugjerimet e profesorëve dhe pedagogëve të këtij fakulteti, në funksion të suksesit të nismës.
Në fillim të takimit, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Dëshiroj t'u falenderoj me shumë përzemërsi për këtë mundësi të veçantë që më krijuat. Kam ardhur sot tek ju me qëllimin e vetëm për të pasuruar me dije urtësinë tuaj në fushën ekonomike, për t'ju njohur me reformat e rëndësishme me të cilat është angazhuar qeveria dhe për të cilat është e vendosur t'i zhvillojë.
Mendimi juaj ka një rëndësi dhe vlerësim të vecantë nga qeveria që unë kryesoj. Ju keni dëgjuar që në programin e qeverisë ka një objektiv; Shqipëria vendi më tërheqës për investimet e huaja, ose për investimet në tërësi. Ky është objektiv realisht i vështirë, jo i thjeshtë, objektiv për realizimin e të cilit kërkohen reforma të thella dhe të shumanshme. Por është një objektiv jetik e vendimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët, në një vend kur në të katër anët oshëtijnë 24 orë në 24 orë sirenat e varfërisë dhe të mjerimit,në një vend ku forca, energjia e kombit, largohet sikur avullon për shkak të mungesës së vendeve të punës, në një vend ku infrastruktura në tërësinë e saj është një infrastrukturë e botës së tretë apo të katërt, sepse Shqipëria nuk mund të jetë vetëm metropoli Durrës apo Tiranë.
Në një vend ku rrogat, pensionet nuk lejojnë të përballosh jetesën, me kushtet e tregut, për një pjesë të mirë të popullatës, nuk mund të ketë asnjë alternativë tjetër vecse ndezja me shpejtësi e motorëve të rritjes së shpejtë ekonomike.
Shqipëria, në një aspekt, është i vetmi vend që ka patur një periudhë të gjatë vakumi investimesh të huaja. Ato erdhën në vitet '90, si vend i kohës së ndaluar në raport me tregun, pra vend i tregut të ndaluar dhe i kohës së ndaluar.
Megjithatë, Shqipëria ka potenciale të mëdha dhe mundësi të pamohueshme. Ideja është që të kapim kohën e humbur.Çfarë duhet të bëjmë ne që ta shndërrojmë këtë vend në vendin më të preferuar për investimet e huaja, në një kohë kur ky vend ka probleme serioze me shtetin ligjor, probleme serioze me korrupsionin, me titujt e pronësisë. Pra nuk mund të themi se është një bulevard me lule.
Në të gjitha këto kushte, ne jemi të angazhuar në një seri reformash shumëplanëshe, me qëllimin absolut dhe më madhor: Shqipëria, vendi më tërheqës për investimet e huaja.
Në këtë kontekst, rivendosja e ligjit është një faktor themelor. Përpjekjet tona për të konsoliduar zgjidhjen e çështjeve civile në mënyrë ligjore janë në fillimin e tyre, por hapa shumë të rëndësishëm janë bërë në drejtim të sigurisë dhe të rendit.
Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, jemi të regjistruar në të gjitha librat e botës si një vend kleptokratik. Nuk duhet t'i injorojmë realitetet. Realitetet duhet t'i ndryshojmë. Qeveria është e angazhuar në një luftë me këtë kancer dhe disa rezultate fillestare janë inkurajuese. I quaj fillestare, sepse korrupsioni, kanceri i vërtetë, po qe se nuk e lufton cdo sekondë, minutë, orë, ditë, ai zhvillohet.
Kemi arritur të shënojmë një kthesë serioze në luftën kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës. Dëshmi e kësaj është buxheti që u miratua në qershor. Ai u miratua në qershor, pasi FMN ishte skeptik, për arsye se për 8 vjet kishte operuar me këtë model, të cilin unë nuk mund ta pranoja, sepse bazohej në përligjien e evazionit dhe të kontrabandës. Kjo ishte e vërteta dhe ky model nuk mund të pranohej. Ndaj u operua në këtë mënyrë. Në rast se qeveria do të performonte më mirë do të kishte të drejtën e buxhetit shtesë. Sic e dini, buxheti shtesë ka ardhur tërësisht nga lufta kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës. Nuk ka patur asnjë burim suplementar ekonomik që të ketë ndikuar në krijimin e këtyre të ardhurave.
