Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi inaugurojnë rrugën “Pavarësia” në Durrës
- Kryeministri Thaçi: Autorruga Durrës-Kukës-Morinë është vepër kulmore. Kryeministri Sali Berisha, kombi do t'ju jetë mirënjohës përgjithmonë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm.
Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot, në ceremoninë e vendosjes së emrit “Pavarësia” rrugës kryesore në zonën e plazhit në Durrës. Në prezencë të Kryeministrit Berisha, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako zbuluan pllakën me mbishkrimin “Pavarësia”, në rrugën më të frekuentuar në vend.
Duke përshëndetur Kryetarin e bashkisë dhe Këshillin Bashkiak të Durrësit për vendimin e tyre për ta emërtuar këtë rrugë “Pavarësia”, Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë një vendim të mençur dhe të drejtë në nderim të pavarësisë së Kosovës, një prej akteve më madhore në historinë tonë kombëtare.
“Dëshiroj të shpreh kënaqësinë dhe të falënderoj kryetarin e bashkisë së Durrësit, Këshillin Bashkiak për këtë vendim të mençur e të drejtë, për të emërtuar në nderim të pavarësisë së Kosovës një nga bulevardet më kryesore të Durrësit e Shqipërisë, por edhe një nga bulevardet e lidhur pazgjidhshmërisht me pavarësinë e Kosovës, me përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë për realizimin saj, një nga bulevardet shqiptare që qytetarët e Kosovës duan dhe e vizitojnë më shumë. Përshëndes të gjithë qeveritarët vendorë dhe qytetarët e Durrësit për këtë nderim shumë të merituar që i bënë pavarësisë së Kosovës, faqes më të ndritur që nga kohërat e Skënderbeut e deri më sot, që kanë shkruar shqiptarët në historinë e lirisë së tyre”.
Kryeministri Berisha ritheksoi se vizita e Kryeministrit Thaçi është një vizitë historike dhe një kulm i ri në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve. Në këtë bashkëpunim, siguroi zoti Berisha, Kosova do të ketë mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimit euroatlantik.
“Me këtë rast, dua t’ju siguroj ju dhe mbarë qytetarët e Kosovës se në kuadrin e bashkëpunimit midis dy vendeve, integrimit rajonal dhe evropian, Kosova do të ketë të gjithë mbështetjen e gjithanshme të Shqipërisë, rrugët, portet dhe të gjitha lehtësirat që asaj i nevojiten për të ecur me shpejtësi drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.”
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se të gjithë shqiptarët ndjehen krenar, kudo që janë, me pagëzimin “Pavarësia” të rrugës që të çon në një prej zonave bregdetare më të njohura shqiptare.
“Bregdeti i bukur shqiptar ka qenë i frekuentuar dhe do të jetë edhe më i frekuentuar këtej e tutje nga qytetarët e Kosovës, para së gjithash, kur tashmë nuk ka nevojë për dokumente udhëtimi që do ta komplikonin lëvizjen. Nga ana tjetër, porti i Durrësit është një pikë kyçe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe rajonit,” u shpreh Kryeministri Thaçi.
Gjithashtu, Kryeministri Thaçi shprehu vlerësimet maksimale për punimet intensive për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës dhe përgëzoi Kryeministrin Berisha për kontributin e jashtëzakonshëm për bërjen realitet të këtij projekti madhor për shqiptarët.
“Vazhdimi me intensitet të jashtëzakonshëm të punës për përfundimin sa më shpejt të mundshëm të autorrugës Durrës-Kukës-Morinë është një vepër kulmore. Zoti Kryeministër i Shqipërisë Sali Berisha, kombi do t'ju jetë mirënjohës përgjithmonë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Por edhe ne zotohemi se do të vazhdojmë me autorrugën Prishtinë-Vërnicë-Merdare, punimet e së cilës do të fillojnë këtë vit,” u shpreh Kryeministri Thaçi.
Kryeministri Berisha u shpreh se përveç kësaj rruge me rëndësi kombëtare, do të ndërtohen edhe rrugë të tjera në mënyrë që malet, që në shekuj e mijëvjeçarë kanë ndarë Kosovën nga Shqipëria, të bëhen të parëndësishme për komunikimin midis shqiptarëve.