E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrja e Topallit: Opozita të kthehet në Kuvend

Kryetarja e Kuvendit përshëndet raportin e Këshillit të Europës dhe i bën thirrje opozitës të vijë në Kuvend


TIRANË - Mazhoranca nuk resht së kërkuari rikthimin e opozitës në Kuvend. Ka qenë Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, ajo që duke përshëndetur raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, ka theksuar se certifikimi që i kanë bërë ndërkombëtarët këtij procesi zgjedhor delegjitimon përfundimisht sjelljen bojkotuese të opozitës karshi institucioneve më të larta shtetërore, siç është Kuvendi.


Ndaj, ajo u ka bërë thirrje deputetëve socialistë që të heqin dorë nga bojkoti dhe t'i kthehen jetës parlamentare, për të bërë një opozitë të fortë, si nevojë e patjetërsueshme për një demokraci.


"Shfrytëzoj edhe një herë rastin për të ftuar opozitën që të vijë këtu, të kryejë detyrën e saj, të bëjë një opozitë të fortë, një opozitë konstruktive, natyrisht, edhe për të bashkëpunuar me mazhorancën për projektet e mëdha të integrimit të kësaj periudhe", - u shpreh Topalli në përfundim të seancës së djeshme plenare të Kuvendit.


Duke u ndalur tek raporti i Këshillit të Europës, Topalli e ka vlerësuar atë si realist dhe pozitiv për vendin tonë, që arriti të kryejë një proces elektoral të vlerësuar nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë.


"Më lejoni të shpreh konsideratën, vlerësimin pozitiv dhe të përshëndes raportin e Këshillit të Europës për zgjedhjet, një raport objektiv, realist, shumë pozitiv, i cili ndoshta edhe më shumë se raportet e mëparshme thekson se zgjedhjet ishin një progres i qenësishëm, se procedurat e regjistrimit, të identifikimit të zgjedhësve, të adaptimit të një kuadri juridik të përmirësuar shënonin një progres të rëndësishëm,"- tha Kryetarja Topalli, duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës që ishin në sallë.


Topalli ka marrë në analizë dhe disa nga çështjet më të rëndësishme të raportit të Këshillit të Europës, duke theksuar se rritja dhe përmirësimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte një tjetër pikë e rëndësishme e këtij raporti.


Duke cituar vlerësimin e Këshillit të Europës, ndër të tjera, Topalli u shpreh se raporti konstatonte se dita e votimit ishte e organizuar shumë mirë dhe se procedurat e votimit u vlerësuan mirë dhe shumë mirë në 93% të qendrave të votimit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›