Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nder të diplomatit Vladimir Prela, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë, në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, homazhe në nder të diplomatit Vladimir Prela, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shkup, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 59 vjeçare.
Kryeministri u shprehu ngushëllimet familjarëve të diplomatit, miqve dhe të afërmve të tij, duke vlerësuar lart figurën dhe kontributin e z. Vladimir Prela në diplomacinë shqiptare dhe në botën intelektuale të vendit.
“Është një zi e vërtetë për diplomacinë e Shqipërisë, e cila ka pasur tek Vladimir Prela një nga përfaqësuesit e saj më dinjitoz, një intelektual dhe zyrtar të ndershëm, të përkushtuar, të mençur, një diplomat që ka dhënë kontribut të veçantë për vendin dhe kombin në tërësi, një prind, familjar, një qytetar dhe mik të shkëlqyer. Duke i shprehu ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, bashkëshortes, fëmijëve, të gjithë diplomacisë shqiptare dhe miqve të tij të shumtë, të cilëve Vladimir Prela u ka lënë kujtimin më të mirë, lutem që të gjejë paqen që meriton”.
15/02/2009