E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, i ftuar të mbyllë bursën amerikane NASDAQ në Nju Jork

Nju Jork, 25 shtator, NOA - Kryeministri Berisha ishte i ftuar special në ceremoninë e mbylljes së bursës ditore të New York, NASDAQ, në Times Square.

Gjatë kësaj ceremonie që tashmë është kthyer në një ceremoni tradicionale dhe mjaft popullore për Nju Jork, kryeministri Berisha u prit nga zv/presidenti i NASDAQ, i cili e shoqëroi kryeministri Berisha në ambientet ku kjo ceremoni zhvillohet.

Gjatë ceremonisë u shfaqën pamje sugjestive nga vendet më të bukura dhe panoramike të Shqipërisë, si dhe një dokumentar i shkurtër mbi vendin tonë. I gjithë aktiviteti, ndërkohë që zhvillohej, transmetohej në kohë reale në NASDAQ Touer dhe shikohej nga qindra e qindra qytetarë, të cilët ndodheshin aty me këtë rast, si dhe me kërshërinë për tu njohur më nga afër me këtë vend kaq larg SHBA-ve.

Në mesin e tyre kishin ardhur edhe mjaft shqiptaro- amerikanë, të cilët prisnin me krenari të takonin kryeministrin e vendit të tyre të origjinës.

 Kulla Panoramike e NASDAQ është ekrani më i gjerë i botës. Në të transmetohen në kohë reale rezultatet e bursës amerikane, si dhe përshëndetjet e liderëve botërorë apo personaliteteve të tjera të shkencës, artit, botës së financës etj..

 Përshëndetja e Kryeministrit Berisha përmes stacionit televiziv të NASDAQ u transmetua në kohë reale në televizionet e profilizuara ekonomike më prestigjioze si CNBC, Bloomberg, FOX Business.

n.e/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›