E Diel, 1 Nëntor 2026

Futboll, UEFA dhe "Greenfields" inspektim fushave shqiptare

TIRANë- Përfaqësues të UEFA dhe kompanisë holandeze "Greenfields", që po shtron fushat stërvitore të skuadrave të Superligës me bar artificial, kanë inspektuar punimet e deritanishme në të gjithë Shqipërinë. Burime nga Federata Shqiptare e Futbollit bënë të ditur se "specialistët Marcus Keller dhe Rob Venneker të UEFA-s dhe "Greenfields" ishin këto ditë në vendin tonë për të parë nga afër gjendjen e fushave dhe ecurinë e punimeve". Sipas tyre, ecuria e këtij projekti është shumë e mirë. Ata kanë mbetur të kënaqur nga ecuria dhe cilësia e punimeve në fushat që janë proces. Sipas tyre, do të duhen vetëm disa korrigjime të vogla për t’i sjellë fushat në gjendjen që kërkohet sipas standardeve të FIFA-s dhe UEFA-s. Brenda mesit të muajit shkurt, Keller dhe Venneker do të jenë përsëri në Shqipëri për të vazhduar inspektimin në fushat në proces. Të gjitha skuadrat e Superligës do të kenë një fushë të tyre stërvitore me bar artificial falë projektit "Hatrick 2”, me vlerë 600 mijë euro, që është miratuar në dhjetor të 2009-ës nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së dhe po realizohet në bashkëpunim me klubet dhe Bashkitë përkatëse. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›