Kryeministri Berisha: Këmbëngulës në vizionin e Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon
Këshilli i Ministrave miratoi sot projektligjin “Për burimet e energjisë së ronovueshme”. Projektligji përcakton kuadrin ligjor për shfrytëzimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, si dhe krijon një fond kombëtar për këtë energji.
Duke prezantuar projektligjin, Kryeministri Berisha tha se në ndjekje të vizionit të Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon, qeveria po bën gjithçka që të nxisë e mbështesë zhvillimin e kësaj nisme.
Lidhur me këtë, Kryeministri u shpreh se “Shqipëria ka burime kolosale jo vetëm ujore, por ajo është një prej vendeve me më shumë ditë me diell në rajon e më gjerë. Shqipëria ka disa platforma mitike ere. Po të shkosh atje, të duket sikur perënditë e erës kanë ndërtuar shtëpitë aty. Edhe këto platforma do të jenë një burim i fuqishëm i prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Me ligjin që miratojmë, ne përpiqemi të garantojmë kuadrin ligjor më të shkëlqyer për investitorët, që të shfrytëzojnë burime maksimalisht dhe në përputhje e respekt të plotë të mjedisit, kjo në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të saj.
Interesi është shumë i madh në të gjitha aspektet, nga hidroenergjia tek energjia gjeotermike. Me këtë ligj, jo vetëm inkurajojmë, por edhe garantojmë investitorët e kësaj fushe, garantojmë funksionimin e tregut, garantojmë konsumatorin, si dhe krijohet një fond kombëtar për energjinë e rinovushme, i cili do të ketë synim kryesor të inkurajojë, të mbështesë e të zbusë kreditë, pra, një seri objektivash në projektin dhe vizionin tonë: Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon.”
12/09/2012