Kryeministri Berisha shtron një darkë për nder të Kryeministrit të Kosovës, zotit Hashim Thaçi
Kryeministri Berisha organizoi sot një darkë, në Pallatin e Brigadave, për nder të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotit Hashim Thaçi dhe delegacionit që e shoqëronte.
Duke e cilësuar këtë darkë si një nga pritjet më të gëzuara dhe më të shumëpritura për të gjithë shqiptarët, Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij përshëndetëse shprehu falënderime dhe mirënjohje për kontributin e çmuar dhe qëndrimin e pashembullt që institucionet e Kosovës, qeveria dhe bashkëpunëtorët e saj kanë dhënë gjatë procesit të pavarësisë, një nga proceset më të ndritura në historinë e kombit shqiptar.
“Për dekada me radhë në këtë Pallat janë shtruar shumë pritje, dreka dhe darka, por unë siguroj se për shqiptarët kjo është darka dhe pritja më e gëzuar dhe më e shumëpritur. Për të dy vendet tona, vizita e parë e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës së pavarur është një ngjarje shumë e madhe dhe e shumëpritur. Dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje Ju dhe bashkëpunëtorët tuaj, për të gjithë kontributin e çmuar që keni dhënë në procesin e pavarësisë së Kosovës, i cili është një nga proceset më të ndritura në historinë e kombit shqiptar. Pavarësia e Kosovës ka qenë një prioritet i pashembullt i shqiptarëve dhe miqve të tyre kudo në botë. Në këtë proces, ajo që të bën përshtypje më të jashtëzakonshme ka qenë dhe është uniteti total i shqiptarëve në Kosovë rreth kauzës së tyre, qëndresa e pamposhtur e të gjitha formave në këtë proces dhe shndërrimin e kësaj kauze në kauzë të shteteve më të fuqishme, si Shtetet të Bashkuara të Amerikës dhe kombeve të tjera të fuqishme”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri vlerësoi se Kosova e pavarur është sot një faktor shumë i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
“Qeveria e Kosovës, nën drejtimin tuaj gjatë këtyre muajve të jetës së saj, po përshkon një rrugë të vërtetë suksesi, një rrugë që po konsolidon gjithnjë e më shumë pavarësinë e Kosovës. Të njëjtin vlerësim, ndajmë të gjithë dhe për institucione të tjera të Kosovës si Kuvendi, Presidenti, si dhe forcat politike të Kosovës, të cilat asnjëherë nuk u ndanë për vendime të mëdha”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha u shpreh se dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova, janë sot në një stad bashkëpunimi të fuqishëm dhe se ky bashkëpunim gjen mbështetje të plotë nga të dy vendet.
“Sot, dy vendet tona janë në një stad bashkëpunimi të fuqishëm dhe për këtë bashkëpunim në të dy vendet ka mbështetje të plotë dhe totale. Ky bashkëpunim nuk ka dallime politike dhe nuk njeh asnjë lloj ngjyre spektrale përveç ngjyrës kombëtare. Ky bashkëpunim është një interes madhor kombëtar dhe le ta konsolidojmë këtë bashkëpunim, të punojmë, që dy vendet të sigurojnë të ardhmen e tyre më të mirë në NATO dhe Bashkimin Evropian”, vijoi Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj shprehu falënderime dhe mirënjohje për kontributin që Shqipëria ka dhënë për çështjen e Kosovës.