Kryeministri Berisha informon deputetët e grupit parlamentar të PD-së mbi vizitën e tij në Itali
- Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit.
- Kryeministri Berluskoni dhe qeveria italiane mbështesin plotësisht vizionin e qeverisë shqiptare për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale.
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha i njohu deputetët mbi vizitën e suksesshme të realizuar prej tij në Itali ditët e fundit dhe takimet shumë të frytshme me personalitetet e larta atje.
Kryeministri konsideroi si një mundësi shumë të madhe pjesëmarrjen e tij si i ftuar nderi në Forumin e Investitorëve italianë në Evropën Juglindore, i cili u mbajt në Verona, njërën prej qendrave industriale më të fuqishme të Italisë. “Në këtë Forum pata një rast të artë të paraqes para një audience shumë të gjerë të gjitha mundësitë dhe potencialet e ekonomisë shqiptare për investitorët e huaj””, tha Kryeministri.
Si kulminacionin e kësaj vizite, Kryeministri Berisha vlerësoi takimin me Kryeministrin e Republikës së Italisë, z. Silvio Berluskoni dhe firmosjen e një dokumenti historik, dokumentin e Partneritetit Strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, si dhe takimin me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian z. Gianfranco Fini, duke i konsideruar ata “dy miq të mëdhenj dhe të shquar të Shqipërisë e shqiptarëve”.
Duke u ndalur në tematikat e diskutimit dhe konkluzionet e bisedimeve, Kryeministri nënvizoi se nga takimi me z. Berluskoni kishte marrë rikonfirmimin se Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit. Dimensione të reja do të fitojë lufta kundër kriminalitetit dhe bashkëpunimi i agjencive të zbatimit të ligjit me njëra - tjetrën.
Gjithashtu, Kryeministri Berluskoni dhe qeveria italiane mbështesin plotësisht vizionin e qeverisë shqiptare për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale. “Ramë dakord të shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm në fushën energjisë, të ndërtimit të hidrocentraleve, të termocentraleve, me burime të ndryshme, të kabllove nënujore. Pra, mendoj se nga ky takim, vizioni energjetik i qeverisë shqiptare ka dalë shumë më i fuqishëm dhe ka marrë një mbështetje të madhe për t’u shndërruar në realitet”, u shpreh Kryeministri.
Në këto bisedime u diskutua gjerësisht për Korridorin 8-të, si një korridor i madh tregu, i cili i shërben Italisë për tregjet ballkanike, por edhe Ballkanit për tregun italian drejt tregjeve perëndimore
Në fjalën e tij mbi këtë vizitë, Kryeministri Berisha u shpreh:
Dëshiroj t’ju informoj hollësisht mbi vizitën e shkëlqyer që zhvillova në Itali, në datat 11 dhe 12 shkurt, me ftesë të Kryeministrit të Republikës italiane, mikut të shquar dhe të madh të kombit shqiptare, z. Silvio Berluskoni. Vizita dy ditore nisi me pjesëmarrjen time si i ftuar nderi në Forumin e Investitorëve italianë në Evropën Juglindore, i cili u mbajt në Verona, njërën prej qendrave industriale më të fuqishme të Italisë, por njëkohësisht në njërën prej qendrave shpirtërore më të rëndësishme të këtij vendi. Verona është qyteti që Uilliam Shekspir gjeti për të flijuar Romeon dhe Zhuljetën. Dhe, kjo ndodhi në prag të Shën Valentinit.
Në këtë Forum, i cili drejtohej nga ministri i Ekonomisë dhe Reformave z. Claudio Scajola, unë pata një rast të artë të paraqes para një audience shumë të gjerë të gjitha mundësitë dhe potencialet e ekonomisë shqiptare për investitorët e huaj. I njoha të pranishmit me reformat e thella dhe të gjithanshme që kanë bërë të mundur shumëfishimin e investimeve të huaja. Këto reforma kanë bërë të mundur që vetëm gjatë vitit që shkoi të firmosen rreth 4 miliardë euro investime italiane në Shqipëri; bënë të mundur një rritje të madhe të besimit të investitorëve ndaj Shqipërisë; bënë të mundur që në vitin e “cunamit” të vërtetë ekonomikë financiar, ekonomia shqiptare të mbetej nga më të paktat në botë me rritje pozitive të qartë. Surprizë ishte dhe lajmi që u dhashë të pranishmëve se në janar eksportet e këtij vendi u dyfishuan. Mund t’ju them se impakti ishte jashtëzakonisht pozitiv. Me dhjetëra investitorë të mëdhenj italianë treguan interes shumë të madh në fushën energjetike, në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera.
