E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të parë në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”

-Kryeministri u shpreh se "unë dua të garantoj universitetet private, se në rast se ata aktualisht përballen apo mbulojnë rreth 12 % të arsimit të lartë, do të bëjë çdo përpjekje që vitet që vinë, natyrisht nëse shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, që kjo përqindje të shkojë drejt barazisë dhe tejkalimit"

 Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të parë në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha vlerësoi se diplomimi i këtyre studentëve të parë me diploma të nivelit evropian, është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar. Duke e vlerësuar këtë si një zhvillim shumë të rëndësishme dhe pozitiv për arsimin në vend, Kryeministri u shpreh se është një ditë kuptim plotë edhe për faktin se kjo arritje u bë e mundur nga sektori privat i arsimit. “Sot, Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë” u jep diplomat e para evropiane, vajzave dhe djemve, që kanë përfunduar me sukses studimet në këtë universitet. Kjo përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme e më pozitive për arsimin shqiptar. Gjithashtu, kjo është një ditë kuptim plotë sepse kjo arritje u bë e mundur nga sektori privat i arsimit”, u shpreh Kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri e cilësoi këtë ngjarje si një zhvillim frymëzues për arsimin e lartë në Shqipëri. “Rektori i këtij universiteti z.Paolo Ruatti na njohu se gjatë këtyre viteve janë ftuar dhe kanë dhënë mësim mbi 450 profesorë, profesorë të asociuar dhe specialistë të shquar të universiteteve italiane. Jam i bindur se me të njëjtën dëshirë dhe me të njëjtën vendosmëri, profesorë nga universitete të Italisë, Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë do të dëshironin të vinin dhe në universitete të tjera private dhe publike të vendit. Unë jam i bindur që ky shembull do të frymëzojë universitetet publike dhe private të Shqipërisë për të ngritur në nivel evropian diplomimin e studentëve dhe studenteve të tyre”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha nënvizoi se për këtë qeveri arsimi ka përbërë dhe do të përbëjë përparësinë më madhore. “Sot në Shqipëri funksionojnë rreth 10 universitete publike dhe po kaq edhe private. Unë dua të garantoj universitetet private, se në rast se ata aktualisht përballen apo mbulojnë rreth 12 % të arsimit të lartë, do të bëjë çdo përpjekje që vitet që vinë, natyrisht nëse shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, që kjo përqindje të shkojë drejt barazisë dhe tejkalimit”, u shpreh Kryeministri.

Në përshëndetjen e Tij, Kryeministri Berisha i shprehu falënderime dhe mirënjohje Rektorit të Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, të gjithë pedagogëve vendas dhe të huaj, studentëve dhe familjarëve të tyre, që të gjithë së bashku bënë të mundur arritjen e këtij niveli dhe kësaj cilësie në këtë universitet.

Nga ana e tij, zëvendësrektori i këtij universiteti, z.Tritan Shehi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen, idetë dhe reformat e rëndësishme që po udhëheq në Shqipëri në fushën e arsimit, dijes, shkencës, të cilat që janë në themel të zhvillimit dhe integrimit të mëtejshëm të vendit.

Rektori i Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, z.Paolo Ruatti shprehu kënaqësinë që ky universitet ka mundësi t’u japë studentëve të tij diploma të të njëjtit nivel me ato të studentëve italianë. Ai falënderoi pegadogët e huaj që kanë dhënë mësim pranë këtij universiteti, e cila sipas tij përbën risi. Zoti Ruatti shprehu bindjen se me kriteret serioze që ofron Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë”, bën që të formohen specialistë të zotë në fushat respektive.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministrja e Shëndetësisë znj.Anila Godo, ministri i Arsimit z.Fatos Beja, përfaqësues të Trupit Diplomatik të Akredituar në Tiranë, etj.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;  

