E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha feston së bashku me mijëra qytetarë ditën e madhe të anëtarësimit në NATO

Në vazhdim të aktiviteteve të organizuara për ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Berisha pati një takim me studentë të Akademisë së Arteve,  si përfaqësues të të rinjve shqiptarë. Kryeministri u njoh me instalacionin e ideuar nga Akademia e Arteve, i cili një vit më parë fitoi çmim ne Bienalen e Selanikut. Më tej, Kryeministri u njoh me instalacionet e tjera të ideuara nga studentët me gërmat e NATO-s, të vendosura para Akademisë së Arteve, si dhe me një instalacion tjetër, dhuratë e rinisë së Kosovës, ku jepeshin mesazhe urimi e vlerësimi për këtë ditë të madhe të të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

Kryeministri përgëzoi studentët dhe vlerësoi kontributin e tyre në arritjen e kësaj dite të shënuar për shqiptarët, duke theksuar se anëtarësimi në NATO është një ardhme e sigurt dhe e merituar për rininë shqiptare dhe gjithë kombin shqiptar.  

Më pas, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga mijëra të rinj dhe qytetarë nga gjithë vendi, të mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar festimeve për anëtarësimin në NATO, përshkroi në këmbë bulevardin kryesor të kryeqytetit, “Dëshmorët e Kombit”.

Ndalesën e radhës Kryeministri e bëri pranë Galerisë së Arteve, ku një grup nxënësish të shkollave të Tiranës, kanë mirëpritur Kryeministrin Berisha dhe e kanë njohur atë me disa piktura të realizuara prej tyre, ku jepej perceptimi i fëmijëve për këtë ditë të madhe të Shqipërisë. Kryeministri Berisha uroi gjithë fëmijët shqiptarë për këtë ditë, duke theksuar se me hyrjen në NATO, ne do të realizojmë të gjitha ëndrrat tuaja.  

Më tej, marshimi i Kryeministrit, personaliteteve të qeverisë, politikës dhe fushave të tjera, si dhe e mijëra qytetarëve shqiptarë, ka vijuar drejt sheshit “Skënderbej”, ku ishte organizuar dhe koncerti i madh festiv kushtuar kësaj dite. Në nisjen e këtij aktiviteti, Kryeministri Berisha mbajti një përshëndetje për gjithë qytetarët e Shqipërisë, duke i uruar ata për këtë ditë të madhe të Shqipërisë, ditën e lirisë së sigurt, anëtarësimin e vendit në NATO.

Më pas, festimet në sheshin “Skënderbej” vijuan me një koncert të madh me këngëtarë të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.   

Kryeministri shoqërohej në këto aktivitete nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, Ministri i Puneve të Jashtme Lulzim Basha, Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, Ministri i Puneve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, ministra të tjerë, deputetë dhe përfaqësues të politikës.  

 
05/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›