E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe zonja e tij vizitojnë kampingun veror "La Speranza", në Velipojë

Kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha vizituan dje paradite kampingun veror për fëmijët me aftësi të kufizuara "La Speranza", në Velipojë. Gjatë kësaj vizite Kryeministri dhe zonja Berisha shpërndanë dhurata për fëmijët e këtij kampingu të mundësuara nga organizata të ndryshme bamirëse. "La Speranca", është një organizatë jo-qeveritare, e cila drejtohet nga Silvana Vinjani, dhe që operon prej 13 vjetësh në Shkodër me shtëpi strehimi për fëmijët me aftësi të kufizuara. Nga 1 korriku deri më 16 gusht kjo qendër organizon një kamping veror me fëmijë nga shërbimet sociale shtetërore, jetimoret, qendra "Nënë Tereza" dhe me fëmijët e disavantazhuar.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha falenderoi drejtoreshën Vinjani dhe stafin e saj vullnetar nga Shqipëria, Italia dhe Spanja, që punojnë 24 orë për t`ua bërë jetën këtyre fëmijëve sa më të mire, të shëndetshme dhe të gëzueshme. Gjithashtu kryeministri përgëzoi vullnetarët për punën e palodhur dhe angazhimin e tyre shoqëror.

Nga ana e saj znj. Vinjani falenderoi Kryeministrin dhe zonjën Berisha për vizitën dhe u shprehu atyre mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Ajo theksoi se brenda kuadrit ligjor ka gjetur një gjuhë bashkëpunimi të shkëlqyer me pushtetin qendror dhe me atë lokal, si për organizatën e saj ashtu edhe për organizatat e tjera që ndihmojnë këtë shtresë në nevojë.

Në përfundim të vizitws znj. Vinjani i dhuroi Kryeministrit dhe zonjës Berisha një ikonë dhe një ccentro tavoline të punuar me dorë nga vetë fëmijët e qendrës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›