Për vizitën time në Itali nuk mund të gjendej hyrje më e bukur se sa kjo e Veronës. Dua të falënderoj ministrin z. Claudio Scajola, Prefektin e këtij qyteti të mrekullueshëm dhe të gjithë mikpritësit, për përzemërsinë që dëshmuan në pritjen ndaj meje dhe delegacionit që më shoqëronte.
Pjesa kulmore e vizitës nisi të nesërmen në Romë, ku unë takova dy miq të mëdhenj dhe të shquar të Shqipërisë e shqiptarëve. Fillimisht, u takova me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian z. Gianfranco Fini, një mik i shquar i vendit tonë. Në këtë takim diskutova si me një mik të gjithë problematikën e bashkëpunimit intensiv dhe të zhvillimeve në vend. Mund t’ju them se biseda me të kaloi në mirëkuptim të plotë për të gjitha problemet e diskutuara.
Vizita ime në Italinë mike kulmoi me takimin që zhvillova me Kryeministrin e Republikës së Italisë, z. Silvio Berluskoni, takim i cili e bëri vizitën historike, ndonëse e theksoj se unë, e fundit që me shkon në mend është të punoj për historinë. Në këtë vizitë ne firmosëm një dokumenti historik, dokumentin e Partneritetit Strategjik ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë. Ky dokument është produkt i një bashkëpunimi të gjatë, miqësor, i një solidariteti të jashtëzakonshëm që kombi mik italian dhe qeveria italiane kanë zhvilluar në dy dekadat e fundit me kombin dhe qeverinë shqiptare. Dokumenti i Partneritetit Strategjik institucionalizon marrëdhëniet e shkëlqyera të derisotme. Pra, qeveritë angazhohen për mbledhje të përbashkëta vjetore dhe për të shqyrtuar seriozitet zhvillimet në marrëdhëniet bilaterale.
Italia angazhohet të mbështesë fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e kandidatit dhe procesin e integrimit. Dimensione të reja do të fitojë lufta kundër kriminalitetit dhe bashkëpunimi i agjencive të zbatimit të ligjit me njëra - tjetrën. Pra, marrëveshja përbën një akt historik në marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore mes dy vendeve tona.
Gjatë drekës me Kryeministrin Silvio Berluskoni diskutuam gjerësisht bashkëpunimin mes vendeve tona në të gjitha fushat, ndër të cilat do të veçoja si më kryesoren fushën e energjetikës. Kryeministri Berluskoni dhe qeveria italiane mbështesin plotësisht vizionin e qeverisë shqiptare për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale.
Mediave italiane në Verona, atyre të pranishme në konferencë, por edhe gjatë drekës i thash Kryeministrit Berluskoni se një nga shtyllat kryesore të këtij vizioni qëndron në faktin se Italia është një nga tregjet më të mëdha energjetike në Evropë dhe kjo përbën për Shqipërinë një nga mundësitë më të mëdha për të eksportuar energji drejt vendit tuaj. Tregu është treg dhe është i përcaktuar. Ne ramë dakord të shqyrtojmë mundësinë e bashkëpunimit të gjithanshëm në fushën energjisë, të ndërtimit të hidrocentraleve, të termocentraleve, me burime të ndryshme, të kabllove nënujore. Pra, mendoj se nga ky takim, vizioni energjetik i qeverisë shqiptare ka dalë shumë më i fuqishëm dhe ka marrë një mbështetje të madhe për t’u shndërruar në realitet.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për Korridorin 8-të, si një korridor i madh tregu, i cili i shërben Italisë për tregjet ballkanike, por edhe Ballkanit për tregun italian drejt tregjeve perëndimore.
