E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në konferencën me temë “Arsimi Shqiptar në Moshën Dixhitale”

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në konferencën  e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me temë “Arsimi Shqiptar në Moshën Dixhitale” .

Duke përshëndetur organizatorët e kësaj konference, kryeministri  Berisha u shpreh se, beteja për arsimin dhe arsimimin e mirë është më e rëndësishmja ndër të gjitha betejat dhe përpjekjet për të ardhmen e sigurt dhe të ardhmen  e merituar të çdo kombi dhe të çdo shoqërie.

Kryeministri Berisha theksoi faktin se për qeverinë arsimi ka qenë dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive, ndaj qeveria vite më parë, zgjodhi  “Shqipërinë Dixhitale”,  si një nga dy objektivat më madhor për tu realizuar dhe në këtë  kontekst vendosi edukimin dixhital si hallkën e parë dhe më të rëndësishme të kësaj platforme.

“Sot, tha kryeministri Berisha, ne vijmë në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, më afër se kurrë e më të vendosur se kurrë për shndërrimin e këtij vendi në një vend dixhital, për realizmin në këtë vend të “Shqipërisë dixhitale”. Kryeministri u shpreh se prioriteti i qeverisë për këtë vit është shtrirja e internetit në çdo klasë dhe për ta realizuar këtë, ai ka kërkuar nga Ministri i Arsimit, që të krijohen të gjitha kushtet për sipërmarrjen e inovacionit.

Kryeministri  kërkoi  vlerësim më të madh për të gjitha projektet ambicioze duke ridimensionuar tërësisht  qëndrimin ndaj aftësive programuese të shkollarëve  tanë.  Ai u shpreh se qëllimi është që të ndizet  një garë të fuqishme në të gjithë sistemin tonë arsimor në këtë fushë, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet në një superfuqi të vogël rajonale të softeve dhe të produkteve të kësaj fushe.

Më pas kryeministri u ndal edhe tek disa nga treguesit  e arsimit në vend të cilët në rrafshin sasior janë tregues të nivelit botëror ndër më të avancuarit. Në këtë kontekst ai theksoi se duhet bërë  gjithçka  që vendi të rendë mbi mesataren  Europiane për student, për 1 mijë banorë, duke theksua se cilësia mbetet dhe duhet të jetë qëllimi kryesor.  “Në garën e cilësisë,  sërish teknologjia e informacionit ka vendin e vet  themelor.  Interneti është një univers i vërtetë”, u shpreh ai.

Një tjetër çështje e rëndësishme, tek e cila është ndalur kryeministri ka qenë përdorimi i teknologjisë dixhitale për provimet.   Duke sjelle shembullin e provimeve të shtetit, ku u përdor sistemi dixhital i kontrollit të tyre, Kryeministri e vlerësoi  si shumë të suksesshëm  dhe të saktë këtë metodë, e cila garantoi transparencë dhe paanshmëri në vlerësimin e provimeve.

Për të shtuar sukseset në fushën e “Shqipërisë dixhitale”, Kryeministri Berisha premtoi, se këtë vit qeveria do të bëjë gjithçka, që të garantojë internet me bandë super  të gjërë ,falas ose me çmimet më të lira që ekzistojnë.

Në fjalën e tij kryeministri  Berisha u shpreh:

 I nderuar z. Ministër,

E nderuar zonja Kseniya Lvovsky,

Të nderuar pedagogë  dhe studentë

Përgëzoj organizatorët e kësaj konference  me një temë shumë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, zhvillimin e vendit në tërësi, siç është “Arsimi shqiptarë në moshën dixhitale”.

Beteja për arsimin dhe arsimimin e mirë është më e rëndësishmja ndër të gjitha betejat dhe përpjekjet për të ardhmen e sigurt dhe të ardhmen  e merituar të çdo kombi dhe të çdo shoqërie.  Në këtë kontekst për qeverinë që drejtoj, arsimi ka qenë dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive.  Kjo ka një rëndësi jetike për çdo vend, por kjo është dy herë jetike për vendet dhe  kombet, që kanë humbur kohë, siç është vendi dhe kombi ynë.

Kjo ka një rëndësi  jetike për ne, sepse vetëm duke vendosur  ekonominë e këtij vendi,  mbi bazat  e dijes ne do të mund të kapim kohën e humbur, do të mund të qëndrojmë në horizontet e zhvillimit.  Qeveria vite më parë, zgjodhi  “Shqipërinë dixhitale”,  si një nga dy objektivat më madhor për tu realizuar dhe në këtë  kontekst  vendosi  edukimin dixhitale, hallkën e parë dhe më të rëndësishme të kësaj platforme.

Sot, ne vijmë në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, më afër se kurrë, më të vendosur se kurrë, për shndërrimin e këtij vendi në një vend dixhitale, për realizmin në këtë vend të “Shqipërisë dixhitale”.

Sot në Shqipëri janë qindra projekte në të gjitha fushat, të cilat synojnë që rrezen e dritës, të teknologjisë dixhitale, ta përshkojnë në çdo  skutë, në çdo qoshe të shoqërisë dhe në çdo fushë të saj.

