Kryeministri Berisha fton investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri

- Kryeministri Berisha: Shqipëria jashtë krize, falë politikave fiskale dhe reformave të suksesshme në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha, gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Ndryshimin e Klimës në Danimarkë, zhvilloi sërish një serë takimesh me liderë botërorë. Në këto takime, Kryeministri Berisha i njohu ata me ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si dhe me situatën ekonomike të Shqipërisë. Kryeministri tha se "Shqipëria jashtë krize" u parapri nga politikat fiskale dhe reformat e suksesshme ekonomike, të ndërmarra nga qeveria shqiptare. Gjithashtu, Kryeministri ka vijuar në këto takime lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Në të gjitha këto takime, unë kam diskutuar me krerët e delegacioneve të vendeve europiane procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe kam garantuar mbështetje të plotë në këtë proces. Sikundër, kam diskutuar marrëdhëniet bilateriale dhe intensifikimin e tyre. Kam ftuar bashkëbiseduesit e mi të vizitojnë Shqipërinë, ftesë kjo e pranuar gjerësisht me kënaqësi nga të gjithë bashkëbiseduesit. Një vend qëndror në këto bisedime kanë zënë zhvillimet dhe kureshtja për situatën ekonomike të Shqipërisë, "Shqipëria jashtë krize." Unë i njoha bashkëbiseduesit e mi me faktin se Shqipëria këtë vit, për 6 muajt e parë, ruan një rritje ekonomike prej 5 %, ajo po bën çmos të ketë një deficit buxhetor prej 3.9 %, ka pasur një rritje 36 % të turizmit, ka pasur gjithashtu një rritje prej 59% të investimeve te huaja dhe një rritje të të ardhurave prej 7 %.
Të gjitha këto janë të lidhura me politikën fiskale ,me shkurtimet e mëdha të administratës dhe shpenzimeve operative si dhe investimet e mëdha në vend.
Në këto takime, një nga kërkesat e mia më kryesore ka qene nxitja dhe inkurajimi i investitorëve nga këto vende, nga Norvegjia deri në Qipro, për të ardhur për të investuar në Shqipëri. Apel të cilin e bëra edhe në fjalën time, ku thashë se në Shqipëri janë mbi 130 kontrata të firmosura për hidrocentrale dhe mijëra megavat parqe eolike dhe burime të tjera energjetike, të cilat mirëpresin financime nga institucionet financiare."
Kryeministri Berisha ka vijuar ndërkohë takimet për njohjen e Kosovës, shtet i pavarur.
"Sot unë kam takuar dhe vazhdoj të takoj shumë kryetarë të delegacioneve të vendeve që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, pasi në fakt, unë objektivin më kryesor në këtë Samit kam pasur, si mbështetjen për reformat në Shqipëri, por para së gjithash, promovimin e njohjes së Kosovës, si një mundësi e madhe kontributi për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kam bërë një bisedë të veçantë me Presidentin e Meksikës, vazhdim i bisedës të bërë në Nju Jork. I paraqita atij të gjitha zhvillimet pozitive të këtyre muajve, Presidenti i Meksikës më siguroi se do ta rishqyrtojë sërish dosjen e Kosovës dhe mundësinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës”.
Kryeministri Berisha, ndër të tjerë, bisedoi me Presidentin e Guajanës, Jagdeo, me Kryeministrin Douglas të Saint Kitts and Nevis, me Kryeministrin e Xhamajkës, me atë të Nepalit, të Indisë, Sëazilandit, Vietnamit, të Mauritius, Surinamit, Saint Lucia, Botzvanës, Camerunit, Kenias, me zv.Presidnetin e Burundit, Leotos, Xhibutit, Republikës së Afrikës Qendrore, Vanuato, Fiji, me Amir Musen, kryetarin e Ligës Arabe, Guinea Papua etj.
18/12/2009