Kryeministri Berisha i përgjigjet interesit të medias lidhur me ligjin e lustracionit

-Pas vizitës në ekspozitën “Besa”, Kryeministri Berisha i’u përgjigj interesit të medias;
Pyetje: Zoti Berisha si e shpjegoni faktin që ende nuk është ngritur Instituti i Memories në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Instituti i Memories po ngrihet, ligji ka shkuar në Parlament, do të studiohet dhe do të shqyrtohet. Ne kemi dërguar aty një ligj, i cili është i vonuar dhe jam plotësisht dakord me ju, meqënëse e shtroni në afat kohor, por problemi është se në këtë vend janë ende të pranishëm mendësitë e mbrojtjes së krimeve kundër njerëzimit dhe parimeve barbare të luftës së klasave.
Ky Institut do të ketë si një nga qëllimet më madhore, krijimin e një qëndrimi të drejtë dhe të ri që buron nga dokumente ndërkombëtare që i ka firmosur Shqipëria, siç është Konventa e Gjenevës për dënimin e krimeve kundër njerëzimit, por që buron edhe nga vendosmëria e shqiptarëve për të ecur së bashku në respekt të njëri tjetrit, në harmoni, në tolerancë, në mirëkuptim, në paqe sociale dhe këto kanë kusht sin equanon dënimin e krimeve të shëmtuara kundër njerëzimit.
Pyetje: Do të thotë se nuk do të ketë të njëjtin fat me ligjin e lustracionit, i cili besohet se nuk do të zbatohet?
Kryeministri Berisha: Të jeni të bindur ju, se për forcën politike që unë kryesoj ndarja e Shqipërisë nga krimet kundër njerëzimit, të kryera nga sistemi komunist, është një proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm, është një proces jetik, por që do të kryhet në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor. Por, ky është një proces i pandalshëm.
Shteti ligjor është një kusht i këtij vendi, por, gjithashtu, kusht jetik është edhe ndarja nga ai kapitull, të cilin nuk po hyj ta trajtoj, por që shqiptarët përjetuan kohërat më të rënda që nga inkuizicioni e deri më sot.
15/02/2009