E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Sot, nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Në nderim të kujtimit të Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Korçës dhe Kryetarit të PD-së së Devollit, z. Gëzim Demçolli, i cili u nda dje nga jeta, kryeministri Berisha dhe deputetët e PD mbajtën një minutë heshtje.

Në fjalën e tij, kryeministri u ndal në dy çështje.

Së pari, në çështjen e mjedisit. Duke folur për interesin gjithmonë e në rritje të turistëve të huaj për të vizituar Shqipërinë në këtë sezon turistik,  kryeministri theksoi se asgjë nuk kërcënon më shumë imazhin  e këtij vendi, sesa shpërkujdesja  e pafalshme në trajtimin e plehrave dhe të mjedisit.

Duke folur mbi nismën e qeverisë, e cila ka shpallur datën 20 prill si ditën e "Shqipërisë së pastër", ai u shpreh se qeveria do të angazhojë  të gjitha institucionet dhe të gjitha mjetet për ta bërë të suksesshme këtë nismë, por kërkoi angazhimin dhe mbështetjen e deputetëve të PD që në zonat e tyre elektorale, në bashkëpunim me qeveritarët vendorë, të marrin çdo masë që me 20 prill ta bëjnë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë e saj.  

Së dyti, kryeministri Berisha u ndal edhe në ligjin e dorëzuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, me të cilin kërkohet shfuqizimi i ligjit nr. 9509 datë 3.4.2006 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese  të Republikës së Shqipërisë”

Kryeministri e cilësoi këtë nismë si absolutisht të papranueshme pasi, siç tha ai,  vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut  tjetër të Adriatikut. "Do të ishte e papajtueshme për zotimet e Shqipërisë për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.  Kohërat e "skafo-Republikës" kanë marrë fund, ndaj më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet nga ne", theksoi ai.

Kryeministri theksoi se mazhoranca është e vendosur ta mbajë moratoriumin dhe rrëzoi argumentat se mbajtja në fuqi e këtij ligji dëmton turizmin, duke theksuar se në kohën që ky ligj hyri në fuqi, turizmi u rrit me 12 herë.

Fjala e plotë e Kryeministrit  Berisha në mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Demokratike

“Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Zonja Kryetare  e Parlamentit,

Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe dua t’ju ftoj të nderojmë së bashku, kujtimin e Kryetarit të Qarkut të Korçës, Kryetarit të Partisë Demokratike të Devollit, zotit Gëzim Demçolli, që u nda dje nga jeta, duke lënë kujtimin më të mirë të një qytetari të respektuar  në mbarë rrethin e Devollit dhe Qarkut të Korçës, të një zyrtari të përgjegjshëm,  të ndershëm, të një demokrati të flaktë dhe të vendosur, të suksesshëm dhe efiçent në punën e tij.

Gëzim Demçolli ishte nga ata zyrtarë dhe intelektualë që fliste me shumë se me çdo gjë tjetër, me veprat e punën e tij.  Ai ishte një nga qeveritarët vendorë më të zotë të kësaj mazhorance,  por ishte dhe një nga kryetarët e degës së Partisë Demokratike ndër  më të shkëlqyerit dhe më efiçentët.

Për ta nderuar kujtimin e tij, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

I paharruar kujtimi i tij.

***

Zotërinj deputetë,

Jemi në prag të sezonit turistik. Të dhënat paraprake janë për një sezon të shkëlqyer, për një interes të madh botëror  në rritje,  për të kaluar pushimet dhe për të vizituar Shqipërinë. Çdo ditë, në mediat më serioze të fushës, ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes së pashembull, të pasurive të mëdha kulturore dhe historike që ofron Shqipëria. Gjithnjë e më shumë në epiqendër të mediave të interesuara për turizmin, vijnë brigjet mahnitëse shqiptare, ujërat e Jonit, rëra e Adriatikut. Por ky vit ka një specifikë, se janë me dhjetëra e dhjetëra shkrime kushtuar Beratit, qytetit të një mijë e një dritareve, qytetit të Kodikeve dhe kishave që i rrinë si bizhu, qytetit të kanioneve dhe shërbimeve të mrekullueshme.

Gjithnjë e më shumë po shkruhet për  Alpet dhe një fluks i paparë turistësh ka nisur të vërshojnë drejt tyre.  Alpet e Shqipërisë janë cilësuar nga mediat botërore si Himalajet e Europës dhe e vërteta është se Bjeshkët e Namuna, me të gjithë relievin e tyre, me akullnajat  shekullore të zbuluara kohët e fundit,  ofrojnë pamje unike midis të gjitha vargmaleve të Europës. Ka një interes të madh për t'i vizituar ato. Sikundër ka një interes të madh për malet e  Gramshit, të Librazhdit dhe të të gjithë Shqipërisë.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Qeveria ka shpallur datën 20 prill si ditën e Shqipërisë së pastër.  Unë ju bëj thirrje që të bëjmë gjithçka për suksesin e kësaj nisme, e cila, në radhë të parë, duhet t'i shërbejë vetëdijësimit tonë, mbi rëndësinë jetike të një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit.

