Njoftim për shtyp i Zëdhënëses së Kryeministrit, Juela Meçani
Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Barak Obama, me rastin e aksidentit të rëndë ajror të ndodhur në Buffalo, SHBA. Në këtë mesazh Kryeministri Berisha i drejtohet Presidentit të SHBA, Barak Obama duke i shprehur ngushëllimet e tij dhe të qeverisë shqiptare me fjalët:
“I nderuar z. President Obama,
Me keqardhje të thellë mësuam për aksidentin tragjik të rrëzimit të avionit të linjës së pasagjerëve në Clarence Center, të Buffalo, si pasojë e të cilit humbën jetën pesëdhjetë qytetarë të vendit tuaj.
Më lejoni që në këtë moment dhimbjeje të ndaj me Ju hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore dhe t’Ju shpreh, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, por dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit human, për këtë humbje të madhe për familjet e viktimave dhe për qeverinë e kombin tuaj.
Në këtë moment të vështirë, të gjithë shqiptarët ndajnë me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin mik amerikan dhimbjen për këtë humbje të rëndë dhe luten që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e amshuar.
Shfrytëzoj rastin t’Ju ripohoj, i nderuar Zoti President, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.”
Juaji
Sali BERISHA
15/02/2009
15/02/2009