E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Berati dhe komunat e tij në epiqendër të vëmendjes së qeverisë

Kryeministri Berisha në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon” mori pjesë sot në inaugurimin e disa veprave publike në rrethin e Beratit.
Fillimisht Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e rrugës së Ismailëve në Poshnje, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 10 milionë lekë.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse me këtë rast  Kryeministri theksoi se Poshnja dhe komunat e Beratit janë në epiqendër të vëmendjes së qeverisë. 
“Ky është një investim i vogël, por në mbarë vendin nëse i mbledhim të gjithë investimet e vogla bëhen në katër vjet 1 miliardë e 600 milionë dollarë. Kemi investuar për rrugët në Poshnje dhe po investojmë edhe për rrugën Poshnje-Ura e Fushës-Ura Vajgurore, po investojmë për ujësjellësin, po ndërtojmë shkollën tre katëshe me palestër dhe me të gjithë aksesorët e nevojshëm të saj”, u shpreh Kryeministri.
Në komunën e Poshjnes, në Cukalat, vijoi Kryeministri, investojmë një rrugë prej 80 milionë lekësh, në Urën Vajgurore shkollën me vlerë 50 milionë lekë, investojmë rrugën e Pashallisë 33 milionë lekë. “Pra është një zinxhir i gjatë investimesh, të cilat ju i meritoni plotësisht”, u tha Kryeministri banorëve të Poshnjes.

Kryeministri garantoi fermerët e Poshnjes dhe të të gjithë Shqipërisë se qeveria do të investojë në mënyrë të pandërprerë derisa ata të kenë infrastrukturë të njëjtë me atë të lagjeve të qytetit.  

Duke iu referuar situatës së rëndë të rrugëve në kryeqytet, Kryeministri theksoi se këtë rrugë me parametra bashkëkohore do ta kishin lakmi shumë rrugica të Tiranës. “Këtë e them me sinqeritet sepse në Tiranë mund të gjesh qindra km rrugë me gropa sikur je në Mesjetë dhe jo në kryeqytetin e vendit”, u shpreh Kryeministri.  

Gjithashtu Kryeministri theksoi se shumë shpejt në të gjitha zonat kodrinore të Beratit do të fillojë projekti i ullirit, pasi  ky rreth njihet si një nga vendet kryesore të kultivimit të këtij druri të mrekullueshëm. 

“Prefekti më thotë që edhe sistemi kullues është i shkëlqyer, por mbi të gjitha unë them se këtu të shkëlqyer janë njerëzit. Ju siguroj se do të keni mbështetjen e plotë për prodhimet tuaja për tregun e tyre”, nënvizoi Kryeministri Berisha. 


14/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›