Mbledhje e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, për Buxhetin 2009
Në mbledhjen e datës 11 nëntor 2008, Komisioni për Politikën e Jashtme mori në shqyrtim projektligjin: Për buxhetin e shtetit 2009.
Përfaqësimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në diskutimin e projektbuxhetit përkatës për MPJ-në në Komisionin e Jashtëm u bë nga z.Ferit Hoxha, sekretar i përgjithshëm pranë kësaj ministrie dhe znj.Ilda Bega, Drejtoreshë e Drejtorisë së Financave të këtij institucioni.
Projektbuxheti i Ministrisë së Jashtme për vitin 2009 parashikohet në vlerën 1.852 miliardë lekë ose 0,15 e PBB-së, ku shpenzimet kapitale kanë një vlerë prej 100 milionë lekë. Projektbuxheti parashikon të përqendrohet në katër zëra kryesorë:
1. Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi;
2. Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore;
3. Integrimi europian dhe euro-atlantik;
4. Promovimi i imazhit dhe vlerave të vendit.
Sipas paraqitjes që ju bë këtij projektbuxheti, u theksua se buxheti i vitit 2009 nuk parashikon ndonjë rritje substanciale për MPJ-në në krahasim me vitin e kaluar.
Gjithashtu Komisioni i Jashtëm mori në shqyrtim edhe propozimin e projektligjit Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Forcave të Aleancës në Evropë (SHAPE) e shtabit të Komandës së lartë aleate për transformimin (HQ SACT), për masat mbështetëse të shtetit pritës, për kryerjen e operacioneve të NATO-s.
Komisioni i Jashtëm u shpreh dakord që ky memorandum të kaloj për diskutim në seancë plenare.