E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i uron besimtarëve myslimanë Ditën e Fiter Bajramit

-       Me rastin e festës së Fiter Bajramit, Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë Myftininë e Shkodrës. Më pas, Kryeministri mori pjesë në pritjen e organizuar nga Bashkësia Myslimane Shqiptare në ambientet e Hotel "Tirana International”

Me rastin e festës së Fiter Bajramit, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, vizitoi sot në mesditë Myftininë e Shkodrës, ku u prit nga Myftiu i Shkodrës Imam Ndriçim Sulejmani dhe besimtarë të tjerë. Kryeministri Berisha shprehu urimet më të  përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë në këtë ditë, të cilën e cilësoi një ditë në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, besimit dhe të mirës.

Në mesazhin e urimit drejtuar besimtarëve myslimanë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Shfrytëzoj rastin për t’u përcjellë besimtarëve mysliman të Shkodrës, të mbarë Shqipërisë dhe të gjithë besimtarëve shqiptar gëzuar këtë ditë të shenjtë, Ditën e Bajramit, ditën në të cilën njeriu nderon sakrificën dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit, besimit dhe të mirës. Gjithçka e mirë që ekziston sot dhe që e gëzon njeriu është e ndërtuar mbi sakrificën dhe përkushtimin e tij.

Në këtë aspekt, Dita e Bajramit është një frymëzim i madh, është një ditë shprese, një ditë besimi të madh, një ditë e cila të bën të shohësh i sigurt drejt të ardhmes. Gjej rastin të falënderoj më mirënjohje më të thellë udhëheqësit e komunitetit fetar mysliman, e komunitetit fetar katolik dhe e komunitetit fetar ortodoks për punën e madhe që kanë bërë në rindërtimin e besimeve fetare, për mesazhin e shkëlqyer që përcjellin në Shqipëri dhe në mbarë botën, për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, dëshmi e shpirtit të madh të shqiptarëve dhe kombit shqiptar”.

Po sot, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja znj. Liri Berisha, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Bashkësia Myslimane Shqiptare në ambientet e Hotel "Tirana International". Kryeministri Berisha u takua me kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Ing. Selim Muça dhe me besimtarë të tjerë të pranishëm në këtë pritje.

Duke folur para mediave të pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:

 “Edhe njëherë dëshiroj t'u përcjell urimet më vëllazërore dhe më të përzemërta besimtarëve myslimanë shqiptarë, udhëheqësve të komunitetit myslimanë, besimtarëve shqiptarë dhe udhëheqësve të besimeve të mëdha fetare shqiptare, në këtë ditë të shenjtë, ditë në të cilën njeriu nderon përkushtimin e tij, nderon sakrificën e tij ndaj të gjithëfuqishmit, ndaj Zotit. Sakrifica është themeli i të gjitha mirësive që krijon njeriu për veten, familjen, shoqërinë dhe kombin. Në këtë aspekt Dita e Bajramit është një ditë frymëzimi i madh, ditë e cila të shumëfishon besimin tek e ardhmja më e mirë. Le të urojmë së bashku që Bajrami që vjen të na gjejë edhe më mirë dhe shpreh bindjen se me ndihmën e Zotit do ta kemi më të mirë Bajramin e ardhshëm”.


20/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›