Kjo betejë do të vazhdojë në shumë plane. Ne kemi inventarin e të gjitha procedurave legjislative. Do t'i marrim një nga një dhe do të thjeshtojmë në maksimumin e mundshëm ato, t'i zhvlerësojmë ato në maksimumin e mundshëm në rrafshin monetar, t'i privatizojmë në maksimumin e mundshëm. T'i japim me koncensione, të rrisim integritetin maksimal, ashtu sic bëmë me maturën shtetërore. Pra, çdo procedurë do t'i nënshtrohet një rishqyrtimi tërësor, në mënyrë që të dalim jashtë sistemit të korrupsionit. Kjo është pozitive dhe ka ndikim të favorshëm për biznesin.
Ne jemi të angazhuar në një reformë fiskale të vazhdueshme. Unë dua t'ju them se asgjë nuk do të mund ta pengojë këtë qeveri, pra do të jetë test i qeverisë, që të realizojë në këtë vend taksën e sheshtë në nivelin më të ulët në Europë. Ky është vendim i pandryshueshëm dhe kjo është një prove e fortë, një test shumë i fort për qeverinë.
Në të gjitha diskutimet që ne bëjmë për buxhetin afatmesëm, për të ardhurat, unë i bëj shumë të qartë ekipit të financave që ne do të testohemi. Ne objektivat do t'i përcaktojmë ambiciozë dhe do të provojmë veten tonë. Realizimi është suskesi, mosrealizimi është dështimi.
Nuk kemi për të pranuar asgjë që përligj informalitetin, evazionin, kontrabandën, korrupsionin. Jo! Ka mbi një muaj që ne jemi në një betejë frontale kundër informalitetit. Ajo që zhvillohet me legalizimet në media ajo zhvillohet me biznesin, pa media.Ne do të dëshmojmë zero tolerancë ndaj informalitetit. Shteti nuk mund të jetë ndryshe. Që në momentin që shteti dhe qeveria dëshmon tolerancë, ai mban anën e informales, godet të ndershmin, godet konkurencën. Në këtë kontekst vendimi është i prerë. Ne shkojmë drejt standardeve më liberale, por me zero tolerancë ndaj informalitetit.
Ne do të ulim taksat. Ulëm çmimin e energjisë që vërtetë ka qenë një vendim shumë i vështirë, sepse çmimet e energjisë kudo po shkojnë në stratosferë.
Ne bëmë një hap shumë të madh, ulëm me rreth 30 përqind kontributin e sigurimeve shoqërore, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, 13 përqind taksën e të ardhurave.
Por këto janë vetëm hapat e para të uljes së taksave. Objektivi ynë është një, taksë e sheshtë me e ulëta në kontinent. Nuk mund ta realizojmë këtë brenda disa muajve apo një viti, sepse kjo është provë. Me FMN-në, vazhdon marrëveshja. Ky është një institucion i mrekullueshëm për shkak se bën gardianin në stabilitetin makroekonomik dhe kjo është një gjë shumë fondamentale. Të gjithë biem dakort me ketë. FMN ka një objektiv madhor, stabilitetin makroekonomkik të një vendi. Pa këtë, të gjitha të tjerat shemben. Ndërtesa bie. Megjithatë, në këtë mënyrë siç kemi ecur këtë vit ne do të ecim deri sa të realizojmë këtë objektiv ambicioz tonin.
Këto nuk mjaftojnë për të qenë vendi më tërheqës. Duhen disa gjëra të tjera dhe në këtë kontekst është nisma "Shqipëria një euro". "Shqipëria një euro" ka një synim, pasuritë e mëdha, së pari tregun e punës, rezervat e shumta natyrore, pozicionin e shkëlqyer gjeografik, që të gjitha këto të mund të shfrytëzohen me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe të shndërrohen në pasuri reale, jo të ngrira, për qytetarët shqiptarë.
Nisma "Shqipëria një euro" është një thirrje, është një apel, një kushtrim që ne u bëjmë investitorëve që mendojnë të investojnë në Shqipëri.
