E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha niset për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Kryeministri Berisha është nisur sot për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha, i cili do të shoqërohet edhe nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ilir Meta, do të ketë një axhendë të ngjeshur me takime bilaterale me liderë botërore dhe personalitete të rëndësishme botërorë.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të bëjë një përshëndetje në Millenium Challenge Corporation, si dhe do të jetë i ftuar të marrë pjesë në Samitin mbi Ndryshimet Klimaterike. Kryeministri do të jetë referuesi kryesor në Samitin “Global Creative Leadership”, në panelin mbi edukimin dhe impaktin e teknologjisë digjitale në edukim.

Kryeministri Berisha dhe zonja Berisha do të jenë në mesin e shumë liderëve të tjerë të botës, kryetarë të delegacioneve pjesëmarrëse në Sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, të cilët do të priten në një mbrëmje gala nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Barak Obama, në Metropolitan Museum of Arts.

Në debatin e Sesionit  të 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalim për tërë të pranishmit në sesion.

Kryeministri Berisha do të jetë i ftuar special në ceremoninë tradicionale të hapjes së Bursës Amerikane, NASDAQ.

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të ngrohta edhe me komunitetin e shqiptarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që japin një kontribut të çmuar në jetën dhe politikën e vendit.


21/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›