Kryeministri Berisha pret një delegacion të KE-së nga Departamenti i Politikave të Energjisë dhe Transportit
Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Komisionit Evropian, nga Departamenti i Politikave të Energjisë dhe Transportit, të kryesuar nga z. Samuele Furfari.
Z. Furfari i shprehu Kryeministrit Berisha kënaqësinë e tij dhe të Departamentit që ai përfaqëson, në lidhje me politikat dhe strategjitë e qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë. Ai theksoi se Komisioni Evropian ka në qendër të politikave të tij rritjen dhe diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë, si dhe të eficencës së saj. Përdorimi i burimeve të rinovueshme të energjisë është një nga prioritetet e ditëve të sotme, por theksoi ai, nuk duhen lënë pas dore edhe burimet e tjera të prodhimit të energjisë, nga djegia e fosileve, mbetjeve urbane, biomasës, etj., sipas teknologjive moderne që garantojnë pastërti maksimale ambienti. Kjo, për faktin se kërkesat për energji rriten shumë më shpejt se burimet e prodhimit të saj. Kombinimi i energjive të prodhuara nga uji, era, dielli, djegia e fosileve, bërthamore etj. është domosdoshmëri dhe prioritet i Evropës, për të shkuar drejt rritjes së eficencës së përdorimit e prodhimit të energjisë, si dhe pavarësisë së Evropës nga burime e tregje jo të qëndrueshëm.
Krahas energjisë elektrike, edhe promovimi i përdorimit të energjisë së gazit përbën një faktor të rëndësishëm të zhvillimit me ritme të shpejta të Evropës.
Ai e vlerësoi si vizionare dhe të efektshme jo vetëm për Shqipërinë, por mbarë rajonin dhe Evropën, strategjinë dhe politikat e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Shtimi i projekteve private në këtë fushë dëshmon për suksesin e direktivave të Komisonit Evropian, mbajtur parasysh nga qeveria shqiptare.
Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi z.Furfani për prezantimin e situatës energjetike në Evropë dhe në botë, theksoi se vizioni i qeverisë së tij është: Shqipëria, edhe pse një vend i vogël – superfuqi energjetike. Ky vizion bazohet në faktin që nëse ka një treg pothuajse të përjetshëm, është tregu i energjisë. Kërkesa për të po rritet pafundësisht dhe domosdoshmëria e ndjekjes së saj përbën çelësin e suksesit të strategjive dhe reformave të qeverisë sime, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri i prezantoi delegacionit projektet në zhvillim për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të prodhimit të energjisë në Shqipëri. Me politikat e saj, qeveria shqiptare arriti në 3 vitet e fundit të aktivizojë sektorin privat me projekte investimi të shumta në fushën e përdorimit të burimeve hidrike, si dhe në aktivizimin e burimeve të reja të papërdorura më parë, të erës, biomasës, diellore, pa lënë mënjanë ngritjen e impianteve të gazifikimit dhe transportit të tij. Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri Berisha, po ecën me hapa të shpejtë edhe në realizimin e një projekti investimi bërthamor në rang rajoni. Duke pasur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e ambientit, qeveria shqiptare pasuron portofolin e prodhimit të energjisë edhe me ngritjen e centraleve me cikël të kombinuar, si dhe me djegie fosilesh. Janë licencuar dhe mbështetur disa projekte gazsjellës, si dhe impiante të rigazifikimit të gazit të lëngshëm.
Qeveria shqiptare ka synuar fillimisht të përmbushë nevojat aktuale dhe të projektojë të ardhmen e tyre, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin dhe Evropën.
Kryeministri i siguroi ata se të gjitha direktivat edhe politikat e KE-së dhe të BE-së janë pika reference të programeve te qeverisë së tij dhe se e vlerëson pa masë bashkëpunimin në suksesin e objektivave ambicioze të tij për kthimin e Shqipërisë në një vend të fuqishëm eksportues të energjisë, si dhe qendër të sistemit të transportit të gazit.
15/02/2010