Kryeministri Berisha dhe kryeministri estonez Ansip marrin pjesë në Forumin e Biznesit “Investement in Albania”
- Kryeministri Berisha: Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në Shqipëri, një vend i vogël, por me potenciale shumë të mëdha
Kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri estonez Andrus Ansip morën pjesë në Forumin e Biznesit “Investement in Albania”. Bashkë me dy krerët e shteteve mike, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e delegacionit estonez, anëtarë të kabinetit qeveritar shqiptar, si dhe mjaft biznesmenë nga të dy vendet.
Duke hapur punimet e këtij Forumi Biznesi, kryeministri Berisha e cilësoi vizitën e parë zyrtare të një kryeministri nga Estonia në Shqipëri, si një impuls mjaft të fuqishëm për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, që priten të zhvillohen me shpejtësi në të ardhmen. Duke iu drejtuar homologut estonez, si dhe biznesmenëve estonez të pranishëm në këtë forum, kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij të thellë, se investimet estoneze në Shqipëri, do të kenë një sukses të padiskutueshëm. “Unë ju ftoj të shikoni dhe konsideroni, sepse është bindja ime e thellë që përpjekjet tuaja do të shpërblehen dhe do të jenë një histori e vërtetë suksesi. Unë ju ftoj të investoni në këtë vend, i cili është i vogël, por ka një potencial shumë të madh. Potencialet më të mëdha që vendi ju ofron janë: energjia, turizmi, prodhimi e minierat”.
Duke iu referuar prioriteteve të qeverisë shqiptare për sa i përket investimit dhe zhvillimit të energjetikës në vend, duke e kthyer Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon, kryeministri Berisha i siguroi të pranishmit se kjo është një ndër fushat më të favorshme, ku biznesmenët estonezë mund të investojnë. “Pozita gjeografike e Shqipërisë, burimet natyrore shumë të mëdha të Shqipërisë në fushën e energjisë, e bëjnë këtë vend një nga vendet më të mira për të investuar në fushën e energjisë” – u shpreh kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij, e renditi turizmin në Shqipëri, si një tjetër fushë, mjaft të sigurtë, të qëndrueshme dhe me një të ardhme premtuese për investitorët e huaj. “Turizmi, bregdeti i Shqipërisë me një gjatësi rreth 400 kilometra, është bregdeti më i paprekur, më i mirë, me tipare të kombinuara, me rërë në pjesën e Adriatikut dhe me shkëmbinj në pjesën e bregdetit të Jonit, ku ujërat janë të mrekullueshëm. Tregu i turizmit në Shqipëri është më i qëndrueshmi në Evropë. Vitin e kaluar Shqipëria ishte vendi i parë në botë në rritjen e turizmit, jemi rritur me 35 për qind”.
Një tjetër fushë, në të cilin kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij, se do të jetë një urë lidhëse përsa i përket marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, do të jetë edhe informatizimi i shoqërisë dhe përqasja e modelit estonez të teknologjisë së avancuar, për të ecur me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë shqiptare “Shqipëria dixhitale”.
06/04/2010