Njoftim për shtyp
Lidhur me komentet dhe opinionet e shprehura këto ditë për mundësinë e ndarjes së Kosovës si një opsion për zgjidhjen e statusit të saj, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha thekson se ky opsion jo vetëm që nuk i jep zgjidhje statusit të Kosovës por kërcënon në themel paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë.
Opsioni i ndarjes bie në kundërshtim të hapur me të gjitha përcaktimet e derisotme ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit final të Kosovës.
Kryeministri Berisha mendon se respektimi i kufijve ndërkombëtarë aktualë të vendeve të Ballkanit dhe pavarësia e Kosovës në territorin e kufijve të saj ndërkombëtarë janë rruga e vetme për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Ndërsa ndarjet e reja në Ballkan me motivin e shteteve të pastra etnike do të hapnin spiralen e një serie krizash dhe konfliktesh të rrezikshme jo vetëm për gadishullin tonë, por edhe për Evropën.