E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e PS, Patozi: PD e gatshme për diskutim

Partia Demokratike kërkon bashkëpunimin e PS-së, por vetëm për ato kushte, që ajo i cilëson të ligjshme

TIRANË - Partia Demokratike shprehet e gatshme që të negocioje kushtet e Partisë Socialiste me qëllim hyrjen e saj në Kuvend, por vetëm nëse ato janë të bazuara në ligj. Ky është qëndrimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili në një prononcim për mediat, vetëm një ditë para diskutimit të buxhetit në Kuvend, i ka bërë thirrje opozitës për bashkëpunim.


"Është një nga rastet që konsiderohen të arta për opozitën, pasi një opozitë serioze mezi pret të vijë diskutimi për qeverinë dhe për buxhetin e shtetit për të shprehur të gjithë rezervat dhe kontestimet e saj për ekzekutivin dhe për mazhorancën në përgjithësi.


Për fat të keq, Partia Socialiste nuk po e shfrytëzon këtë shans. Ajo nuk do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit",- tha Patozi. Për pasojë, kryetari i grupit parlamentar i PD-së theksoi se ftesa drejtuar selisë rozë për rikthimin e saj në Kuvend është e sinqertë dhe serioze.


"Ne jemi plotësisht të gatshëm dhe të hapur për të shqyrtuar të gjitha pretendimet dhe kërkesat e tjera të Partisë Socialiste, me kushtin e vetëm, që ato të jenë në respekt dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit",- tha Patozi. Megjithatë, kryetari i grupit parlamentar të PD-së nuk është ndalur gjatë në këtë çështje, pra se cilat nga kushtet e PS-së, selia blu i konsideronte si të ligjshme.


Ndërkohë që baza e kushteve të vendosura nga PS-ja është pikërisht bërja e transparencës, ose thënë ndryshe, hapja e kutive të votimit, për të cilat, pak kohë më parë, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ishte jashtë kornizës ligjore, për sa kohë që për këtë çështje kishte vendosur gjykata. Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar i demokratëve e cilëson praninë e opozitës në Kuvend si të domosdoshme, me qellim zhvillimin e një debati normal politik.


"Ne duam që Partia Socialiste të zërë vendet e saj në Kuvend për të vijuar pa u ndalur reformat e mëdha integruese, për të cilat vendi ka nevojë jetike.


Por mbi të gjitha, ne duam që bashkë me opozitën të shqyrtojmë dhe trajtojmë me shumë seriozitet të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e raportit të OSBE-ODIHR-it. Kjo ka qenë një praktikë, që është aplikuar me shumë sukses në legjislaturën e kaluar, kur ne miratuam ndryshimet kushtetuese dhe Kodin Elektoral, që na çoi drejt zgjedhjeve të 28 qershorit",- tha Patozi.


Edhe nënkryetari i komisionit parlamentar të Integrimit Europian, Aldo Bumçi, vlerësoi kontributin thelbësor të opozitës në procesin e integrimit europian të vendit.


Për këtë arsye, ai përsëriti ftesën drejtuar opozitës, me qëllim pjesëmarrjen e kësaj të fundit në Komisionin e Integrimit.


"Ka ngjarje të rëndësishme që presim të ndodhin vitin tjetër si liberalizimi i vizave, ndërkohë që presim shumë shpejt një përgjigje të BE-së lidhur me aplikimin tonë për statusin e vendit kandidat.


Do të jetë puna e këtij komisioni që do të pasqyrojë këtë nivel të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në. Kontributi i opozitës është thelbësor dhe esencial. Shpresojmë që ata të vijnë e të bëhen pjesë e komisionit, pasi pa kontributin e opozitës, ecuria nuk do të jetë e njëjtë",- tha Bumçi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›