Nuk është vetëm kaq, nuk është vetëm thirrje, por është edhe një mundësi reale e madhe për ta. Shqipëria është njëri prej vendeve më të pasura në ujëra në Europë. Ujërat e saj rrjedhin në të katër anët, me ato vlera që kanë patur në shekuj dhe janë të pashfrytëzuara. Në kohën e krizës energjitike në Shqipëri mund të ndërtohen qindra e qindra hidrocentrale të mëdha, të mesme, të vogla, në të katër anët e vendit. Me potencialet e tij hidrike, vendi mund të bëhet një nga nyjet e mëdha energjitike të rajonit. Natyrisht jo vetëm me këtë. Shqipëria ka krahun e punës më dinamik, por edhe ndër më të aftët në rajon.
Ne do t'u ofrojmë investitorëve troje publike dhe lehtësira të tjera me një euro Përse ne të mos e japim me një euro? Janë një seri kompanish që kanë të punësuar nga 2000-2500 punonjës. Pra ne jemi të vendosur të ofrojmë kontratë me një euro. Po hartohet një listë e tërë shërbimesh të cilat do t'u ofrohen investitorëve me një euro. Toka, jo vetëm për sipërmarrje, por edhe për shfrytëzim për qëllime të ndryshme, do të ofrohet me një euro.
Unë ju informoj se sot në Shqipëri janë mbi 100 mijë hektar tokë të refuzuara. Nuk ka tokë më të mirë se toka shqiptare nga pikpamja e cilësive. Por fermeri shqiptar fiton më shumë në ditë pune kur punon jashtë sesa në tokën e tij. Ndaj e refuzon tokën. Këto toka do t'u ofrohen me një euro atyre që dëshirojnë të krijojnë plantacione.
Me nismën "Shqipëria një euro" ne synojmë ta bëjmë Shqipërinë më të lirën, jo vetëm në kuptimin e çmimit, por në kuptimin e standardeve të tregut. Impakti i kësaj nisme ka qenë mjaft pozitiv.
Duke e mbyllur këtë ekspoze, dua t'u siguroj se, edhe në bashkëpunim me ju, kjo nismë do të bëhet shumë më serioze nga ç'është menduar. Kjo nismë do të jetë bazë e kontratave të kësaj qeverie me biznesin vendas dhe të huaj. Kjo nismë ka nevojë të plotësohet, të konsolidohet. Ajo do t'i nënshtrohet ligjeve të vendit. Do të kalojë në Parlament. Nuk do të jetë një nismë e bazuar në vendime qeveritare, por do të jetë një nismë që do të bazohet në ligjet e vendit.
Edhe një herë ju falënderoj për vëmendjen dhe ju them se kam ardhur t'ju dëgjoj".
Më pas, Kryeministri bashkëbisedoi për shqetësimet e ngritura nga pedagogë të pranishëm në takim, lidhur me nismën "Shqipëria një euro".
Duke iu përgjigjur shqetësimit se çfarë do të bëhet me tregun e tokës, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Ky është një problem pa diskutim kryesor në këtë nismë. Dua të qartësoj dy gjëra, ne jemi të vendosur të ngremë parqet industriale. Kur them kontrata një euro, para së gjithash është territori i parqeve industriale dhe pastaj kudo që të jetë e mundur. Parqet industriale do të jenë të garantuar në Shkodër, Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan tani për tani. Këtu do të ngrihen parqe industriale, që do të thotë se ajo tokë publike apo e kompensuar me vlerë tregu privatit, do të jetë disponibël për investime. Në këto zona investitori do ta ketë të garantuar truallin me një euro.
Së dyti, ndodh që investitori do të krijojë plantacione të ndryshme. Në rast se toka është e refuzuar - dhe e them edhe një herë janë 100 mijë hektarë tokë - do t`i jepet me një euro. Jane prodhuesit e bimeve mjekesore, mbledhesit e bimeve mjekesore që interesohen, pra për tokat që nuk mbillen me asgje, tokat djerrë.
Nuk mund të diskutohet, toka prone private nuk mund te preket ne asnje lloj rrethane me nismen "Shqipëria një euro". Gjithcka do zhvillohet mbi bazen e ligjit për shtetëzimin, i cili njeh vetem rregullin e tregut dhe asnjë rregull tjeter. Kjo është çështje kryesore".
