E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton dy vendime të rëndësishme për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit

-          Lagunat do të kenë një status të veçantë, d.m.th. do të merren në mbrojtjen më të madhe, duke lejuar shfrytëzimin e tyre në mënyrë racionale dhe shmangur përdorimin  jashtë kritereve, strikte dhe rigoroze që do të caktojë ministria e mjedisit

-          Mbrojtja dhe zhvillimi i zonës së gjelbër të kryeqytetit, me rëndësi jetike për qytetarët e Tiranës

Qeveria miratoi sot, dy vendime të rëndësishme, të cilat lidhen me mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit, vendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për shpalljen e kompleksit ligatinor të Butrintit “Park Kombëtar”, si dhe vendimin “Për caktimin e zonave të brezit të gjelbër të qytetit të Tiranës dhe të rrethinave të tij”.

Duke përgëzuar Ministrinë  Mjedisit për vendimet e propozuara, Kryeministri kërkoi që lidhur me vendimin e parë, një status i njëjtë tu adaptohet lagunave në të gjithë territorin e  vendit, pasi ato janë jo vetëm komplekse natyrore jashtëzakonisht të bukura, por edhe me një vlerë të madhe mjedisore dhe ekonomike.

Ndërsa lidhur me përcaktimin e zonës së gjelbër të Tiranës, kryeministri tha se është e një rëndësie jetike mbrojtja e zonës së gjelbër të kryeqytetit, e cila shquhet për një bukuri të veçantë natyrore. Kryeministri tha se veçanërisht, ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë mjedisorët, të cilët bëjnë një punë të çmuar, duke qenë janë avokatë të mbrojtjes së mjedisit në këtë vend, ku tradita për mbrojtjen ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar.

Më gjerësisht për vendimet në fjalë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Zotërinj, sot ka një vendim të rëndësishëm për mjedisin pasi shpallja e kompleksit ligatinor të Butrintit, Park Kombëtar, unë e përgëzoj ministrinë dhe i kërkoj ministrit të mjedisit që status të njëjtë tu adaptojmë lagunave në të gjithë territorin e vendit. Lagunat janë komplekse natyrore jashtëzakonisht të dobishme, të bukura, por edhe me vlerë të madhe mjedisore, ekonomike, por lagunat janë komplekse delikate që dora e njeriut mund ti shpërbëjë dhe dëmtojë ato në mënyrë të pariparueshme.

Zoti ministër, Lagunat do të keni një status të veçantë, d.m.th. do të merren në mbrojtjen më të madhe, natyrisht duke lejuar shfrytëzimin e tyre në mënyrë racionale, por askush nuk mund të ketë të drejtë të përdorë lagunën jashtë kritereve, strikte dhe rigoroze që do të caktojë ministria e mjedisit. Ne jemi vend me breg të gjatë, jemi vend me laguna dhe ato janë pasuri e madhe për vendin. Duke ju përgëzuar për Butrintin, ju inkurajoj që kjo të shtrihet në të gjitha lagunat e vendit.

* * *

Një zhvillim tjetër të rëndësishëm konsideroj, Ministria e Mjedisit ka propozuar caktimin e zonave të brezit të gjelbër, qytetit të Tiranës dhe rrethinave të tij. Tirana ka një kurorë mahnitëse të gjelbër. Në qoftë se vështron rreth e rrotull saj ka vetëm gjelbërim. Në qoftë se vështron kodrat, të cilat kanë frymëzuar Eduard Lir, me atë valëzimin tyre  mahnitës, të veshura me bimësi. Ka malet, po kështu të gjelbëruara, Dajtin, një nga malet më të gjelbëruara të vendit, që edhe në majë të shkoni ju, do të gjeni lisa dhe pisha. Nuk e di a keni shkuar ju apo jo, por unë ngjitem aty. Ka malin e Kërrabës, edhe ky i gjelbëruar. Pra është e rrethuar nga male shumë të bukura, ndaj dhe ministria ka vepruar shumë drejt që do të mbrojë zonën e gjelbër të kryeqytetit në mënyrë të veçante. Dhe ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë mjedisorët që bëjnë një punë të çmuar, janë avokatë të mbrojtjes së mjedisit në këtë vend, ku tradita për mbrojtjen ka qenë jashtëzakonisht e dëmtuar.


20/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›