Agjenda e Parlamentit, agjendë e integrimit europian. Mbi ligjin dhe shtetin e së drejtës nuk qëndron askush, as opozita

Fjala e kryetares së Kuvendit në Konferencën e niveilt të lartë të kryetarëve të parlamenteve të KiE-s
“Agjenda e Parlamentit është agjenda e integrimit europian”, tha sot Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në Konferencën e nivelit të lartë të Kryetarëve të parlamenteve të KiE-së, që po zhvillohet në Qipro, nën kujdesin e vetë Presidentit të PACE, Cavusoglu.
Mes krerëve të parlamenteve europiane në sesionin me temë “Roli dhe përgjegjësitë e opozitës në parlament”, Kryetarja e Kuvendit tha: "Jam e nderuar dhe e privilegjuar që marr pjesë për herë të dytë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të KiE. Dua të përgëzoj zotin Garoyian dhe Presidentin e PACE-s për pritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer të kësaj konference. Shqipëria është anëtare e KiE prej 15 vitesh. Ky institucion ka qenë një mbështetje për vendin tim gjatë viteve të tranzicionit. Unë dua të shpreh mirënjohjen për punën dhe mbështetjen që PACE vazhdon të japë për vendin tim.
Shqipëria, vendi nga unë vij, në 20 vitet e fundit ka bërë transformime të jashtëzakonshme. Ajo është anëtare e NATO-s; ajo ka bërë kërkesë për statusin e vendit kandidat në BE dhe pak ditë më parë ne kemi dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të sjella nga Komisioni Europian. Më 27 Maj, komisionerja Malmstrom mori vendimin për t’i propozuar Këshillit dhe PE-së heqjen e vizave për shqiptarët. Dhe kjo u ratifikua me 2 qershor në Ministerialin e Sarajevës. Për të gjitha këto është bërë punë e madhe. Parlamenti, komisionet parlamentare kanë punuar e votuar një numër të madh ligjesh të reformave të thella. Axhenda e Parlamentit është axhenda e integrimit europian. Kjo do të thotë reforma në çdo fushë; kjo kërkon guxim por edhe vendosmëri, sepse reformat nuk janë garë pa pengesa. Në këto sfida Parlamenti është kthyer në institucion lider.
Më 28 qershor 2009 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Për këto zgjedhje, Kuvendi u angazhua për të dhënë kontributin e vet për një proçes të lirë dhe të ndershëm. Kuvendi pranoi çdo propozim të opozitës për sistemin elektoral dhe bëri gjithçka për t’i dhënë siguri të plote opozitës. Kodi elektoral u votua në Kuvend si një ligj plotësisht konsensual, me të drejtën e vetos për çdo komisioner, çdo observues. Këto zgjedhje rezultuan unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën me një teknologji totalisht të re, lista votuesish dixhitale, pasaporta biometrike dixhitale e karta identiteti. Veç kësaj, çdo votë fotografohej, filmohej dhe transmetohej online duke bërë një transparencë unike ne proçesin e numërimit të votave.
Ky proces u vëzhgua nga 518 vëzhgues të huaj. Raporti i OSCE/ODIHR vlerësoi këto zgjedhje si zgjedhje që plotësuan shumicën e standarteve të ODIHR-it, dhe ku nuk pati asnjë provë për manipulim. Kjo bëri që vetëm pas pak muajsh Këshilli Europian pranoi kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat dhe iu drejtua Komisionit për opinion.
Por, opozita megjithëse tha se pranonte rezultatin, bojkotoi Parlamentin. Unë dua të falenderoj Komitetin presidencial të PACE-s të kryesuar nga Presidenti Cavusoglu për angazhimin e tyre në kapërcimin e këtij absurdi. Dua të përsëris edhe këtu mbështetjen ndaj dokumentit të PACE-s për Shqipërinë.
Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor aspiron të bëhet anëtare e BE-së sa më shpejt. Kjo aspiratë e shpirtit dhe kjo axhendë e mendjes kanë bërë që Shqipëria të transformohet në mënyrë dinamike në një kohë shumë të shkurtër. Edhe në kohën e krizës së madhe globale financiare, Shqipëria vazhdon të ketë rritje ekonomike pozitive me 3.5 për qind, rritje të eksporteve, rritje të investimeve, rritje të rrogave, inflacion 2%, borxh dhe deficit nën kontroll. Në vendin tim ka një vullnet të hekurt për të vazhduar me agjendën e reformave. Në Parlament, 2 vite më parë, kemi arritur marrëveshje të mëdha për ndryshime kushtetuese apo për reforma elektorale midis partisë në pushtet dhe opozitës.
