E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton panairin “Blej shqip”

Kryeministri Berisha, i shoqëruar  nga bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha, vizitoi sot në mesditë panairin “Blej shqip”, të organizuar nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të veprimtarive për ditën e 28 Nëntorit.

Kryeministri Berisha vizitoi stendat e shumta të panairit dhe, së bashku me bashkëshorten e tij, blenë produkte të ndryshme vendase, si ushqimore ashtu edhe artizanale. “Bli shqip”, - theksoi Kryeministri Berisha -, është blerja me e mirë e botës, pasi nuk ka prodhime më të shijshme se prodhimet e kësaj toke”. Ai nënvizoi se përpiqej që në tryezën e familjes së tij të mos ketë gjëra të importuara.

Kryeministri Berisha vlerësoi se ky panair ekspozonte në mënyrën më të shkëlqyer pasuritë e mëdha shpirtërore të shqiptarëve, por edhe prodhimet më të shijshme të kësaj toke.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi këtë nismë të Bashkisë së Tiranës për të promovuar produktet shqiptare, por e përgëzoi atë edhe për gjithë organizimet e tjera për festën e 28 nëntorit.

Në këtë panair ishin ekspozuar produkte shqiptare në fushën e gastronomisë, por edhe në prodhime artizanale popullore dhe krijime artistike si; qëndisma, qilima, statueta, punime alabastër, punime filigrani, etj.

Në një prononcim për mediat, pas vizitës së stendave të panairit, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ishte një nga panairet më të mirë që kam vizituar, ku prodhuesit shqiptar kishin paraqitur të gjitha delikatesat e tyre në fushën e gastronomisë, kishin paraqitur krijimet më të bukura popullore artistike, qëndismat, qilimat, statuetat, punimet alabastër, djathi i Kelmendit, në versione holandeze, por i një shijeje si ai, prodhime të tjera artizanale, filigrani ndër më të bukurit.

Ky ishte një panair që ekspozonte në mënyrën më të shkëlqyer pasuritë e mëdha shpirtërore të shqiptarëve, por edhe prodhimet më të shijshme të kësaj toke.

Dua të përgëzoj Bashkinë e Tiranës, që me këtë organizim dhe me organizimet e tjera, i ka dhënë 28 nëntorit nderimin që meriton kjo festë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Edhe njëherë, shfrytëzoj rastin t’ju uroj shqiptarëve gëzuar ditën e Flamurit dhe të Çlirimit. Këtë vit e festuam, pasi rreth 4 milionë shqiptarë kanë hyrë e kanë dalë nga Shqipëria me pasaportë biometrike dhe kjo është një  arritje epokale. Është viti i parë në të cilin qytetarët shqiptarë lëvizën me të njëjtën lehtësi në hapësirën e Shengenit, si dhe kryeministri e presidenti i tyre. Le të urojmë dhe të shpresojmë që 100 vjetorin ta festojmë edhe më mirë, edhe më  të mëkëmbur  dhe më afër aspiratave dhe idealeve tona kombëtare”. 


28/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›