Zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të PD-së
Sot, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Ne prag të fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri falenderoi grupin parlamentar për punën dhe angazhimin e tij gjatë sesionit të kaluar, duke vlerësuar ndër vendimet më të rëndësishme reformën në pronësi, ligjet për nxjerrjen e administratës nga konflikti i interesit, rritjes së transparencës në prokurimet publike, shkurtimet në shpenzimet operative dhe bërjen të mundur që, për herë të parë, të miratohej një buxhet shtesë.
Kryeministri theksoi se prioritete të axhendës parlamentare, gjatë sesionit të ri, mbetet lufta me tolerancë zero ndaj informalitetit; reforma në drejtësisë dhe, mbi të gjitha, reforma zgjedhore.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri theksoi:
"Dëshiroj t'ju përshëndes shumë përzemërsisht, por, mbi të gjitha, t'ju falenderoj me shumë mirënjohje për përkushtimin tuaj të madh dhe rolin përcaktues që keni luajtur në reformat e vendit.
Secili nga ne është normale të kthejë kokën pas, të vështrojë dhe analizojë rezultatet e punës së një viti. E them me bindje të plotë se ju me punën tuaj, vendimet, nismat ligjore dhe ligjet që keni shqyrtuar dhe miratuar i keni dhënë vendit kthesën reale, jetike dhe të shumëpritur, kthesën e shkëputjes nga sistemi i kleptokracisë dhe rivendosjen në binarët e një sistemi normal demokratik.
Ligjet dhe vendimet tuaja kanë përfshirë të gjitha fushat, nga lufta me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek reforma e pronësisë, duke miratuar ligje madhore të kësaj reforme. Kam kënaqësinë se prekni çdo ditë tek zgjedhësit tuaj frutet e saj. Ndonëse ligji i vjetër për legalizimet ishte miratuar prej tre vitesh, ai nuk legalizoi as dhe një shtëpi, ndërkohë që ligji që u miratua brenda një periudhe më pak se dy muaj është bërë pjesë e çdo familjeje të shpërngulur. Mbi 360 mijë formularë u shpërndanë dhe po kthehen të mbushur me një shpejtësi pothuajse të papërballueshme nga administrata. Ndaj dhe ju shkoni tek zgjedhësit tuaj me sensin e përmbushjes së premtimeve tuaja.
Po kështu, ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave. Qeveria merr të gjitha përgjegjësitë për kompletimin e kësaj reforme. Këto përgjegjësi ajo i merr në kohën e duhur, për t'ju përgjigjur pronarëve siç duhet dhe me transparencë të plotë. Ligji parashikon që çdo tre muaj drejtori i Agjencisë dhe stafi drejtues të raportojnë tek ju për gjithë procesin. Ju ftoj të ushtroni të gjitha detyrimet ligjore që keni për të ushtruar kontroll për këtë proces, në mënyrë që të jetë transparent dhe të kompletohet sa më shpejt.
Gjithashtu ndryshimet e ligjeve që u miratuan e nxorrën administatën jashtë konfliktit të interesit, rritën transparencën e prokurimeve publike, shkurtuan shpenzimet operative. Të gjitha këto bënë të mundur një buxhet të dytë për Shqipërinë dhe krahas kësaj bënë të mundur që në të katër anët e saj të nisin punët publike më të mëdha në historinë e vendit. Nuk ka rreth, rajon, qark apo prefekturë, në të cilën nuk po bëhen dhe nuk do të bëhen investime madhore. Ju jeni dëshmitarë për këtë. Ajo për çfarë ju ftoj të bëni, është lupa e kontrollit mbi të gjitha këto.
Janë pikërisht këto reforma dhe ky angazhim i madh i parlamentit që bëri të mundur firmosjen e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, arritje historike kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Reforma më të mëdha na presin. Krahas luftës me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne startojmë luftën me tolerancë zero ndaj informalitetit; startojmë nismën "Shqipëria, një euro" që ka patur një impakt pozitiv në të katër e botës; startojmë reformën e drejtësisë dhe një seri reformash të tjera.
Për specifikën e saj, të parën mbi të gjitha do të theksoja reformën zgjedhore. Duke mos u ndalur në komentin e marrëveshjes, të cilin e kemi vlerësuar si një zhvillim shumë pozitiv, ju ftoj që ta kemi si përparësinë më të madhe në axhendën tonë parlamentare. Ne do të përmbushim me seriozitetet të gjitha pikat e marrëveshjes. Ne jemi shumë të kënaqur që nuk do të ketë përjashtime për arsye politike të zgjedhësve shqiptarë nga e drejta e votimit. Kjo merr fund. Jemi të gatshëm të bëhen investimet e nevojshme për një listë tërësisht transparente. Jemi të gatshëm të votojmë ndryshimin e Kushtetutës për të zgjatur në 4 vjet mandatin e zgjedhjeve që vijnë. Jemi të gatshëm të ndryshojmë Kushtetuën dhe të kalojmë nga 7 në 9 anëtarë KQZ-në, pa ndryshuar kryesinë dhe vendimarrjen.
Dëshiroj të përgëzoj dhe të falenderoj edhe një herë përfaqësinë tonë parlamentare që mori pjesë në negociata, zotin Topi, zotin Rusmali dhe zotin Pango, që sëbashku me komunitetin ndërkombëtar dhe ekipin e PS-së ia dolën që, në disa raunde negociatash, të konkretizojnë këtë marrëveshje shumë të rëndësishme.
Marrëveshja nga ana jonë do të zbatohet plotësisht. Uroj dhe dëshiroj që edhe pala tjetër të ketë të njëjtin vullnet dhe të mos krijojë vonesa për shkak të përballjeve konstante që ekzistojnë aty midis kryetarit ‘de jure' dhe kryetarit ‘de facto' të asaj force politike. Zoti Topi përjetoi çaste të veçanta kur paradite udhëzonte kryetari ‘de jure', ndërsa pasdite kryetari ‘de facto'. Por këto janë probleme të brendshme të tyre.Çështja e kryetarit është çështje e tyre. Neve na mbetet marrëveshja për ta zbatuar me seriozitetin më të madh. Në të gjitha reformat që kemi mendoj se kryesia e grupit parlamentar dhe grupi parlamentar duhet të zhvendosë të gjitha të tjerat për të konkretizuar marrëveshjen e nënshkruar, ndaj së cilës mbetemi të zotuar për zbatimin sa më të shpejtë e korrekt të saj."