Lidhur me sugjerimin e bërë nga të pranishmit që paralelisht me Nismën "Shqipëria një euro," të ecet edhe me zhvillimin e fushave të tjera që ndihmojnë suksesin e kësaj nisme, si me reformën në sistemin e drejtësisë, zhvillimin e infrastrukturës publike dhe zhvillimin e nivelit arsimor profesional në vend, Kryeministri Berisha bëri komentet e mëposhtme:
"Dua të qartësoj dy çështje rreth këtij diskutimi me të cilin jam absolutisht dakort me ju; Lidhur me faktoret që përcaktojnë tërheqjen dhe suksesin e invesimit, qeveria po punon në dy drejtime; ne qoftese ju ndiqni buxhetin dhe investimet vihet re se ato janë në tërësi të përqëndruara në infrastrukturë. Kam bindjen se gjatë këtyre 3 viteve, infrastrutura rrugore do të shohë përmirësime thelbësore. Infrastruktura e telekomunikacionit do të spostohet dhe ne jemi në një proces reforme shumë të thellë, në një nivel krejtësisht tjetër. Kështu po punohet në shumë aspekte në infrastruturë.
Së dyti, formimi profesional, jam plotësisht dakort që është një faktor shumë i rëndësishëm. Ne jemi shumë pas në formimin profesional. Përqindja e nxënësve që mbarojnë shkollat profesionale në Shqipëri është 17 përqind e numrit të përgjithshëm, kundrejt 40-50 përqind që është në vende të tjera të BE-së. Po lëvizim dhe po përpiqemi që ky raport të shkojë drejt standardit. Po ashtu, do të rrisim trajnimin dhe kualifikimin e punëtorëve të rinj, në mënyrë që të ndihmojmë kompanitë që t'u marrin përsipër shpenzimet e kualifikimit punëtorëve.
Problemi i tretë është çështja e drejtësisë. Ky është një problem shumë themelor. S'është specifik vetëm për Shqipërinë, është për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Por, nëpërmjet procedurave, edhe aty mund të shënohen hapa të rëndësishëm përmirësimi.
Ju përmendët vetëm këta faktorë, por ka edhe faktorë të tjerë. Natyrisht, që nisma "Shqipëria një euro" të ketë sukses, krahas përpjekjeve për uljen e kostos, ashtu siç e shprehët edhe ju, duhet detyrisht të ketë edhe faktorë të tjerë. Ne jemi të vendosur për një përballim tërësor të problemeve të lidhura me investimet. Ka një studim, që nuk është botuar ende nga MC. Kenzi. Në këtë studim, kjo kompani ndër më seriozet, mendon se zona Tiranë-Durrës mund të shndërrohet në zonën e rritjes më të shpejtë ekonomike në Europë dhe ajo rendit të gjithë faktorët, portin, aeroportin, rrugët, etj. Pra, do të operohet edhe në këtë mënyrë. Ndonëse ne parqet industriale do t'i shtrijmë nga Shkodra deri në Vlorë. Por sërish një përparësi të madhe do të ketë kjo zonë, e cila u ofron investitorëve, pothuajse të zgjidhura, problemet madhore që ju përmendët".
Të pranishmit në takim ngritën edhe shqetësimin për orjentimin në destinacionet e duhura të buxhetit, veçanërisht në fushën e arsimit. Për këtë cështje Kryeministri bëri komentet e mëposhtme:
"Dua të informoj se në qëndrimin ndaj buxhetit ka një ndryshim rrënjësor. Buxheti i vitit të kaluar ishte i bazuar në 1600 apo 1700 projekte. Ne kaq gjetëm. Por kjo praktikë merr fund totalisht. Buxheti do të thjeshtohet në fare pak projekte. Ju garantoj që shumica e këtyre projekteve bëhej çakull dhe tuba që nuk shtroheshin kurrë. Kjo pra do të marrë fund. Sic edhe mund të jeni në dijeni, ne në buxhetin shtesë e morëm kthesën.
Tani jemi të vendosur që paratë e taksapaguesve t'i investojmë në projekte thelbësore, në rrugë që kemi nisur, në ujësjellësa që kemi shpallur, në 6 mijë km rrugë dytësore, etj. Ky është buxheti. Për të bërë 1 mijë ca projekte, duhet të jetë buxheti i Shteteve të Bashkuara dhe jo buxheti i Shqipërisë. Buxheti ynë duhet të përqëndrohet në projektet më kryesore dhe t'i zgjidhë ato.
