Iluzioni i lirisë
Pas gati dy shekujsh me luftëra e revolucione, konflikte etnike e skëterra totalitariste, shoqëria moderne duket se është zhvendosur në një rrafsh tjetër, më të kuptueshëm, më pak idealist, ku liria “nënkuptohet” dhe s’vihet në pikëpyetje, sepse, siç thuhet, ajo ekziston dhe madje sanksionohet dhe mbrohet me ligj e me amendamente kushtetuese, ose, kur është nevoja, me armë.Koncepti i “lirisë së nënkuptuar” u referohet sidomos shteteve demokratike të hapura ku liria ka marrë të tjera kuptime nga ato që mund të quhen tashmë “kuptime arkaike”, domethënë “kuptime” të parregulluara me kode ligjore dhe të pambrojtura nga gryka e armës demokratike. Problematika e lirisë del mjaft e ngatërruar në qoftë se kihet parasysh se liria konceptohet ndryshe nga ata që e gëzojnë lirinë dhe ata që ende s’mund të perceptojnë lirinë jashtë kornizave të kuptimit “arkaik”, idealist të saj. Pak gjë vlejnë amendamentet dhe ligjet në kushte robërie, domethënë kur liria është mungestare dhe kur aspirata për liri kthehet në kriter suprem. Andaj luftërat çlirimtare s’bëhen për punë amendamentesh e ligjesh, sepse liria, përpara se t’iu nënshtrohet procedurave administrative, sanksioneve dhe rregulloreve, është një nga ato idealet morale të larta e të rrepta të cilat sipas Benedetto Croces na mbrojnë nga barbaria dhe zvetënimi.është punë mjaft anakronike, e padobishme dhe madje “politikisht jokorrekte” të kategorizosh njerëzit ose popujt në “të lirë” dhe “të robëruar”. Në zotërinj dhe skllevër. Në “misters” dhe “boys”. Kjo do të quhet radikalizëm dhe madje, pa hezitim, ekstremizëm. Duhet pajtuar me faktin se historia e civilizimit është e “etabluar”, e “konsoliduar”, dhe rrjedh si një “perpetuum mobile” pothuaj e kurdisur, sado absurde dhe e frikshme që tingëllon. Me përjashtim të katastrofave natyrore, historia thuajse është bërë zap, ngjarjet janë kategorizuar, krimet janë katalogjizuar dhe vlerësuar nga pikëpamja etike dhe morale, heronjtë kanë bustet dhe përmendoret, kuislingët kanë varret pa emër. Asnjë surprizë, asnjë thikë mbas shpine jashtë agjendave dhe strategjive të koordinuara si në një libër xhirimi. Mjaft të kujtojmë ”strategjinë psikologjike” që përdori komisioni i Nobelit për t’i siguruar historisë një ”rrjedhë korrekte” duke nderuar me çmim presidentin Obama. Kjo ofensivë psikologjike prezervuese për hir të historisë befasoi jo vetëm opinionin botëror por e la gafil, të pambrojtur e të përulur edhe vetë presidentin Obama, i cili, merre nga ta marrësh, ende s’ka bërë ndonjë “salto mortale” historike. Mbase ky është qëllimi dhe destinacioni futuristik i psikologjisë parandaluese: hapja e rrugës për “kthesat” historike të së ardhmes ose, si thuhet në gjuhën popullore, t’ia lidhësh këmbët njeriut. Këto matrapazllëqe nostradamusiane nuk janë vetëm kajde parapsikologjike bizare, por kanë të bëjnë edhe me “bërjen zap” të historisë dhe “qartësimin” e perspektivave. Kështu, e shkuara del e qartë si drita e diellit, ndërsa e ardhmja “vihet” plotësisht nën kontroll nëpërmjet mekanizmave të sigurisë. Dhe pikërisht çështjet e sigurisë i kanë zëvendësuar idealet morale “arkaike”, kështu që në shoqëritë demokratike, liria është baras ose në fakt më pak e vlefshme se siguria. Mund të thuhet madje se liria është siguria dhe anasjelltas. Mund të thuhet po ashtu se fjala është për një shkrirje drastike të aspiratave njerëzore me mjetet mbrojtëse. Këndej nuk është krejt e paimagjinueshme sintagma “liri e armatosur”, domethënë e mbikëqyrur, e survejuar. Nga ana tjetër, asgjë e mbikëqyrur s’mund të quhet plotësisht e lirë. Por ama, edhe vetë ideja e një lirie të plotë, të pakushtëzuar, është e pamundur dhe absurde. Absurde, sepse liria e plotë do të ishte “një ideal i pastër”, e ky i fundit është si besimi që është i mundur, siç do të thoshte Kirkegaardi, vetëm duke hedhur poshtë arsyen.Mbase mbikëqyrja është një ”mekanizëm rregullues” i domosdoshëm i një shteti, por ka një dallim thelbësor mes shtetit që vetëmbikëqyret dhe shtetit që mbikëqyret nga të tjerët. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një shtet sovran, në të dytin me një shtet të kolonizuar. Qëndrueshmëria dhe fleksibiliteti i demokracisë vihen herë mbas here në test, si në kohën e “revolucionit seksual” amerikan kur muzika, seksi, anarkizmi, lufta për të drejtat njerëzore, protestat kundër luftërave imperialiste dhe filozofia lindore u ngjizën bashkë në një front kundër diskriminimeve racore, konservatorizmit ortodoks dhe interesave merkantiliste të industrisë së armëve, mirëpo, siç mund të merret me mend, pa e dëmtuar fare fundamentin e demokracisë. Aty ku liria mbrohet me ligje dhe amendamente, fundamentet nuk janë vetëm fraza e floskula, por mbrohen me armë. “Demonstrimi i fleksibilitetit” nuk i përjashton