“Të nderuar studentë dhe studente që diplomoheni sot me diplomat e para evropiane. Kjo ceremoni dhe kjo ditë shënon një ngjarje shumë të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar. Sot, Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë” jep diplomat e para evropiane, vajzave dhe djemve, që kanë përfunduar me sukses studimet në këtë universitet. Kjo përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme e më pozitive për arsimin shqiptar. Gjithashtu, kjo është një ditë kuptim plotë sepse kjo arritje u bë e mundur nga sektori privat i arsimit. Ju sot merrni diplomat e para evropiane në Shqipëri, ndërkohë që dhjetëra dhe mijëra, vëllezër dhe motra tuajat, studiojnë në universitete e Italisë, Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendeve të tjera perëndimore për të marrë diploma evropiane, të vlefshme në hapësirën e Bashkimit Evropian. Këto rezultate, në radhë të parë janë bërë të mundura në sajë të përkushtimit të madh që ju, studente dhe studentë të këtij universiteti, keni dëshmuar gjatë këtyre viteve studime; në sajë të mbështetjes së madhe që ju kanë dhënë familjet tuaja dhe nga puna e palodhshme dhe e shkëlqyer që kanë bërë ekipet akademike të këtij universitetit, si dhe kolegët e tyre nga disa universitete italiane.

Ky është një zhvillim frymëzues për arsimin e lartë shqiptar. Rektori i këtij universiteti z.Paolo Ruatti na njohu se gjatë këtyre viteve janë ftuar dhe kanë dhënë mësim mbi 450 profesorë, profesorë të asociuar dhe specialistë të shquar të universiteteve italiane.

Jam i bindur se me të njëjtën dëshirë dhe me të njëjën vendosmëri, profesorë nga universitete të Italisë, Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë do të dëshironin të vinin dhe në universitete të tjera private dhe publike të vendit.

Dhe, është në frymën e shpirtit dhe akademizmit shpirti i hapur. Jetojmë në një kohë globale dhe asgjë më jetike dhe më e domosdoshme sesa përballja globale e problemeve tona nuk ka dhe nuk mund të ketë. Unë jam i bindur që ky shembull do të frymëzojë universitetet publike dhe private të Shqipërisë për të ngritur në nivel evropian diplomimin e studentëve dhe studenteve të tyre.

Për qeverinë time arsimi ka përbërë dhe do të përbëjë përparësinë më madhore. Ky shekull, ndoshta, më shumë se çdo gjë tjetër do të jetë shekulli i arsimit dhe arsimimit.

Ky shekull do të jetë reforma e thellë e këtij sistemi që do të luajë një rol përcaktues në formësimin e shoqërisë së shekullit XXI. Ndaj, edhe ne arritjet e deritanishme i konsiderojmë vetëm si hapat e para të rëndësishme.

Ne kemi dyfishuar numrin e studentëve dhe kemi 30 studentë për 1000 banorë. Por, krahasuar me vendet e zhvilluara të Evropës, vetëm 10 % e të punësuarve janë me arsim të lartë, ndërkohë që për vendet e zhvilluara kjo statistikë është mbi 20 %.

Pra, jemi në gjysmë të rrugës, por jemi në rrugë të mbarë sepse kemi përcaktuar drejt përparësinë tonë.

Sot në Shqipëri funksionojnë rreth 10 universitete publike dhe po kaq edhe private. Unë dua të garantoj universitetet private, se në rast se ata aktualisht përballen apo mbulojnë rreth 12 % të arsimit të lartë, do të bëjë çdo përpjekje që vitet që vinë, natyrisht nëse shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë, që kjo përqindje të shkojë drejt barazisë dhe tejkalimit.

Asgjë më të rëndësishme nuk ka për zhvillimin e arsimit, sesa mbështetja nga sektori provat. Asnjë mekanizëm më të sigurt për mobilizimin të gjitha resurseve, së pari financiare, por edhe resurseve të tjera, nuk është më eficent sesa angazhimi i sektorit privat në arsimin privat dhe nivele të tjera të arsimit.

Po studiojmë dhe do të studiojmë me vëmendje praktikat më të mira dhe lehtësirat më të mëdha, në mënyrë që pjesëmarrja e sektorit privat në shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptare të rritet me shpejtësi të madhe.

Unë duhet të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për ju, Zoti Rektor Ruatti dhe për të gjithë pedagogët dhe profesorët e universiteteve italiane që bënë të mundur arritjen e këtij niveli dhe kësaj cilësie në këtë universitet. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë sponsorizuar veprimtaritë e këtij universiteti. Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë pedagogët shqiptar në këtë universitet, zoti Tritan Shehu që me një përkushtim të madh ka punuar dhe punon për këtë universitet.

Falënderoj studentët dhe studentet që diplomohen sot, dhe t’i uroj për suksesin e shkëlqyer  që kanë arritur, të marrin të parët në Shqipëri diplomat e nivelit Evropian.”


13/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›