E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrton një marrëveshje për transportin ndërkombëtar rrugor

 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes dhe të protokollit bashkëlidhur, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Federal Zviceran, për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave, në mbledhjen e tij të datës  17.11. 2008.
Ishte  i pranishëm në mbledhje përfaqësuesi i Ministrisë  së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Marenglen Poreçi. Ai shpjegoi se kjo marrëveshje ka si qëllim lehtësimin e transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave mes dy vendeve, si dhe kalimin tranzit përmes territoreve të tyre. Dispozitat e kësaj marrëveshjeje do të zbatohen për transportin e udhëtarëve dhe mallrave, origjina e të cilëve, ose destinacioni i itinerarit të transportit ndodhet në territorin e shtetit të njërës nga palët kontraktuese, me anë të mjeteve të transportit të regjistruara në territorin e shtetit të palës tjetër kontraktuese. Për çështje që nuk rregullohen nga kjo marrëveshje, transportuesit dhe drejtuesit e mjeteve të njërës palë kontraktuese, të cilët udhëtojnë në territorin e shtetit të palës tjetër kontraktuese, janë të detyruar të respektojnë dispozitat ligjore dhe rregullat e kësaj të fundit, të cilat do të zbatohen në mënyrë jodiskriminuese.
Palët kontraktuese njoftojnë njëra-tjetrën në lidhje me autoritetet përgjegjëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ministria përgjegjëse për zbatimin e marrëveshjes është Ministria  e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni u shpreh dakord në parim për kalimin e këtij projektligji, për miratim në seancë plenare.

 

      
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).

 

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›