E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gruevski diskutojnë mbi bashkëpunimin dhe projektet dypalëshe

- Kryeministri Berisha: “Një nga lajmet më pozitive që del nga ky takim është se të dy qeveritë do fillojnë ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve.”

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet sot në Shkup për të marrë pjesë në veprimtaritë festive me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, zhvilloi në mesditë një takim të ngrohtë dhe miqësor me Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski.

Në takim u konstatuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe u diskutua rreth mundësive për intensifikimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe atë rajonal.

Në bisedimet e tyre, dy kryeministrat u ndalën veçanërisht në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.  Kryeministri Berisha u shpreh se “një nga lajmet më pozitive që del nga ky takim është se të dy qeveritë do fillojnë ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes dy vendeve. Qeveria maqedonase është marrë me përcaktimin e trasesë dhe shpronësimet, ndërsa Shqipëria ka tre-katër kilometra të mbetura dhe ne do përpiqemi që brenda vitit 2009 ta kompletojmë detyrimin tonë.”

Gjatë takimit, të dy palët shprehen interesin e tyre për një bashkëpunim të gjerë në të gjitha fushat, në luftën kundër kriminalitetit, përgatitjen e një kuadri të ri ligjor, për një marrëveshje të re për menaxhimin e ujërave të përbashkëta, mbrojtjen e tyre, kontrollin e integruar të kufijve, pikat e reja doganore etj..

Kryeministri Berisha, duke shfrytëzuar këtë takim, i shprehu Kryeministrit Gruevski falënderimet për ceremoninë që organizohet sot në kryeqytetin e Maqedonisë për një nga ngjarjet më të mëdha e më rrezatuese në historinë e kombit shqiptar, 100 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe alfabetit shqiptar.


22/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›