Kryeministri Berisha shpreh mirënjohjen e kombit shqiptar për ndihmën e madhe të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e konsolidimin e demokracisë në Shqipëri
Kryeministri Berisha takoi sot pasdite, një grup kongresmenësh amerikanë, të kryesuar nga kongresmeni Jony Tanner.
Duke u uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shprehu atyre në emër të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar, mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë njerëzve të shquar të popullit amerikan, si Presidentit Bush, ish presidentit Klinton dhe të gjitha institucioneve amerikane, për mbështetjen e madhe, që i kanë dhenë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe ndërtimit e konsolidimit të demokracisë në Shqipëri.
"Populli shqiptar do tu jete mirënjohës përjetë, miqve të mëdhenj të Shqipërisë, përfaqësuesve të dhomës dhe senatorëve, të cilët kanë dhëne një kontribut themelor, për pavarësinë e Kosovës dhe për ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri." - u shpreh Kryeministri.
Më pas, kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave më të rëndësishme, të cilat po implementohen në përmbushje të dy projekteve më madhore të shqiptarëve, integrimit në NATO dhe në BE. Kryeministri theksoi se primare për qeverinë shqiptare vazhdon të mbetet lufta e patolerueshme kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit. Kryeministri u shpreh se tanimë ekonomia shqiptare po ecën drejt progresit të dukshëm, si rezultat i zbatimit të një sërë masave të cilat kanë bërë që vendi të shënojë një rritje ekonomike vjetore prej 6 %. Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se një vend i rëndësishëm, në politikat ekonomike, i është dedikuar, bërjes së Shqipërisë, një vend tërheqës dhe interesant për investimet e huaja. Në këtë kontekst, Kryeministri i njohu kongresmenët me një sërë arritjesh, në digjitalizimin e shumë procedurave të rëndësishme, të cilat shmangin barrierat burokratike dhe inkurajojnë bizneset në tërësi. Gjithashtu, kryeministri i njohu ata me ecurinë e nismës “Shqipëria një euro”.
Ndër të të tjera, kryeministri u ndal tek reforma në fushën e mbrojtjes, si rezultat i së cilës ushtria shqiptare nuk është më një ushtri arkaike e modelit të vjetër, por është një ushtri e vogël në numër dhe profesioniste, e cila kontribuon me trupat e saj në misionet paqeruajtëse në vendet që aspirojnë lirinë dhe demokracinë.
Kryeministri Berisha theksoi se të gjitha këto reforma i mundësuan Shqipërisë pjesëmarrjen në një program të dyte te “Sfidës së Mijëvjecarit”, me fondet e të cilës do të financohen programet kundër korrupsionit.
Nga ana e tyre, kongresmenet amerikanë vlerësuan shume pozitivisht ecurinë e reformave gjatë këtyre dy viteve te fundit, si dhe shprehen e mbështetjen e plote te Kongresit amerikan për marrjen nga ana e Shqipërisë, të ftesës për anëtarësim në NATO, ne Samitin e Bukureshtit.
Kongresmenet vlerësuan gjithashtu kontributin e Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe angazhimin e saj në mbështetje të vlerave të lirisë dhe demokracisë në botë.