Asgjë nuk nxin më shumë në këtë vend, i cili ka marrë një zhvillim të gjithanshëm, sesa prania  e plehrave  të shpërndara në mënyrë shumë të shëmtuar.  Ndaj do të kërkoja shumë nga ju, në bashkëpunim me qeveritë vendore, të marrim çdo masë që me 20 prill ta bëjmë Shqipërinë më të pastër se kurrë në historinë e saj. Të pastrojmë atë ditë, në çdo qoshe e në çdo skaj të saj. Të jetë kjo një ditë apeli dhe ndërgjegjeje të thellë, për një kthesë  shumë të rëndësishme!  Të bëjmë gjithçka së bashku të ndëshkojmë fuqishëm krimin ndaj mjedisit, sepse asgjë nuk kërcënon shëndetin e fëmijëve tanë, shëndetin tonë, por edhe imazhin  e këtij vendi, sa kjo shpërkujdesje  e pafalshme, në trajtimin e plehrave dhe të  mjedisit në këtë vend.

Unë kam besim të madh se me përpjekje serioze, ne do ta arrijmë të shënojmë një kthesë të madhe. Vendi  ka shënuar arritje të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë dhe unë ju garantoj se nuk ka nevojë për një kthesë më ta madhe sesa kjo, në këtë fushë. Ne po urbanizojmë vendin. Ne  po shtrijmë të njëjtën infrastrukturë të lagjeve të qyteteve edhe në fshatra. Është e domosdoshme që në qytete dhe në fshatra të adaptohet qëndrim i njëjtë ndaj mbetjeve të plehut. Kjo është jetike, për një nivel të ri tërësor të vendit.  Qeveria do të angazhojë  të gjitha institucionet dhe të gjitha mjetet, por angazhimi dhe mbështetja juaj është e pazëvendësueshme në zonat tuaja elektorale, në bashkëpunim me qeveritarët vendorë.  Të identifikojmë, hartojmë planin e veprimit dhe ajo ditë, të jetë një ditë  vendimtare, kthesë të madhe e qëndrimit tonë ndaj mjedisit.

***

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste  ka dorëzuar  një ligj, me të cilin kërkon shfuqizimin e ligjit numër 9509 datë 3.4.2006 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese  të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me iniciativë të kryetarit të grupit.

Duke shprehur respektin tim më të madh për nismën ligjvënëse të deputetëve të grupit të Partisë Socialiste, e cila dëshmon qëndrimin e tyre luajal ndaj parlamentit, më duhet gjithashtu të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme.  Kjo, për arsye se  vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut  tjetër të Adriatikut, do të ishte një damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën, për të cilën po diskutohej ta shpallin si gjiri më i bukur i Mesdheut.  Tani ta bëjmë "skafo-qytet", kjo nuk mund të ndodhë!  Do të ishte e papajtueshme për zotimet e Shqipërisë për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.  Kohërat e "skafo-Republikës" kanë marrë fund, ndaj më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet nga ne.

Mazhoranca është e vendosur të mbajë Moratoriumin. Unë e kuptoj që rëndom përdoret argumenti se kjo po na dëmton turizmin. Unë nuk dua t'i lidh skafet me turizmin, por po të jetë kështu, në periudhën e ndalimit të skafeve, turizmi u rrit 10 deri në 12 herë.  Ndaj të mos përdorim argumente që nuk  qëndrojnë.  Turizmi në periudhën e Moratoriumit të skafeve u rrit me 12 herë.  Nuk kemi më viktima në varrin gjigant që u bë Otranto për vite të tëra.  Fëmijë, gra, të rinj, burra, me qindra e qindra u mbytën. Duhet ta fshijmë nga memoria këtë problem të skafizmit. Vlora këtë vit po diskutohej me një juri, për t'u shpallur gjiri më i bukur i Mesdheut dhe ne nuk do ta nxijmë me skafe.  Vlora dhe bregu shqiptar njohën bumet turistike më të mëdha në Mesdhe, gjatë këtyre viteve që u mbyll skafizmi dhe industria e krimit dhe trafiqeve.

Ndaj më duhet të shprehem se kjo nismë nuk mund të miratohet, sepse zotimi ynë është një luftë me tolerancë zero ndaj  krimit të organizuar dhe një përpjekje e ndershme e përbashkët, së bashku me autoritetet  italiane, që të mos ndodhë eksport trafiku dhe kriminaliteti nga bregu shqiptar në bregun tjetër dhe kjo është detyra që kemi gjithnjë ndaj fqinjëve tanë.

Kështu që vendosa të bëj publik qëndrimin tim dhe të mazhorancës. Ky ligj do të mbetet në arkiva, si një ligj i papranueshëm. Natyrisht  do të ndjekë procedurën e vet, por ne nuk mund të kemi asnjë lloj çedimi përsa i përket kësaj çështjeje. Faleminderit ! ”


02/04/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›