Presidenti Topi përshëndet konferencën ndërkombëtare “Sfidat dhe problemet ekonomike dhe shoqërore 2009”.

11 dhjetor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sonte në konferencën ndërkombëtare ‘Sfidat dhe problemet ekonomike dhe shoqërore 2009 – në kohën e krizës globale dhe të integrimit”, të organizuar në mjediset e Hotel Tirana International nga Fakulteti i Ekonomisë së Universitetit të Tiranës.
Në fjalën e tij përshëndetëse me këtë rast, kreu i shtetit shqiptar u shpreh:
“Profesor Stringa
Të nderuar profesorë, miq, të ftuar,
Me sa shoh këtu ka edhe studentë.
Sigurisht nuk erdha këtu të jap ndonjë leksion ekonomie. Erdha në respekt të ftesës dhe për të respektuar një veprimtari e cila në kohët e sotme vlen realisht për t’u vlerësuar. Vij këtu jo vetëm me cilësinë e institucionit që unë mbuloj, por vi këtu dhe me nostalgjinë për jetën akademike. Në kohën e sotme kur jemi mësuar që të përjetojmë mjaft debate, mjaft diskutime, mjaft, do të thoja inflacione të shumta televizive dhe debate sporadike, natyrisht që këtë veprimtari e konsideroj shumë kualitative dhe më jep një kënaqësi të veçantë.
Nuk mund të ketë vlerë një universitet, një fakultet, një katedër pa një debat profesional. Sigurisht që jetojmë në një shoqëri demokratike dhe po mundohemi që në mënyrë shumë evolucionare të përsosim standardin demokratik. Besoj që jemi dakord të gjithë që këtë model nuk po e krijojmë për së pari. Modelin tashmë e kemi. Shumë vende ku ne referohemi, pra ato vende tek të cilat ne dëshirojmë të bëjmë pjesë e kanë ndërtuar këtë model prej dekadash. Pra, kur ekziston ky model, mjafton të orientohemi dhe të shkojmë me konseguencë drejt këtij modeli. Kam një admirim të thellë për rrethet akademike, për fakultetin tuaj, sepse keni ditur që të orientoheni drejt në një periudhë ku mbi të gjitha ka patur një ndryshim substancial tek çështja e ekonomisë. Politikisht mund të ndërrosh pozicion brenda orës. Së paku jemi mësuar të shohim dhe këto modele, kur njerëzit në mënyrë shumë të befasishme e ndryshojnë pozicionin e tyre. Por, ajo që nuk të lejon të gabosh është pikërisht filozofia ekonomike dhe mentaliteti mbi të cilën ti bazohesh dhe ngre perspektivën. Një model e kemi provuar pa vullnetin tonë dhe kemi dështuar. Jemi orientuar me koshiencë të plotë drejt ekonomisë së tregut dhe po mundohemi ta përsosim çdo ditë. Është shumë e rëndësishme që politika, institucionet të kthejnë kokën me shumë seriozitet tek rrethet akademike, tek katedrat, tek profesorati për të parë realisht një debat profesional, i cili vështirë se gabon. Për të mos ta lënë këtë model vetëm për të tjerët, por për t’ia dhënë dhe vetes natyrisht që do të jem shumë lakonik në këtë mesazh. Unë dëshiroj t’ju inkurajoj në këtë veprimtari, dëshiroj që t’ju mbështes në veprimtarinë tuaj të përditshme për të rritur kualitetin e mësimdhënies dhe natyrisht për të rritur nivelin e debatit profesional. Më lejoni si një mik i juaji t’ju bëj një vërejtje shoqërore. Pak zëra autoritarë shikoj në mas-media. Sot rregulli nuk lejon vakuume. Aty ku nuk futet profesionisti dikush do të futet. Askush nuk duhet të ankohet nëse nuk merr pjesë në debate të tilla. Kështu që uroj që krahas aktivitetit akademik të jeni të pranishëm në media, sepse tek e fundit keni një detyrim dhe ky është një detyrim mbi të cilat është rritur i tërë ‘background’-I juaj profesional dhe qytetar.
