Kryeministri Berisha i pranishëm në inaugurimin e projektit PAP-2, i cili ofron internet falas në të gjitha universitetet dhe shkollat e vendit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimi i projektit të PAP-2 (Pikat e Aksesit Publik), i cili ofron internet falas në të gjitha universitetet e shkollat e vendit. Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të këtij projekti, ishin drejtori i Postës Shqiptare Arqile Gorea, rektorë universitetesh dhe drejtues institucionesh që përfitojnë nga ky shërbim etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha shprehur vlerësimin e tij më të madh për inaugurimin e këtij projekti duke theksuar se, ky sukses nuk vjen rastësisht, por vjen si një kurorë e një seri projektesh të shkëlqyera, që Posta Shqiptare ka aplikuar dhe zbatuar gjatë këtyre viteve.
Duke vlerësuar si një hap të suksesshëm krijimin e “autostradës dixhitale” me Kosovën, kryeministri Berisha u shpreh se, realizimi i këtij projekti bëri të mundur realizmin e një projekti të madh siç është shpërndarja e internetit falas në të katër anët e vendit, në të paktën 1250 pika.
Kryeministri Berisha u shpreh se, “me këtë projekt, Shqipëria duket se do të jete i vetmi vend në botë, që furnizon internet falas kudo në territorin e saj. Mendoj se ky është një vendim shumë i drejtë. Njerëzit jetojnë në botën reale, jetojnë në botën virtuale, e kanë jetike sot botën virtuale, lundrimin, navigimin në këtë botë, para së gjithash dhe mbi të gjithë, qëmtimin e të vërtetave që ju interesojnë nëpërmjet saj. E drejta për komunikimin është e drejta për të vërtetën.”
Gjithashtu kryeministri theksoi faktin se, sot, fluksi i internetit është së paku 130 herë më i madh sesa ç’ ishte në vitin 2005, nga 34 Mega bit , sot është rreth 45 Giga bit për sekondë dhe kapacitet janë për 130 Giga bit.
“Natyrisht, - theksoi kryeministri, - kjo është një fushë me një zhvillim shumë të shpejtë. Në këtë fushë në rast se do ta ndjekësh duhet të vraposh, përndryshe mbete jashtë kohe”.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar të pranishëm
Rektorë, drejtues të institucioneve të vendit
Së pari unë, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht për kohën rekord, në të cilën ju realizuar një projekt ndoshta unik në botë, shpërndarjen falas të internetit në tërë territorin e vendit. Në përputhje me një politikë të caktuar të qeverisë shqiptare, politikë që synon realizmin, sjelljen e Shqipërisë në moshën dixhitale, si një nga rrugët më kryesore, për tu shkëputur nga një prapambetje e madhe e trashëguar.
Ne shqiptarët jemi një komb shumë kohë humbur dhe kjo ka lidhje me të shkuarën tonë, por edhe trashëgimia, infrastruktura jonë ishte e tillë, më së shumti rrëmbente, shpërdoronte kohën tonë. Në këtë kontekst, 6-7 vite më parë qeveria përcaktoi dy drejtime themelore për transformimin e vendit, infrastrukturën dixhitale, infrastrukturën rrugore. Infrastrukturën rrugore, ujësjellësat, kanalizimet dhe infrastrukturën virtuale, që të dyja më shumë se çdo gjë tjetër janë të lidhura me kohën e qytetarit me kohën e individit.
Me të dyja është bërë një progres i jashtëzakonshëm, gjatë dy viteve të ardhshme Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më modern, më të ri, nga i cili qytetari shqiptarë nga çdo qoshe e tyre do të mund të kapë kryeqytetin e tyre duke shpenzuar jo më pak se 1/3 e kohës dhe duke kursyer 2/3 e kohës që shpenzonim më parë. Progresi është shumë më i madh në infrastrukturën virtuale. Në rast se kthehemi në vitin 2005, fluksi i internetit në këtë vend ka qenë i mezi dukshëm, ka qenë më pikatore, ka qenë i atillë, që nuk ia vlen të citohet. Ka qenë 300 MB për të gjithë vendin. Përpjekjet e mëdha në këtë drejtim kanë dhënë rezultatet e veta.
Pak muaj më parë Posta Shqiptare, firmosi me një kompani të Kosovës, marrëveshjen e ndërtimit të “autostradës dixhitale”, autostradë, e cila lejon një fluks interneti, qindra e qindra herë më të madh se ai që ekzistonte. Sot, fluksi i internetit është së paku 130 herë më i madh sesa ishte në vitin 2005. Nga 34 Mega bit , sot është rreth 45 Giga bit dhe kapacitet janë për 130 Giga bit për sekond.
