Kryeministri Berisha pret Drejtorin Ekzekutiv të Grupit Rudana Investment Grup, me qendër në Zvicër, z. Hany Salem
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Grupit Rudana Investment Grup, me qendër në Zvicër, z. Hany Salem. Ky Grup, së bashku me Grupin Milenium e Dubai Port, operon me projekte në fusha të ndryshme si, infrastrukturë, porte, energji dhe telekom.
Përfaqësuesi i këtyre grupeve z. Salem, përgëzoi Kryeministrin për pozicionin e tanishëm të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të investimeve, si një nga vendet më tërheqës dhe me rritje ekonomike. Ai theksoi se grupet në fjalë kanë futur Shqipërinë me prioritet si vendin e projekteve të tyre në disa fusha, pasi të kenë hapur zyrën e Bankës së Investimeve që ata përfaqësojnë.
Grupi i tyre ka projekt ide në fushën e infrastrukturës, konkretisht në ndërtimin e porteve së bashku me autoritetet e portit të Dubait. Ata konsiderojnë portin e Vlorës si bashkëpunim me kompaninë Zumax, si dhe atë të Durrësit.
Po ashtu, fusha e energjisë është prioritare për ta, për financim projektesh ekzistuese, si dhe cikël të plotë të projekteve të reja. Gjithashtu, interesi i tyre konsiston edhe në ngritjen e një qendre ballkanike për të drejtuar prodhimin e satelitëve observues të tokës me rezolucion të lartë, pasi të kenë trajnuar staf shqiptar dhe ta shoqërojnë këtë qendër me një program për trajnim të burimeve njerëzore të rajonit.
Kryeministri Berisha, pasi i uroi Drejtorit Ekzekutiv të Grupit Rudana Investment Grup mirëseardhjen, i prezantoi potencialet e Shqipërisë në fushaku ata shprehën interesin, si dhe në fusha të tjera. Ai theksoi se edhe në qendër të strategjive dhe reformave te qeverisë së tij, qëndrojnë projektet në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, Financimi i projekteve ekzistuese në fushën e energjisë si dhe pjesëmarrja në veprat e reja energjetike, janë mëse të mirëpritura dhe të mbështetura nga qeveria e tij. Ai e siguroi përfaqësuesin e Drejtorin Ekzekutiv të Grupit Rudana Investment Grup se vendimi i grupeve që ai përfaqëson për të shtrirë investimet në Shqipëri do të jetë mëse i suksesshëm.15/02/2010