Kryeministri Berisha ngushëllon familjen e Gëzim Demçollit, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, për ndarjen e tij nga jeta
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, një vizitë ngushëllimi në familjen e z. Gëzim Demçolli, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, i cili u nda dje nga jeta, pas një sëmundjeje të rëndë, në Bilisht.
Kryeministri Berisha i shprehu bashkëshortes, fëmijëve dhe të afërmve ngushëllimet e tij më të thella, të qeverisë dhe Partisë Demokratike, për ndarjen e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të dashur.
Kryeministri u shprehu familjarëve vlerësimet për kontributin që zoti Demçolli, si një zyrtar i përkushtuar dhe i përgjegjshëm dhe qytetar i devotshëm, dha për Devollin dhe Korçën. “Gëzimi, - tha Kryeministri - lë mbrapa një emër të shkëlqyer”.
Në përfundim të vizitës, Kryeministri Berisha përcolli edhe për median mesazhin tij të ngushëllimit, për ndarjen nga jeta të z. Gëzim Demçolli:
“Erdha t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella, të qeverisë dhe Partisë Demokratike familjes së Gëzimit, qytetarëve të Devollit, të Korçës, demokratëve të Devollit dhe mbarë Shqipërisë, për këtë humbje të rëndë. Gëzimi ishte modeli i njeriut shembullor, i prindit, bashkëshortit shembullor, i qytetarit të ndershëm e të përkushtuar, i demokratit të flaktë e të vendosur, i zyrtarit të përgjegjshëm. Gëzimi vdiq nga një sëmundje e rënde dhe para kohe, por lë mbrapa një emër të shkëlqyer dhe kujtimin e njeriut të mrekullueshëm, për të gjithë ata që e kanë njohur, për familjen e tij, bashkëqytetarët e bashkëluftëtarët e tij, për të gjithë ata që kanë pasur një marrëdhënie pune e të tjera, gjatë jetës së tij. Partia Demokratike ka një humbje të veçantë në këtë rast, se humbjet jo vetëm një qeveritar të sprovuar vendor, kryetarin e Këshillit të Qarkut të Korçës, por edhe një prej kryetarëve më të talentuar të degëve të saj, siç ishte kryetari i degës së Devollit. Edhe një herë ngushëllimet më të thella e të sinqerta për familjen, për qytetarët e Devollit, Korçës e demokratët e mbarë Shqipërisë.”
01/04/2012