E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inaguron nisjen e punimeve për unazën e Lezhës

Gjatë vizitës në Lezhë, kryeministri viziton gjithashtu Agjencinë "100% shqip" për nxitjen dhe promovimin e prodhimeve shqiptare -

Sot në mesditë, Kryeministri Sali Berisha inaguroi nisjen e punimeve për segmentin rrugor të unazës së Lezhës, që lidh autostradën me këtë qytet. Në ceremoninë e inagurimit ishin të pranishëm Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulëzim Basha, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të Lezhës. Zbatimi i këtij projekti, me një vlerë 91 milionë lekë, do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve për qytetin, si dhe do të përmirësojë infrastrukturën në këtë zonë turistike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo rrugë ka një rëndësi shumë të madhe për Lezhën, për Shëngjinin dhe për zonën në tërësi, pasi ajo i shërben shumë afrimit të portit të Shëngjinit me rrjetin kombëtar të rrugëve dhe përmirëson në mënyrë të ndjeshme infrastrukturën në këtë zonë turistike të vendit.

Kryeministri bëri të ditur se një sërë projektesh të tjera të qeverisë shqiptare do të nisin nga puna këtë vit. "Ky vit është viti i projekteve më të mëdha në infrastrukturë gjatë 15 viteve të fundit", u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se qeveria ka përfunduar projektet dhe do të nisin punimet në shumë akse të rëndësishme kombëtare. "Ka përfunduar tenderimi dhe shpallet së shpejti firma fituese për ndërtimin e autostradës Kalimash-Morinë, si pjesë e autostradës Durrës-Morinë, ndërkohë që segmenti i saj më i vështirë, Rrëshen – Kalimash, përfshirë dhe tunelin, do të fillojë punimet me një nga kompanitë më të fuqishme ndërkombëtare. Do të nisë edhe segmenti Milot-Rrëshen. Po ashtu, qeveria ka garantuar financimin e plotë dhe po vazhdon tenderimi për rrugën Fier-Vlorë, ndërsa po ecet me ndërtimin e rrugës Lushnje-Fier".

Kryeministri Berisha theksoi se një rëndësi të veçantë qeveria i ka kushtuar të gjitha nyjeve lidhëse të Shqipërisë me Kosovën. Kështu, krahas projekteve te mesiperme, do të ndërtohet rruga Has-Qafë Prush, do të rikonstruktohet rruga Qafë Morinë-Fierzë, do të nisë autostrada Shkodër-Hani i Hotit. Po ashtu, janë përcaktuar për t'u riveshur rruga Milot-Peshkopi, Lushnje-Berat, Fushë Arrëz-Kukës dhe një sërë rrugësh të tjera.

"Në këto 15 vjet nuk ka patur numër kaq të madh projektesh të mundësuara gjatë një viti. Ky është është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv", u shpreh kryeministri. Ai bëri të ditur se tenderimet e deritanishme, për shkak të karakterit dhe garës të hapur dhe të ndershëm të tyre, kanë bërë të mundur që të kursehen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë 20-25 përqind nga fondet e parashikuara. Kryeministri nënvizoi se "më parë këto para shkonin në zarfin e ministrit, ndërsa tani kjo u mbetet qytetarëve shqiptarë për të patur më shumë rrugë, ujësjellësa, shkolla dhe të mira të tjera".

Kryeministri garantoi, gjithashtu, se qeveria është e përqëndruar në cilësinë e punimeve në këto rrugë, duke theksuar se po të vëresh punimet në Tiranë ato i shmëbëllejnë "velit të Penelopës", ku ndërtohen javën e parë dhe prishen javën e dytë. "Kjo nuk do të ndodhë më. Qeveria është e vendosur që ta shndërrojë cilësinë e punimeve në çështjen më kryesore, të përcaktojë të gjitha dispozitat ligjore që garantojnë respektimin e cilësisë së punimeve", tha kryeministri Berisha.

Më tej, kryeministri vuri në dukje se qeveria shqiptare u ka premtuar fermerëve shqiptarë asfaltimin e rreth 6 mijë kilometrave rrugë. Ky projekt, i cili do të zhvillojë zonat bujqësore të vendit, do të fillojë vitin që vjen dhe institucione të mëdha finaciare kanë shprehur interesin për të financuar këtë projekt. "Do të bëjmë çdo përpjekje që taksat tuaja, djersën tuaj, ta shndërrojmë në shkolla, rrugë, ujësjellësa, spitale më të mira dhe shërbime të tjera për ju", përfundoi fjalën e tij kryeministri Berisha..

Gjatë vizitës në Lezhë, kryeministri Berisha vizitoi gjithashtu Agjencinë "100% shqip" për nxitjen dhe promovimin e prodhimeve vendase dhe të turizmit në qarkun e Lezhës.

Kryeministri përshëndeti drejtuesit e Agjencisë për inisiativën e tyre për krijimin e një agjencie për nxitjen e prodhimeve shqiptare dhe promovimine tyre edhe në tregjet e huaja. Kryeministri theksoi se qeveria po studion të gjitha mundësitë, që Shqipëria të jetë një vend i fuqishëm prodhues. "E rëndësishme, u shpreh kryeministri, mbetet përmirësimi i tregut brenda vendit, pasi fermerët shqiptarë kanë vështirësi serioze që një pjesë të madhe të prodhimit të tyre ta nxjerrin në treg për shkak të infrastrukturës së papërshtatshme dhe marketingut rudimentar. Krahas përmirësimit të tregut shqiptar, ne synojmë edhe tregun evropian dhe atë botëror". Për këtë, nënvizoi kryeministri, qeveria po studion të gjitha mundësitë e mbështetjes financiare, mundësitë e garantimit të çertifikimti të prodhimeve shqiptare dhe inkurajimin e eksporteve përmes krijimit të Agjencisë së Garantimit të Eksportit.

Duke vlerësuar se masat e fundit fiskale të ndërmarra nga qeveria, kryeministri siguroi se qeveria po përgatit një paketë tjetër masash në ndihmë të biznesit dhe investitorëve. Këto masa, u shpreh kryeministri, do të bëjnë që viti i ardhshëm të jetë realisht viti i një ndryshimi shumë të madh në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›