Kryeministri Berisha: Buxheti i mandatit 2014-2016, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomik e social të vendit
- Qeveria zotohet për një politikë e cila do të garantojë stabilitetin makroekonomik të vendit
- Qeveria zotohet që të vazhdojë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe pensioneve për sa kohë do ta votojnë qytetarët shqiptarë
- Qeveria zotohet të kompletojë të gjithë infrastrukturën rrugore të vendit dhe të ndërmarrë projektet më të mëdha dhe ambicioze për një vaditje ultramoderne në të katër anët e Shqipërisë
Kryeministri Berisha parashtroi sot disa nga zotimet e qeverisë për mandatin e ardhshëm 2014-2016. Kryeministri premtoi se qeveria do të konsolidojë më tej suksesin e reformave të realizuara me një politikë në shërbim të qytetarit dhe të zhvillimit të vendit në çdo fushë dhe në çdo aspekt.
Duke folur mbi vendimin “Për miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2014-2016”, Kryeministri theksoi se: “Në mandatin e ardhshëm qeveria zotohet për një politikë e cila do të garantojë stabilitetin makroekonomik të vendit. Zotohet që të mbajë në kontroll të plotë borxhin. Zotohet që të vazhdojë me vendosmëri rritjen e rrogave dhe pensioneve për sa kohë do ta votojnë qytetarët shqiptarë. Zotohet se do të kompletojë të gjithë infrastrukturën rrugore të vendit dhe do të ndërmarrë projektet më të mëdha dhe ambicioze për një vaditje ultramoderne në të katër anët e Shqipërisë. Do të investojë bindshëm në sistemin e arsimit, me një përparësi të madhe edhe kujdesin shëndetësor e cilësinë e tij. Do të bëjë gjithçka për një zhvillim të mjedisit dhe sot ka zhvillime shumë të rëndësishme për mjedisin, zhvillimin dhe mbrojtjen e tij. Do të mbështesë fuqishëm institucionet e pavarura në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe konsolidimin e shtetit ligjor. Do të mbështesë në të gjitha aspektet fermën dhe fermerët shqiptarë. Do të konsolidojë klimën më miqësore ndaj biznesit. Këto janë dhe parametrat kryesorë të buxhetit të mandatit që vjen 2014-2016. 2017 është larg sepse do ti kalojë mandatit tjetër.”
20/02/2013