E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dënon aktet e dhunës në Beograd

Kryeministri Berisha i konsideroi ngjarjet e djeshme në Beograd të dënueshme dhe rikujtim të periudhës së Millosheviçit.

“Ngjarjet e djeshme në Beograd janë të dënueshme. Të sulmosh ambasadat e vendeve të lira, do të thotë të rikujtosh të shkuarën millosheviçiane,” tha Kryeministri gjatë një konference për shtyp me Komandantin e NATO-s në Komandën e Forcave të Bashkuara në Napoli, Admiral Mark Fitzgerald.

Kryeministri Berisha vlerësoi se në tërësi populli serb tregoi se nuk është për rrugën e dhunës, e cila bie ndesh me të ardhmen e tij.

“Ngjarjet e djeshme në Beograd kishin disa realitete. Në tërësi, populli serb nuk iu përgjigj thirrjes dhe kjo duhet vlerësuar. Me gjithë mobilizimin e të gjitha mjeteve të transportit të Serbisë, shumica e serbëve dëshmuan dje se nuk e përqafonin protestën. 

Së dyti, ishte jashtëzakonisht e rëndë që Kryeministri i vendit thërret në mitingje për t’u rënë sirenave të nacionalizimit. Ishte edhe më e shëmtuar që grupe huliganësh, gangsterësh dhe njerëz të papërgjegjshëm u vunë zjarrin ndërtesave. Kjo është një rrugë që të çon drejt të shkuarës dhe jo drejt të ardhmes. Unë besoj se ky qëndrim është i kundërt me interesin e kombit serb,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për rolin e KFOR-it për paqen e stabilitetin në Kosovë dhe Ballkan, duke siguruar për bashkëpunimin e ngushtë të Shqipërisë në këtë drejtim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›