Kërkova mbështetjen e Kryeministrit Berluskoni në Bruksel për këtë Korridor dhe mora mbështetje të plotë. Në pranverë do të organizohet një konferencë për transportin me ministrat e Transporteve të vendeve të rajonit, ku unë ftova dhe ministrin italian të Transporteve z. Altero Matteoli që të jetë i pranishëm në këtë konferencë në Tiranë.
Në takim u diskutua gjerësisht për turizmin dhe zhvillimin e potencialeve të mëdha turistike të Shqipërisë. Kryeministri Berluskoni u angazhua dy drejtime: së pari, të inkurajojë investitorët më seriozë italianë në fushën e turizmit që të konsiderojnë investime të mëdha në Shqipëri dhe së dyti të inkurajojë agjencitë e mëdha turistike të organizojnë udhëtime drejt vendeve të mrekullueshme turistike të Shqipërisë. Gjatë drekës, Kryeministri Berluskoni u përpunoi sloganin: “Të njohim Shqipërinë, për të njohur Evropën!”. Natyrisht është fillimi dhe kjo moto gjatë ditëve apo javëve në vazhdim do të marrë formën përfundimtare, por ai ishte thellësisht i angazhuar në këto dy linja për të kontribuar për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Kryeministri Berluskoni më garantoi se do të bëjë çdo përpjekje për nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri. I kërkova që institucioni i garancisë financiare italiane për këto investime SACE është i domosdoshëm të operojë në Shqipëri për investitorët italianë. Kryeministri Berluskoni u zotua se do ta shqyrtonte me përparësi. Ne diskutuam për pensionet e emigrantëve shqiptarë dhe njohjen e kohës së pensionit. Dha porosi menjëherë që të shqyrtohet kjo çështje. Në pranverë të këtij viti Tirana dhe Shqipëria do të kenë një sërë ngjarjesh të rëndësishme, pranvera italiane në Shqipëri, ku rrjetet televizive dhe mediat italiane do të angazhohen gjerësisht për të paraqitur realitetin shqiptar.
Dua t’ju them se gjatë drekës Kryeministri Berluskoni dhe bashkëpunëtorët e tij folën me konsideratat më të larta për emigrantët shqiptarë në Itali, për reputacionin e shqiptarëve në Itali; shprehën konsideratat më të larta për studentët shqiptarë, rreth 20 mijë, të cilët janë të parët në universitetet italiane; shprehën konsideratat më të larta edhe për sipërmarrësit shqiptarë, të cilët që nga 5 mijë që kanë qenë në vitin 2005 sot numërohen në 22 mijë.
Gjatë konferencës së shtypit, tek po informoja për Moratoriumin e skafeve, përballë nesh ishin tre gazetare shqiptare, të themi të vërtetën ishin të pashme, të cilave Kryeministri Berluskoni u bëri një kompliment që padrejtësisht ka ngjallur një keqkuptim. Në rast se Silvio Berluskoni bëri kompliment në drejtim të tyre, aty në tërësi audienca ishte mashkullore, nuk mund të them se këto të tria nuk binin në sy, aq sa unë i ftova të tria që të bënin një foto bashkërisht. Ky ishte i gjithë historiku i shakasë së tij. Cila ishte përgjegjësia e tij në qoftë se këto tri zonja spikasnin me sharmin dhe me hiret e tyre? Ky ishte historiku dhe kishte lidhje direkt me faktin se para nesh ishin tre gazetare shqiptare që spikasnin me sharmin e tyre.
Vizitën e mbylla me një takim të shkëlqyer në Bashkinë e Romës, ku kryetari i bashkisë z. Gianni Alemanno u angazhua për një bashkëpunim të mundshëm me Shqipërinë, me Tiranën. Kërkesa ime, ndër të tjera, ishte që veç bashkëpunimit kulturor të mund të nisë puna për të identifikuar një shesh t’i dhënë e Nënë Terezës në kuadrin e 100 vjetorit dhe qeveria shqiptare do t’u dhuronte shtatoren e saj për këtë shesh”.
15/02/2010