E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ministrin e Arsimit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

8 mars 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite në Presidencë Ministrin e Arsimit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe delegacionit që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishin të pranishëm edhe Ministri i Shkencës dhe Arsimit i Shqipërisë, Myqerem Tafaj si dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në vendin tonë, Gazmend Pulaj.

Pasi uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënqësinë e veçantë për këtë takim, Kreu i shtetit e përgëzoi Ministrin Hoxhaj për punën e tij të suksesshme e të frytshme në drejtim të njërës prej ministrive më të rëndësishme të shtetit të ri kosovar duke vlerësuar njëkohësisht hapat e admirueshme të shënuara nga Kosova gjatë dy viteve të fundit. Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu pjekurinë e klasës politike dhe udhëheqjes kosovare në kapërcimin e sfidave të ndryshme, me të cilat është përballuar qysh nga dita e shpalljes së pavarësisë: ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të pavarura demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës si dhe arritjet e deritanishme të diplomacisë së re kosovare përsa u përket njohjeve nga gjashtëdhjetë e pesë shtete të botës.

Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi edhe punën e bërë në drejtim të rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve homologe dhe shkëmbimit të përvojës në fushën e arsimit, ku një ngjarje e rëndësishme ishte edhe nënshkrimi sot i Marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrit të Kosovës Hoxhaj dhe homologut të tij shqiptar, Tafaj.

Ministri i Arsimit i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pasi falenderoi për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit, shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe përkrahjen e mbarë shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, që e kanë lehtësuar shumë punën e shtetit të porsakrijuar në zgjerimin e gjeografisë së njohjeje të reja diplomatike. Z. Hoxhaj, pasi i përcolli Kreut të shtetit shqiptar përshëndetjet më të përzemërta nga Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi, përshkroi punën e Ministrisë së Arsimit që ai drejton, procesin e suksesshëm të bashkëpunimit me Ministrinë tonë të Shkencës e Arsimit duke theksuar bashkërendimin e punës përsa i përket shkëmbimit të përvojave pozitive, harmonizimin dhe njësimin e kurrikulave, të teksteve, të kërkimit shkencor, etj. Në këtë drejtim Ministri Hoxhaj nënvizoi rëndësinë e përballimit të sfidave e përbashkëta të kohës edhe atyre integruese nëpërmjet bashkëpunimit sa më të ngushtë mes universiteteve të dy vendeve tona.

Presidenti Topi dhe Ministri Hoxhaj, diskutuan edhe për situatën në rajonin ballkanik dhe ndanë mendimin e përbashkët mbi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit të gjithanshëm rajonal si dhe të rritjes së shkëmbimit të ekspertizës me synim arritjen e liberalizimit të regjimit të vizave si dhe përmbushjen e objektivave të përbashkëta integruese në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›