Kryeministri Berisha dhe personalitetet e larta të shtetit përurojnë vendosjen e monumentit të Nënë Terezës në aeroportin e Rinasit
Në kuadër të aktiviteteve në përkujtim të 10 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës, Kryeministri Berisha dhe personalitetet më të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi dhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, morën pjesë sot paradite në ceremoninë e vendosjes së monumentit të Nënë Terezës, në hyrje të aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza, në Rinas.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, personalitete të kulturës dhe artit etj..
Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit Topalli zbuluan monumentin e Nënë Terezës, vepër e skulptorit Luan Mulliqi.
Kryeministri, duke vlerësuar veprën e humanistes shqiptare si frymëzuese, u shpreh:
“Fjalët e kanë të vështirë të paraqesin veprën e saj, monumentet, cilado qofshin, të vështirë të simbolizojnë monumentin e madh të humanizmit që ajo ndërtoi me përkushtimin e jashtëzakonshëm, dashurinë dhe forcën e besimit tek Zoti dhe Krishti, me forcën e dashurisë njerëzore.
Në këtë vepër, Luan Mulliqi, një nga skulptorët më të shquar shqiptarë, ia ka dalë të paraqesë tiparet më të holla dhe të mëdha shpirtërore të Nënë Terezës. Është një monument pa piedestal, si një bimë nga toka që ecën drejt qiellit. I ka dhënë tiparet e një gruaje të përvuajtur, por thellësisht të vendosur në misionin e saj të madh. Ky është një nderim që ne i bëjmë asaj që nderoi më shumë se kushdo tjetër, njeriun. Nënë Tereza nderoi më shumë se kushdo tjetër në shekullin e saj njeriun, moralin e tij.”
Monumenti i Nënë Terezës është derdhur në bronz dhe ka lartësi 6 metra.