Kryeministri Berisha flet për përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Kryeministri Berisha foli mbi përpjekjet e qeverisë për të luftuar krimin. Ndër të tjera kryeministri u shpreh:
Hapat që janë bërë deri tani janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Këto hapa tregojnë se institucionet kanë një vullnet të hekurt, për tu përballur me krimin e organizuar, për të dëshmuar në çdo moment se shteti është më i fortë se krimi. Kjo që ndodh është një betejë midis shtetit dhe krimit. Kurrë një vend nuk mund të jetë i lirë në qoftë se nuk e ka shtetin më të fortë se krimin. A është bërë kjo realitet në Shqipëri? Ende jo. Krimi vazhdon të ketë një forcë të madhe. Ai shet me nje primitivizëm barbar të penduarit. Midis atij që ka kryer kriimin dhe ndodhet në hetim dhe atij që i shet dosjet, krimineli është ky i fundit. Ai është një tregtar krimi. Dhë kjo është jashtëzakonisht e rëndë. Ky është reagimi i botës së krimit në pushtet. Ne e godasim, ai nxjerr të penduarin. Unë kërkoj të informoj qytetarët shqiptarë se kjo është një dëshmi shumë tragjike e forcës që ka krimi në Shqipëri, në segmentet e shtetit.
Megjithatë dua të grantoj çdo shqiptar se krimi i organizuar nuk ka të ardhme. E ardhmja e tij është vetëm ligji. Krimi nuk ka të ardhme. Me kollare apo pa të, me limunzinë apo me nallane, në hotele luksoze apo në shpella, kudo që të ndodhet në Shqipëri, apo në botë, ligji do ta ndjekë deri në fund. Vendosmëria jonë është absolute. Duhet tu shprehim mirënjohjen më të thellë punonjësve të policisë, gjykatave, prokurorisë, për punën e shkëlqyer që po bëjnë. Pa këtë punë Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës. Unë dua ti siguroj ata se kjo qeveri është e vendosur ti mbështesë fuqimisht dhe të angazhojë shuma më të mëdha për të mbijetuar se sa krimi i organizuar që ta dominojë atë. Sikur të nevojitet gjysma e buxhetit ne jemi të gatshëm ta vendosim për ta shtypur atë. Asgjë nuk mund të pengojë mbizotërimin e ligjit në këtë vend. Asgjë nuk do të pengojë shtetin për të qenë shumë herë më i fortë se krimi. Ky është përcaktimi ynë. Këto janë vetëm përpërlitje primitive, barbare të një bote me të cilën shqiptarët duan dhe po ndahen me një shpejtësi të madhe.