Natyrisht sërish kthehemi,  arsimi është dhe mbetet fusha më kryesore. Ne jemi një komb me një përqindje të lartë të rinjsh dhe ky përbën një avantazh të jashtëzakonshme.  Nga “Shqipëri dixhitale”, ne duhet të kalojmë tek  “I” qytetari  dhe “I” qytetari  pothuajse domosdoshmërisht  do të kalojë nëpër duart tuaja, dyert tuaja, klasat tuaja, bankat tuaja.  Këtë vit ne do të shënojmë një hap të madh, internet në çdo klasë, por prapë qëllimi është tjetër, qëllimi është të ndezim një garë të fuqishme, në të gjithë sistemin tonë arsimor në këtë fushë, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet dora dorës, në një superfuqi të vogël rajonalë të softeve dhe të produkteve të kësaj fushe.

Zoti ministër,

Kjo kërkon që Shqipëria të shtrijë lëndën e programimit, në afatet më të hershme që ekziston në ndonjë vend. Kjo kërkon që ne të përcaktojmë një seri stimujsh konkret, për të nxitur, për të shpërblyer programet dhe softet  e  nxënësve dhe studentëve tanë.  Kjo kërkon një garë me stimuj konkret, kërkon që të bëjmë gjithçka për të krijuar kushte për sipërmarrjen e inovacionit, e cila është në tërësinë e saj meritë,  atribut, i moshës së shkollarëve dhe pas shkollave.

Ndaj dhe duke shprehur vlerësimin më të madh për të gjitha projektet ambicioze, ne duhet të ridimensionojmë  tërësisht  qëndrimin ndaj aftësive programuese të shkollarëve  tanë.  Nxënësit, i riu e reja, kalojnë orë të tëra në komunikimin e mrekullueshëm në FaceBook, një mrekulli njerëzore e komunikimit , por duhet të bëjmë gjithçka ta ndajmë  këtë kohë dhe kjo nuk është e lehtë, kjo bëhet me stimuj, me shpërblime, me inkurajime, në drejtim të programimit.

Ne kemi arritur në arsim disa tregues, të cilët në rrafshin sasior janë tregues të nivelit botëror, ndër më të avancuarit.  Ne kemi një përqindje të ndjekjes së shkollave të mesme nga ata të cilët përfundojnë arsimin e detyrueshme ndër më të mirët, deri në 92 për qind.  Ne kemi një rekrutim në shkollat e larta, rreth 70 për qind të  atyre që përfundojnë shkollat e mesme, por ne kemi një nga nivelet më te ulta në Europë dhe në vendet e zhvilluar, ndoshta më të ultin të përqindjes së popullatës me shkollë të lartë.  Në rast se vendet e zhvilluara e kanë nga 25 deri në 32 për qind, Shqipëria e ka rreth 7 për qind.  Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka , me këta tregues sasiorë që kemi arritur sot, do të rendim mbi mesataren  Europiane për student, për 1 mijë banorë, por tani cilësia dhe vetëm cilësia mbetet dhe duhet të mbetet qëllimi ynë kryesor.  Në garën e cilësisë  sërish teknologjia e informacionit ka vendin e vet  themelor.  Ajo përben universin virtual të të rinjve dhe po të jetë problemi, edukimi është një proces universal.  Interneti është një univers i vërtetë. Në këtë aspekt ne duhet të bëjmë gjithçka, që ta bazojmë sistemin tonë para universitar dhe universitar në të gjitha tekstet dhe teknologjitë dixhitale . Cila është rruga që do të ndjekim ne, cili është modeli që do të ndjekim ne, në arsimin para universitar?  Zgjedhja është bërë, ne do të bëjmë gjithçka për të adaptuar sa më shumë nga sistemi  finlandez.  Sistem i bazuar një  trinom, në një bashkëpunim të ngushtë,  nxënës-mësues-prindër.  Besohet se ky komponent  është ndër më të rëndësishme në këtë sistem që kryeson për cilësi, arsimin në botë.  Ndaj dhe shkolla duhet të bëjë gjithçka për të zgjeruar kanalet e komunikimit midis këtyre tre komponentëve.

Jashtëzakonisht  e rëndësishme  është përdorimi i teknologjisë për provimet.  Gara që ndjekim ne për cilësi është më e vështira dhe realitetet duhet ti njohim. Unë i kuptoj kritikët kur flasin për cilësinë, por të kritikosh për cilësinë është gjëja me e drejtë, më normale, sepse cilësia duhet të jetë qëllimi dhe motivi ynë më kryesor.

Le të hedhim një vështrim tek provimet e shtetit që u dhanë me  sistemin dixhital. Cili është rezultati i tyre në krahasim me sistemin tjetër ?  Rezultat i ftohtë.

Të nderuar zotërinj rektorë, dekanë  ne duhet të bëjmë gjithçka për të shtrirë sa më shumë provimet dixhitale në shkollat tona të larta, si një rrugë për të shmangur çdo lloj ndërhyrje dhe për të garantuar një sistem  transparent e të  paanshëm  vlerësimi. 

Ky vit është vendimtar në përpjekjen tonë për “Shqipërinë dixhitale”. Këtë vit ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë internet me bandë super të gjërë, falas ose me çmimet më të lira që ekzistojnë. Të gjitha këto kërkojnë një motivim të fuqishëm,  së pari të mësuesve, të nxënësve, të studentëve.  Le ta shndërrojmë këtë në një energji të madhe të re për të shtyrë përpara Shqipërinë.

 Faleminderit !


03/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›