Natyrisht, kjo është një fushë me një zhvillim shumë të shpejtë. Në këtë fushë në rast se do ta ndjekësh duhet të vraposh, përndryshe mbete jashtë kohe. Një kontribut thelbësor këtu ka dhënë ndërmarrja publike e OST, e cila ofroi fibrën optike të rrjetit të saj, për “autostradën dixhitale”, por pa kurajon, vendosmërinë e Postës Shqiptare, kjo autostradë nuk do të mund të realizohej.
Realizimi i autostradës bëri të mundur një projekt tjetër të madh, projektin e internetit falas në të katër anët e vendit. Në 1250 pika. Me këtë projekt, Shqipëria duket se do të jete i vetmi vend në botë, që furnizon internet falas kudo në territorin e saj. Mendoj se ky është një vendim shumë i drejtë. Njerëzit jetojnë në botën reale, jetojnë në botën virtuale, e kanë jetike sot botën virtuale, lundrimin, navigimin në këtë botë, para së gjithash dhe mbi të gjithë, qëmtimin e të vërtetave që ju interesojnë nëpërmjet saj. E drejta për komunikimin është e drejta për të vërtetën.
Ndaj dhe shpreh vlerësimin tim më të madh, për inaugurimin sot të këtij projekti, i cili nuk vjen rastësisht. Jo. Vjen si një kurorë e një seri projektesh të shkëlqyera, që Posta Shqiptare ka aplikuar, zbatuar gjatë këtyre viteve. Sot postieri elektronik shqiptar është postieri më modern që mund të ekzistojë në vend. Ai ofron shërbimet më moderne, më të sigurta më transparente qytetarit shqiptarë. Unë zoti drejtor ju përshëndes ju, për rishqyrtimin e mundësitë, të ridimensionimit të furnizimit të universiteteve të vendit me pika më të shumta. Pirro, unë e kuptoj se, ndonjë rregull edhe mund të jetë shkelur në këtë mes me furnizimin falas, por çdo qeveri është e detyruar të ndërmarrë masa të veçanta kur do, që një sektor të harruar ta përparësojë dhe kjo është arsyeja, që ne vendosëm ta furnizojmë falas internetin, sikundër Posta Shqiptare është e gatshme t’u ofrojë internet, kompanive që duan të blejnë prej saj, me çmimet më të leverdishme që kanë inportuar ndonjëherë.
Natyrisht kjo nënkupton një fitim të arsyeshëm dhe shtrimi i internetit në 1250 pika, por ne ftojmë sektorin privat të angazhohet në miljen e fundit, në interesin e tij më të mirë dhe në të katër anët e vendit , ne i ofrojmë atij miljen e fundit të internetit për të gjitha destinacionet dhe i ofrojmë atij me çmimin më të leverdishëm. Ajo që është e rëndësishme për ne, është e rëndësishme që Shqipëria të ketë një botë dixhitale lehtësisht të përballueshme nga popullata e saj dhe të përfitojnë nga të gjitha shërbimet e Shqipërisë dixhitale. Në përpjekjen tonë, në ndonjë fushë të caktuar ne u bëmë pionierë. Shqipëria u bë vendi i parë në botë me prokurimet publike , por gjatë këtij viti një seri shërbimesh janë bërë dhe po bëhen çdo ditë dhe më shumë dixhitale.
Zotërinj rektorë
Për vendin ka një rëndësi kapitale inkurajimi nga ana juaj e inovacionit në departamentet, fakultetet e kësaj dege, e kësaj shkence dhe e shkencave të lidhura me to. 2-3 ditë më parë unë vizitova PROTIK-un , ishte një kënaqësi e veçantë, gjeta student, gjeta nxënës nga mosha 10 vjeçare deri në 15-16 vjeç, punonin për programe të një dobie shumë të madh.
Ne, i kemi të gjitha potencialet, të gjitha mundësitë të shndërrohemi në një superfuqi rajonale në Soft dhe Hi Tech. Kjo kërkon që universitetet, shkollat e larta të bëhen promotor të kësaj nisme dhe ato kanë të gjitha mundësitë. Sikundër ju garantoj se qeveria sëbashku me ju është e gatshme të bëjë një planë të veçantë, për të nxitur inovacionin dhe kërkimin shkencor në këtë fushë. Është në interesin tonë më të mirë, është në interesin e emrit më të mirë të Shqipërisë, që ne ta bëjmë vendin tonë një superfuqi rajonale në këtë fushë.
Edhe njëherë ju falenderoj shumë zoti drejtor për këtë projekt, që lundron midis utopisë dhe realitetit, por një utopi shumë e dobishme.
Faleminderit. “
21/02/2013