Arsimi është një përparësi absolute. Në vit më parë këtu kam deklaruar se do të dyfishohet në 4 vjet buxheti për arsimin. Sot kam kënaqësi të madhe t'ju them se do të mbidyfishohet. Si do të ndodhë kjo? Do të marrim kredi. Kemi gjetur burimet, kemi siguruar kredinë prej 100 milionë. Por në rast se ne arrijmë ta realizojmë këtë investim brenda dy viteve, ne na pret kredia tjetër.
Jemi shumë të vendosur që të bëjmë cdo përpjekje për modernizimin e sistemit të arsimit. Asgjë nuk do të na pengojë. Ne do të tejkalojmë dyfishimin e buxhetit për arsimin. Mësuesit nuk kanë rrugë tjetër vetëm t'u krijojmë stimul për t'i preferuar shkollat. Ndaj edhe rritjen më të madhe ua kemi bërë arsimtarëve, 23 përqind dhe prapë do të vazhdojmë. Kam insistuar shumë që në piramidën e pagave mësuesit të jenë të mirëpozicionuar dhe kjo do të vazhdojë. Pa rregulluar mësuesit nuk e rregullojmë dot shkollën".
Duke iu referuar nismës "Shqipëria një euro", pjesëmarrësit në takim ngritën shqetësimin lidhur me funksionimin e deritanishëm të ligjit për koncensionet, si dhe mundësitë për rishikimin e këtij ligji.
Lidhur me këtë cështje, Kryeministri Berisha theksoi: "Dua t'ju bëj me dije se nëqoftë se kthejmë sytë pas dhe shohim çfarë është e dështuar. përvec aeroportit dhe ndonjë koncensioni që nuk numërohen as me gishta, të gjitha të tjerat janë të dështuara. Kjo është e vërteta.
Për të tejkaluar këtë situatë tmerrsisht të papranueshme dhe dëmtuese, ne kemi hartuar ligjin e ri të koncensioneve. Unë ju garantoj se ky ligj nuk do të kalojë në qeveri pa ardhur më parë tek ju për t'u konsultuar. Kemi bërë një projekt të ri tashmë.
Gjithashtu, ne po punojmë në tërësi për partneritetin publik- privat. Kemi patur shumë probleme me institucionet ndërkombëtare të cilat ishin shumë kategorike në komponentin e negocimit. Por komponenti i negocimit është pjesë thelbësore e cdo ligji. Qeveria që shkoi mori akuza të jashtëzakonshme që i meritonte shumicën e tyre, por në këtë aspekt kishte dicka ndër të cilat ishin edhe hidrocentralet e vogla. Por cili është rezultati i tyre? Hidrocentralet janë ende të pandërtuara.
Ne jemi të vendosur ta zbatojmë ligjin e ri. Ligji është më i qartë. Unë do tu kërkoj edhe këshilltarëve të mi, edhe ministrave, ta sjellin atë dhe ju ta shihni. Ai është një ligj shumë i domosdoshëm.
Për sa i përket shpërndarjes së investimeve në bujqësi, jam plotësisht dakort me ju. Jemi përpjekur, por aty ku ishin katandisur investimet mund t'u them se vetëm 1 përqind e buxhetit i kushtohej sektorit që jepte 30 përqind të GDP-së. Ne kemi filluar dhe po krijojmë fondin e ullirit, po krijojmë fondin për certifikimet, etj. Po përpiqemi të lëvizim. Në këtë fushë duhen investime të mëdha. Projekti për 6 mijë kilometra rrugë dytësore, që përfshin dhe zonën e ultësirës bujqësore, do të ndihmojë në këtë drejtim.
Lidhur me cështjen e ngritur nga pjesëmarrësit në takim për gjetjen e cdo mënyrë për të bërë promocionin e duhur në vende të tjera për nismën "Shqipëria një Euro", Kryeministri Berisha u përgjigj:
"Qeveria do të bëjë promovimin për nismën "Shqipëria një Euro" . Sapo ta konsolidojmë paketën, ne do ta servirim në rrjetet e mëdha televizive të botës. Do do të bëjmë një fushatë shumë intensive. Natyrisht do të jetë edhe turizmi një komponent i saj, por tani do të përqëndrohemi këtu".
