E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i INVITALIA Giancarlo Innnocenzi Botti i parashtron Kryeministrit interesin e bizneseve italiane për të investuar në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot, Presidentin e INVITALIA (Agjencia Kombëtare për mbështetjen e investimeve në vend dhe jashtë) Giancarlo Innnocenzi Botti. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori italian në Shqipëri, zoti Massimo  Gaiani.

Zoti Botti përgëzoi Kryeministrin për situatën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, edhe pse në kohë krize globale dhe rezultatet e arritura sidomos në tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë kuadër, zoti Botti, si kryetar i këtij institucioni që mbështet dhe këshillon biznesin italian, i shprehu Kryeministrit gatishmërinë e një sërë bizneseve italiane për të konsideruar shtrirjen e aktiviteteve dhe investimeve të tyre në Shqipëri, konkretisht, në fushën e energjisë së rinovueshme dhe atë të prodhimit të aparaturave mjekësore. Disa grupe biznesesh të këtyre fushave, tha zoti Botti, do të pasojnë vizitën e tij, me synim hapjen e tregut të tyre në një vend shumë pranë Italisë dhe po aq ftues sa Kina. Sipas zotit Botti, investimet në fushën e energjisë konsistojnë në agrikulturë dhe përpunimin e këtyre produkteve për prodhimin e energjisë nga etanoli. Një tjetër mundësi investimi është edhe prodhimi i energjisë nga përpunimi i mbetjeve urbane, sipas parimit “Mbetje në energji”. Veç kësaj, zoti Botti informoi se interes ka shprehur edhe një tjetër kompani italiane për transferimin e aktivitetit të saj në Shqipëri, që konsiston në prodhimin e kontatorëve dixhitalë, të cilët shërbejnë njëkohësisht edhe për të shërbyer internet të Shqipëri. Përsa i përket fushës së shëndetësisë, një kompani italiane, aktiviteti i së cilës konsiston në prodhimin e aparaturave lëvizëse të mamografisë, gjithashtu synon të hapë në Shqipëri, një aktivitet të prodhimit të këtyre pajisjeve. Në kuadrin e prodhimit të energjisë nga mbetjet, përfshihet edhe përpunimi i mbetjeve sanitare.

Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Botti për vizitën dhe interesin e biznesit italian për të investuar në Shqipëri. Oferta e biznesit italian, tha Kryeministri, është shumë interesante dhe qeveria shqiptare e mbështet fuqishëm idenë e hapjes së aktiviteteve prodhuese dhe investimeve të huaja në fushën e energjisë, përpunimit të mbetjeve urbane, si dhe prodhimin e aparaturave e pajisjeve. Ai garantoi se të gjitha strukturat e qeverisë janë të gatshme për ta kthyer këtë propozim në histori suksesi. Prioriteti i qeverisë shqiptare për zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme, tha më tej Kryeministri, është tashmë i shprehur në një sërë veprash të tilla në ndërtim e projektim dhe shtimi i të rejave është një provë tjetër e rëndësisë së këtij sektori dhe suksesit të modelit tonë ekonomik. Sikundër, edhe prodhimi i aparaturave dhe pajisjeve mjekësore dhe përpunimi i mbetjeve urbane janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e shpejtë dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare.

Pasi vlerësoi zgjedhjet shumë interesante të sektorëve për investim nga investitorët italianë, Kryeministri theksoi se ato janë të mbështetura edhe nga thellimi i mëtejshëm i reformave që po ndërmerr qeveria shqiptare, në këtë drejtim. Rritja e konkurrueshmërisë ekonomike të çdo vendi, tha Kryeministri, kontribuon në atë të Europës dhe në përshpejtimin e daljes së ekonomisë europiane nga kriza. Zhvillimet e fundit të ekonomisë italiane, si pjesë kryesore e ekonomisë europiane, janë pozitive dhe premtuese.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi ekonomik i të dy vendeve, i ndihmuar edhe nga ambasada italiane, vazhdon të forcohet nëpërmjet këtyre projekteve konkrete.  


03/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›