Asnjëherë në pozicionin që kam nuk kam dashur që të hap polemika, apo diskutime të karakterit politik, të cilat mund të sjellin edhe një konfuzion në debat. Por në rend të ditës ka shumë probleme. Natyrisht që ka probleme që lidhen me ekonominë, lidhen me reformën në drejtësi, lidhen me reformën për të drejtën e pronësisë dhe padyshim në bazë të tyre duhej të ishte mendimi i kualifikuar i ekonomistëve tanë. Në një ekonomi të konsoliduar tregu edhe biznesi di të orientohet më mirë drejt ekspertizës, drejt profesionistëve dhe më pak drejt konjukturave politike të çastit. Kështu që orientoheni debatin, jepni mesazhe edhe për politikën, sepse boll ne bëjmë diskutime për ekonominë e tregut, por ka disa gjëra që janë totalisht në vullnet të politikës.
Dikush mundet edhe me të drejtë që të mërzitet nga apelet e vazhdueshme që unë jap për bashkëpunim, por bashkëpunimi është domosdoshmëri e kohëve të sotme. Prej kohësh është diskutuar për problematikën që ka biznesi për çështjet gjyqësore që zvarriten, zvarriten, hanë shumë kohë dhe biznesmenët që e kanë kohën të shtrenjtë e kanë shumë të vështirë që të gjejnë zgjidhje në kohën e duhur. Nuk kam dëgjuar njeri që të jetë kundër vendimmarrjes për krijimin e Gjykatës Administrative. Por ka më shumë se një vit që kjo gjykatë mbetet e bllokuar, pasi kërkohet domosdoshmërisht bashkëpunim dhe një votë e kualifikuar në Parlament prej 84 deputetësh. E mora si shembull për të thënë që ekspertiza dhe politika duhet të jenë në një mision kompatibël për t’i garantuar sukses njëra-tjetrës. Ne e kemi marrë për shkak të pozicionit në mjaft takime ndërkombëtare ku është diskutuar për ekonominë. Ju siguroj që pas dialogut politik menjëherë vjen në rend të ditës ekonomia dhe anasjelltas. Ju me të drejtë diskutuat që kriza është globale, pastaj vjen në kriza rajonale dhe pastaj vjen në të gjitha tentativat për t’u përballur me këtë krizë dhe në nivel të vendit. Fatmirësisht, referuar dhe të dhënave të institucioneve ne po e përballojmë relativisht më mirë se të tjerët, por domosdoshmërisht kërkon bashkëpunim në nivel rajonal, kontinental, pse jo dhe në nivel global për të përballuar të gjithë së bashku sado në mënyrë modeste të jetë kontributi ynë. Askush nuk e vë në dyshim që ndryshimet janë të dukshme. Vetëm sot në takimin me Presidentin Gyl, i cili erdhi për një vizitë zyrtare në Shqipëri unë kujtova një episod të vitit 1992 kur tregtia me Turqinë filloi me çanta dore. Tashmë këto janë në distancë, por besoj që sfidat janë shumë më të mëdha sepse do na duhet të përballemi me të gjitha sfidat që kërkon pjesëmarrja, integrimi në Evropën e Bashkuar. Dhe mund ta them duke e përfunduar fjalën time, që udhëhiqemi në këtë proces nga pikëpamja e ekspertizës, sepse më mirë se sa ju askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë. Kurrësesi nuk dëshiroj të konfondoj pozicionin tuaj, misionin tuaj me atë të institucioneve, por institucionet duhet të jenë koshiente sikurse dhe ju duhet të jeni të gatshëm që të bashkëpunoni ngushtësisht që të gjitha vendimmarrjet të jenë të kualifikuara dhe mbi bazën e ekspertizës.
Edhe një herë për të mbyllur fjalën time dëshiroj t’ju falenderoj sërish, t’ju inkurajoj dhe t’ju siguroj që nisur dhe nga eksperienca e vendeve ku ne dëshirojmë të integrohemi, ekspertiza, profesorati dhe të gjithë ata që bashkëpunojnë në rrethet kërkimore shkencore do të arrijnë në një stad aty ku janë dhe kolegët tuaj në Evropë. Nuk dëshiroj të paragjykoj nëse ka biznesmenë, apo jo në këtë auditor, por në pamje të parë duket se ata mungojnë në këtë konferencë, por jam i bindur që në vitet që vijnë që vetë biznesi do të kërkojë domosdoshmërisht të orientohet tek ekspertiza e kualifikuar, sepse kurrësesi nuk mund të ecet më në mënyrë jo profesionale. Është e domosdoshme që në sfidat që ka ekonomia jonë, në të gjithë atë problematikë që del mbi bazën e detyrimit për të zbatuar ligjin, ekspertiza duhet të jetë e kualifikuar në favor të biznesit.
Falemnderit!”