Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi vizitojnë familjen e dëshmorit Indrit Cara
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vizituan sot, në Kavajë, familjen e dëshmorit të kombit Indrit Cara, i cili dha jetën në moshën 28 vjeçare në luftën në Kosovë. Fillimisht, zoti Berisha dhe zoti Thaçi, të shoqëruar nga qytetarë të shumtë të Kavajës, bënë homazhe në bustin e vendosur në qendër të qytetit në kujtim dhe nderim të veprës së tij.
Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës ishte ideali më sublim i Indrit, ëndrra e tij që sot është realitet.
“Pavarësia e Kosovës ishte ideali i tij më sublim. Sot, këtu është Kryeministri i Kosovës së pavarur, ashtu siç ishte ëndrra dhe do të donte Indriti. Këtu, sot është Kryeministri i Kosovës së pavarur, për të cilën Indriti flijoi rininë dhe jetën e tij. Shpesh i them vetes se si e ëma i zgjodhi këtë emër dhe sot, më shumë se kurrë, Indriti shndrit kudo. Nuk ka pasur asgjë më shumë të vështirë se pavarësia e Kosovës. Familja juaj ka dhënë një kontribut thelbësor për të, ju keni djalin tuaj në themelet e pavarësisë,” u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Thaçi u shpreh se vizitonte familjen Cara për t’i uruar pavarësinë e Kosovës dhe për t’i shprehu familjarëve të Indrit mirënjohjen dhe respektin për veprën e djalit të tyre, i cili, theksoi, ai la Londrën ku jetonte, për të dhënë jetën në istikamet e luftës në Kosovë.
“Ky ishte viti i shqiptarëve. Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO, ndërsa Kosova u bë e pavarur. Djali juaj ka bërë aktin dhe nderimin më të lartë për kombin,” u shpreh Kryeministri Thaçi.
Familjarët e dëshmorit Indrit Cara falënderuan Kryeministrin Berisha dhe Kryeministrin Thaçi për këtë vizitë, duke e konsideruar atë vlerësim dhe nderim që i bëhet ëndrrës së djalit të tyre, për Kosovën e pavarur.
Kryeministri Berisha vlerësoi shpirtin liridashës dhe solidaritetin e qytetarëve të Kavajës, të cilët, edhe pse janë diskriminuar deri në palcë gjatë regjimit të kaluar qartësisht për shkak të qëndrimit të papajtueshëm, kanë ruajtur solidaritetin qytetar, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin.