Kryeministri Berisha i shpreh mirënjohje NATO-s për ndërhyrjen ushtarake 11 vjet më parë, për çlirimin e Kosovës

Deklarata e plotë për shtyp e kryeministrit Sali Berisha: Jam sot këtu në përvjetorin e një date historike për lirinë e kombit shqiptar, për lirinë e Kosovës. 11 vjet më parë forcat tokësore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas një fushate rreth 3 mujore të sulmeve ajrore, hynë në territorin e Kosovës dhe e çliruan atë nga një regjim barbar, çnjerëzor, një regjim i cili shkatërroi mbi 20 mijë jetë njerëzore, rrafshoi mbi 130 mijë banesa, shkolla, spitale, kopshte, një regjim që në javët e fundit të jetës së tij adaptoi politikën e tokës së djegur. Me sulmin ajror dhe tokësor Aleanca e Atlantikut të Veriut fitoi një dimension të ri në historinë e saj, dimensionin e mbrojtje së lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Kosovë, por edhe në tërësi. Ndaj, edhe unë sot dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë ndaj ushtrive të vendeve anëtarëve të NATO-s, qeverive të këtyre vendeve në tërësi, ish presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Klinton, që udhëhoqi Aleancën në një betejë vendimtare për lirinë e shqiptarëve, për paqen dhe sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Evropë. çlirimi i Kosovës erdhi si rezultat i një lufte, legjende të vërtetë të trimërisë, vetëmohimit, sakrificës së qytetarëve të Kosovës, të cilët në një beteje shumë të pabarabartë u angazhuan për liri dhe dinjitet, ia dolën të pushtojnë mendjen dhe zemrën e kombeve të qytetëruar, ia dolën me qëndresën e tyre, me sakrificën e tyre, me vetëmohimin e tyre, të sigurojnë mbështetjen e aleancës më të madhe të lirisë në të gjitha kohërat, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Sot, pas 11 vjetësh çdo qytetar i vendeve anëtare të NATO-s, qeveritë e këtyre vendeve, ushtritë e tyre të shkëlqyera, ndihen krenar pasi Kosova nga vendi më i rrezikshëm dhe më i pasigurt në Evropë, falë kësaj ndërhyrje, falë pranisë së KFOR-it, përkushtimit të madh të autoriteteve të Kosovës dhe qytetarëve të saj, është shndërruar në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë, në një vend që prodhon paqe, stabilitet, bashkëpunim. Ndaj edhe një herë le tu shprehim ne mirënjohjen më të thellë dhe urimet më të përzemërta qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, udhëheqjes politike dhe ushtarake të kësaj aleance dhe të shprehim, gjithashtu, kënaqësinë tonë të madhe se kjo datë e shënuar në historinë kombëtare e gjen Shqipërinë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Korçë, Berisha: Opozita shpif çdo ditë, për të errësuar rrugën evropiane të Shqipërisë
Kryeminsitri Sali Berisha është shprehur përsëri sot nga qyteti i Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e plotë të shkollës së mesme profesionale “Fan Noli”, me vlerë 29 milionë lekë të reja, se kultura e bllokut e ardhur në krye të PS-së përmes byrosë politike të bllokut të vjetër, është kthyer në një makth për vendin dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Kryeministri tha se nga mëngjesi deri në darkë ata shpifin dhe mashtrojnë, për të errësuar rrugën evropiane të Shqipërisë. “Sot në Shqipëri po përhapet si një makth antikultura e bllokut, me ardhjen në krye të PS të pinjollëve të Byrosë politike dhe të bllokut të vjetër. Në Shqipëri nga mëngjesi deri në darkë bëhet çdo gjë që të shkelmohet nga këta shokë apo zotërinj mbi interesat tuaja jetike. çdo minutë, çdo orë, çdo ditë shpifin dhe mashtrojnë vetëm e vetëm që të errësojnë rrugën tonë evropiane. Këta shokë apo zotërinj, në momentin më kulmor kur do të vendosej për të hapur negociatat për statusin e kandidatit qëndruan jashtë parlamentit vetëm e vetëm që vendimi të mos merrej. Këta shokë apo zotërinj, në momentin më kyç, kur do të vendosej për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët ngritën çadrat në Bulevardin kryesor të kombit dhe organizuarn të ashtëquajturën grevë urie, vetëm e vetëm që Evropa të mos Evropa të mos vendoste për heqjen e vizave për ju dhe fëmijët tuaj. Ata bëjnë çdo përpjekje dhe lëshojnë çdo thirrje që të bllokojnë këtë proces. Por unë jam sot këtu për tu zotuar para jush se asgjë rrugën tonë drejt Evropës nuk do mund ta ndale. Edi Rama le të kalojë nga kutia në bunker dhe nga bunkeri në kuti, sa herë të dojë. Shqipëria është vend ilirë. Le ti ngrehin e ti shkrehin çadrat sa herë të duan. Asgjë nuk do të na pengojë ne në rrugën tonë drejt Evropës. Kjo është një rrugë e mundimshme, është një rrugë dinjiteti. Kjo është një rrugë me djersë, një rrugë e sigurt drejt suksesit”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë vlerësoi se më 28 qershor Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të bukura, më të ndershme, më të qytetëruara në histori, zgjedhje të cilat bënë të mundur që 27 ministrat e qeverive të vendeve anëtare të BE të votojnë për Shqipërinë, për të hapur negociatat për statusin e kandidatit. “Këto zgjedhje bënë të mundur dorëzimin e pyetësorit për statusin e kandidatit. Këto zgjedhje bënë të mundur që KE të propozojë heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. Pra siç e shihni këto 5 vite ne kemi ndërtuar më shumë se në tërë jetën tonë idealet tona evropiane, idealet tona euroatlantike”- deklaroi më tej, Berisha.
...