Kryeministri Berisha feston me fëmijët në ambientet e kryeministrisë

- Kryeministri dhe Zonja Berisha japin urimet dhe dhurata, me rastin e festave të fundvitit për fëmijët e minatorëve të vrarë, policëve të rënë në detyrë, jetimë, rom e egjiptianë si dhe për fëmijët e talentuar e me rezultate të larta në mësime
Nën kujdesin e Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij, zonjës Liri Berisha, Presidente e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë, u organizua në ambientet e Kryeministrisë një mbrëmje festive, me rastin e festave të fundvitit për fëmijët e minatorëve të vrarë, policëve të rënë në detyrë, për fëmijët jetimë, romë e egjiptianë, si dhe për fëmijët me rezultate të larta në mësime dhe talente në fusha të ndryshme.
Në sallën e zbukuruar enkas për ta dhe në një atmosferë të ngrohtë, Kryeministri dhe Zonja Berisha zhvilluan me fëmijët biseda dhe ndoqën së bashku këngët, recitimet, numrat e baletit, të interpretuara nga fëmijët.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që festimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, i nisi në një prej sallave të kryeministrisë, i shoqëruar nga miqtë e tij të vegjël. “ I keni dhënë sallës gëzim, bukuri të mahnitshme që nuk e ka pasur asnjëherë më parë”, tha kryeministri. Dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve, vijoi ai, për këtë koncert të mrekullueshëm që po jepni, ku dalin në pah të gjitha talentet tuaja të mëdha, në muzikë, balet dhe interpretim.
Më pas, kryeministri u uroi fëmijëve një vit të mbarë plot me gëzime, lumturi dhe suksese. “ Dëshiroj t’ju uroj ju , motrave dhe vëllezërve tuaj, prindërve tuaj të dashur, shoqeve dhe shokëve të klasës e të kopshtit, pra të gjithëve, një vit plot me gëzime, lumturi dhe suksese.”
Në përfundim të festës, Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha shpërndanë për të gjithë fëmijët dhuratat e përgatitura, me shumë dashuri, enkas për ta.24/12/2009