Kryeministri Berisha dhe Përfaqësuesja e Bankës Botërore diskutojnë për fushat e bashkëpunimit
Kryeministri Berisha ka pritur sot Përfaqësuesen e Bankës Botërore, znj. Camille Nuamah. Qëllimi i këtij takimi ishte për të biseduar, ndër të tjera, mbi fushat e bashkëpunimit dhe përfshirjes së Bankës Botërore në reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare. Kryeministri Berisha përmendi si fusha prioritare energjinë, rrugët dytësore dhe monumentet e kulturës shqiptare. Duke vlerësuar kontributin e Bankës Botërore edhe në fushën e edukimit, Kryeministri i sugjeroi znj Nuamah si shumë të rëndësishme bashkëpunimin edhe në fushën e shëndetësisë.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, pasi i mirëpriti kërkesat e Kryeministrit Berisha, pohoi se edhe Banka Botërore është dakord dhe i quan si shumë të rëndësishme projektet dhe asistencën në fushën e energjetikës, si dhe atë të informalitetit. Znj Nuamah premtoi se Banka Botërore do të asistojë në vlerësimin e projekteve të energjisë dhe të lehtësimit të implementimit të projekteve. Në fushën e reformave kundër informalitetit, krahas ndihmës së dhënë deri tani, përqëndrim do të ketë edhe në aspektin e luftës kundër informalitetit të fuqisë punëtore. Ndihmesa dhe asistenca e Bankës Botërore, theksoi znj Nuamah, synon rritjen e cilësisë teknike të vlerësimeve të projekteve në fushat e lartpërmendura dhe në thellimin e efektit të shumanshëm të reformave që po ndërmerr qeveria shqiptare.