kurrë interaksionet tradicionale mes pushtetit dhe popullit, domethënë metodat e njohura të qërimit të hesapeve me “rebelët”: hekurin dhe dajakun. Mirëpo, “demonstrimet e fleksibilitetit” marrin konotacione të tjera kur hekuri dhe dajaku janë në duart e huaja. Në raste të tilla fjala është për një përdhunim të lirisë nga jashtë. Në shoqëritë demokratike, dhuna që vjen nga dora e huaj, nga jashtë, quhet agresion.Në anën shqiptare të botës dhe sidomos në Kosovë ideja e lirisë është ende e veshur në petkun e kuptimit arkaik të saj dhe merret vesh që imponohet si një koncept rigoroz, i dinjitetshëm dhe krenar si në kohërat heroike ose si një ideal moral suprem. Ky koncept idealist i lirisë nuk ka të bëjë fare me Kosovën zyrtare, politike, ku shprehjet si “pavarësia”, “sovraniteti”, “integriteti territorial” janë konstrukte gjuhësore të rrëshqitshme dhe të vagullta. Ekziston një hasmëri e heshtur mes idealit dhe një farë pragmatizmi të modifikuar që s’përton të ndryshojë kuptimet origjinale të fjalëve për të mbuluar mashtrimet politike meskine që stolisen me eufemizma e me shprehje difuze si “kompromis”, “tolerancë” ose “diversitet”. Në manualet instruksionale të “pragmatikëve” që bëjnë rolin e “edukatorëve të demokracisë”, aspiratat për një “liri të nënkuptuar” të standardeve perëndimore lexohen si nacionalizëm, shovinizëm, konflikt etnik, e kështu me radhë. Prandaj, në Kosovën politike s’mund të flitet për çfarëdo forme të lirisë, madje as për një floskulë sipërfaqësore të pakuptimtë si ajo “liria e pjesshme” e shkarravitur në raportin vjetor të Freedom House-it. Në qoftë se duhet gjetur patjetër një shprehje, atëherë mund të përdorim sintagmën “iluzioni i lirisë së pjesshme kosovare”.Edhe ashtu surrogate, një substitucion programatik dhe një konstruksion politik, kjo liri iluzore e pjesshme ngjan skajshmërisht e keqmenaxhuar dhe mbikëqyrja e saj nuk bëhet ngaqë synohet krijimi i sigurisë për banorët e Kosovës, për “kosovarët” e trilluar, por për banorët e Evropës Perëndimore. “Liria e pjesshme” është më tepër një sajesë administrative për rehatim të ndërgjegjes dhe, natyrisht, një dhëmbëzore në mekanizmin e strategjive të sigurisë që synojnë neutralizimin, defaktorizimin dhe madje demonizimin e çfarëdo rebelimi, çfarëdo oponence, çfarëdo lëvizjeje politike që alarmon për mungesë të lirisë, për tendenca kolonizuese, për palestinizim të Kosovës, e kështu me radhë. çdo orvatje për rebelim merr konotacione negative dhe gulçon nën trysninë e shantazheve dhe të epiteteve si revolucionare, anarkiste, nacionaliste. Nga këndvështrimi i autoriteteve politike që vijnë nga vendet ku siguria vjen përpara “lirisë së nënkuptuar”, këto orvatje rebeluese duken edhe jashtëkohore dhe “primitive”. “Primitive” sepse “edukatorët e demokracisë” dhe asistentët e tyre në segmentet pushtetare ose në mediat e paguara që trumbetojnë se Kosova kërcet nga të katër anët nga liria e tepërt, mund të përdorin argumente stereotipe si fjala vjen “jetojmë në shekullin XXI”, “globalizmi fshin kufijtë”, “shtetet nacionale do të kthehen në shtete multietnike”, e të tjera. Nganjëherë përmendet interneti dhe mundësitë e pafundme për të komunikuar, për të shkëmbyer përvoja, për të tejkaluar dallimet, e të tjera. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, sepse kontestet e vjetra politike s’mund të tejkalohen në mënyrë virtuale. S’mund të ketë paqe virtuale pa pasur paqe reale. S’mund të ketë debate konstruktive as reale dhe as virtuale mes viktimës dhe kriminelit që akoma mban kufoma në frigoriferët e një regjimi brutal, si trofe lufte. Luftërat virtuale mes shqiptarëve dhe serbëve në internet janë prova të pakundërshtueshme se konfliktet historike nuk zgjidhen por vetëm zhvendosen nga terreni në një realitet virtual. Megjithëse verbale dhe retorike, dhuna virtuale s’është më pak e lëndueshme, por për momentin, e pashmangshme. Sa i përket globalizmit mund të thuhet se s’është fjala për fshirjen e kufijve, por për rritjen e kontrollit. Globalizmi s’mund të jetë tjetër veçse një vazhdim i natyrshëm i ambicies imperialiste me mjete të tjera. Ndërkaq për përmbysjen e shteteve nacionale as që mund të bëhet fjalë. Në Evropë nuk ka shtete multietnike, po vetëm shtete nacionale me politika të rrepta për integrim minoritetesh. Integrim do të thotë asimilim dhe jo fundament për ndonjë mishmash multietnik. E megjithatë, në qoftë se Evropa gdhihet një mëngjes si një bashkësi shtetesh multietnike, atëherë me siguri edhe shqiptarët do të aspirojnë të njëjtën gjë, domethënë një “liri të nënkuptuar” që më shumë se për ideale morale ka nevojë për simbole përcaktuese të statusit social të qytetarit. Hëpërhë liria kombëtare është ideali moral më i lartë: aspirata rebeluese që i dallon idealistët prej “civilizimit”....