Kryeministri Berisha: Qeveria, e vendosur të angazhojë të gjitha resurset për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri
Kryeministri Berisha po zhvillon sot një vizitë në zonën e Malësisë së Madhe, ku fillimisht mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të punimeve të fazës së parë të rrugës nacionale Qendër Gruemire. Ky projekt investohet nga buxheti i shtetit, me vlerë të përgjithshme 41 milionë lekë. Segmenti rrugor lidh qendrën e komunës Gruemire me aksin kombëtar.
Kryeministri Berisha vlerësoi këtë investim serioz, duke u shprehur se projekti i përgjithshëm i qeverisë është që çdo qendër komune të lidhet me rrugë të asfaltuara me akset kombëtare dhe të gjitha fshatrat e mëdha të lidhen me rrugë të asfaltuara me qendrën e komunës. “Kryetari i komunës suaj më informoi se janë trefishuar investimet në komunën e Gruemires, në ujësjellësa kanalizime, rrugë e objekte të tjera, por unë do të kërkoja që ju të bënit projektet e nevojshme për këtë zonë dhe ju garantoj se qeveria është e vendosur të investojë çdo projekti tuajin, në mënyrë që jeta e qytetarëve të Gruemires, por edhe kudo ku janë qytetarët shqiptarë, të ndryshojë për mirë”, tha Kryeministri Berisha.
Duke nënvizuar faktin se zona e Malësisë së Madhe ka një avantazh të madh, falë miratimit të vendimit nga qeveria, vetëm para 3 javësh, për ngritjen e Parkut Industrial në këtë zonë, Kryeministri theksoi se ky park do të punësojë jo vetëm punëtorë dhe specialistë nga Malësia e Madhe, por edhe nga Shkodra. “Ky park do të shndërrohet në një qendër të përgjithshme zhvillimi dhe, investimi i tij mbi baza private, e ben ate një projekt shumë serioz. Në këtë park, do të ketë edhe investime dhe mundësi të tjera shumë të madha”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha bëri të ditur se në 3 vjet, qeveria ka investuar në Shqipërinë rurale 1.2 miliardë dollarë. “Zhvillimi i qëndrueshëm rural i Shqipërisë kërkon edhe shumë miliarda të tjerë, por ne jemi të vendosur të angazhojmë të gjitha resurset tona, në mënyrë që jeta e fermerëve shqiptare të zhvillohet në kushtet e një infrastrukture dinjitoze, të përshtatshme për veprimtarinë e tyre”, vijoi Kryeministri Berisha.
19/10/2008