Gjithashtu, Kryeministri iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve edhe për faktin nëse duhet që parqet industriale të menaxhohen nga shteti, apo do të ishte më e sukseshme të menaxhohen nga kompani private. Për këtë çështje Kryeministri bëri këto komente:
"Dua t'ju qartësoj se parqet industriale kanë patur sukses aty ku janë menaxhuar nga privati dhe kanë dështuar aty ku janë menaxhuar nga shteti. Nuk kemi ndërmend aspak t'i menaxhojmë, kemi ndërmend vetëm të ndihmojmë. Është një kompani amerikane ndër më të mëdhatë, me një ekspertizë shumë të madhe në ndërtimin e parqeve industriale, me të cilën jemi në tratativa. Ne vetëm do t'ia lehtësojmë punën dhe ajo do të marrë përsipër menaxhimin e tyre. Këto parqe, gradualisht mund të kalojnë më vonë në distrikte industriale. Distrikti industrial është një sukses i shkëlqyer i Italisë. Nuk ndodhen në qytete të mëdha. Që të gjitha janë qendra të vecanta, që të gjitha kanë Universitete, ato prodhojnë 70 përqind të prodhimit industrial të vendit. Po punojmë dhe me Italinë, në mënyrë që universitetet që kemi në këto distrikte të mund t'i përshtasim me këtë. Universitetet rajonale duhet të përshtaten me interesat dhe zhvillimin e rajonit të tyre. Ne do vazhdojmë procesin e reformave në këtë drejtim".
Përsa i përket shqetësimit të ngritur nga të pranishmit për pajisjen e ligjeve të miratuara me akte nënligjore, për t'i bërë ata më funksionalë, Kryeministri Berisha u shpreh;
" Kjo është një cështje shumë e drejtë. Ne po mendojmë që të mos votojmë ligj në qeveri pa aktet nënligjore të tij. Kjo e ngadalëson pak procesin, por bën që ligji, ditën që botohet në Fletoren Zyrtare, të bëhet i zbatueshëm".
Në takim u sugjerua që nga ana e administraës të krijohen lehtësira më të mëdha për eksportuesit shqiptarë. Lidhur me këtë çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
"Është e vërtetë që eksporti përballet me probleme burokratike serioze. Kemi bërë dy takime me eksportuesit dhe ata kanë probleme serioze, probleme të mungesës së kolateralit, sepse në tërësi ata kanë qenë në vendosur në godina me qera, me qera të larta. Po ashtu, ka patur qëndrim disktriminues në dogana. I tërë ky kuadër, do të rishqyrtohet, në mënyrë që eksportet të favorizohen. Kjo rrit shumë të ardhurat për vendit dhe rrit edhe prestigjin e vendit. Ndaj është e nevojshme të rishqyrtohet tërë praktika e eksportit".
Përsa i përket kërkesës dhe sugjerimit të pedagogëve për nxitje të bashkëpunimit reciprok për nismën "Shqipëria një euro", por edhe për reformat e tjera, vecanërisht në fushën e arsimit dhe reformën në kërkimin shkencor, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Dua t'ju siguroj se në mënyrë konstante, unë kërkoj angazhimin tuaj në grupe pune, si dhe mendimin tuaj në këtë nismë. Jam përpjekur që të zgjeroj pjesëmarrjen tuaj tuaj në borde e koorporata, në mënyrë që mendimi juaj të jetë i pranishëm, brenda mundësive.
Qeveria do të ketë një dialog konstant, të domosdoshmë me ju, sikundër dua të theksoj se reforma e arsimit të lartë duhet të bëhet bashkërisht. Këto do jenë cështje debati në vijim. Nuk mund të konceptoj se mund të ketë kërkim shkencor më intensiv gjetiu, sesa në universitete.
Ne duhet të përpiqemi që edhe fondin e kërkimeve shkencore t'ua bëjmë disponibël. Mendoj që arsimi i lartë duhet të reformohet dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të përmirësojmë status quo-në".