Por, ka raste kur persona politikë bëjnë luftë të paprinciptë, apo përpjekje për t’iu kundërvënë ligjit, kushtetutshmërisë për interesa egoiste personale. Pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, akti i partisë që votuesit e kanë çuar në opozitë është të pranojë dhe të nderojë verdiktin e popullit dhe jo të bojkotojë. Roli i opozitës është i shenjtë. Ky rol duhet të jetë objektiv, konstruktiv dhe për cështje kombëtare bashkues. Detyra e opozitës nuk është të propozojë asgjë dhe të kundërshtojë çdo gjë. E aq më pak të përdorë mekanizma penguese, bllokues. Ajo duhet të guxojë, të sfidojë interesa të ngushta partiake, e jo të kthehet në funksion të interesave individuale të një personi. Sjellja dhe roli i opozitës përben një element thelbësor për matjen e cilësisë së demokracisë. Nëse ajo merr rolin e prishësit, ajo dëmton drejtpërdrejt vendin në zhvillim. Kur partitë e opozitës, përdorin mjete ekstra parlamentare, forma të ashpra e të gjata bojkoti, apo mjete të tjera që nuk i takojnë një force politike, kjo formë e të bërit opozitë është mohimi i dialogut, i konsensusit, dhe mohim i vetë qenies opozitë parlamentare.
Kryetarët e Parlamenteve kanë një mision e përgjegjësi shumë të rëndësishme. Padyshim nuk është rol i lehtë. Kolegët, Kryetarë Parlamentesh të pranishëm në këtë sallë e dinë më mirë se kushdo tjetër me sa sfida duhet të përballemi. Detyra jonë është të respektojmë opozitën, hapësirat, rolin dhe çdo kërkesë të ligjshme të saj. Por, në të njëjtën kohë të jemi garant të respektimint të ligjit, të Kushtetutës e shtetit ligjor. Mbi ligjin, e shtetin e së drejtës nuk qëndron askush, as opozita. Kur një forcë politike zgjidhet përmes zgjedhjesh demokratike, opozita duhet të përfaqësojë kritikën konstruktive ndaj saj, dhe jo bojkotin. Përndryshe deputetët opozitarë mund të përfundojnë duke harxhuar kohë me pasoja efektesh negative, edhe për vehten e tyre. Dhe kjo e ka emrin papërgjegjshmëri. Ndodh që të përballesh edhe me këtë të fundit, ashtu siç mund të ndodhë të përballesh edhe me irracionalen, absurdin apo çudi të tjera. është vetëm në demokraci që partitë të mësojnë rolet e tyre. Në demokraci opozita duhet të jetë një kujtesë konstante për më të mirën. Unë, në jetën time politike kam qënë 8 vjet në opozitë. Ndoshta në ato vite ne krijuam shkollën e opozitarizmit në Shqipëri. Opozita është pushtet moral. Qytetarët që e kanë votuar atë, mbështeten tek roli i saj për të realizuar pritshmëritë e tyre. Roli i opozitës duhet të jetë luajal ndaj interesave të vendit dhe qytetarëve.
Unë shfrytëzoj edhe një herë këtë rast për t”Ju falenderuar Ju, zotërinj kolegë, parlamentet e vendet tuaja për besimin që i keni dhënë vendit tim në ratifikimet e MSA, në ratifikimet e Protokolleve të NATO-s.
Jam e lumtur që edhe shqiptarët, një popull i izoluar për shekuj, në fund të këtij viti do të lëvizin të lirë, pa viza, si çdo qytetar i BE. Komunikimi me email, facebook, twitter, është një mrekulli komunikimi virtual. Shqiptarët në fund të vitit do të komunikojnë edhe realisht, fizikisht, jo vetëm virtualisht. Dhe ky ështe dimensioni i fuqishëm i Lirisë, për të cilën luftojmë të gjithë bashkë".
...