Kryeministri Berisha inauguroi rikonstruksionin e segmentit rrugë nacionale – fshati Vukatanë, në komunën Guri i Zi, Shkodër

Në këto 8 vite në qarkun e Shkodrës janë investuar mbi 670 milionë dollarë, ku janë ndërtuar mbi 920 kilometër rrugë me vlerë mbi 200 milionë dollarë; janë ndërtuar e rikonstruktuar 122 shkolla e kopshte me vlerë rreth 15 milionë dollarë; 98 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh me vlerë rreth 35 milion dollarë; 94 qendra shëndetësore e ambulanca me vlerë rreth 15 milionë dollarë. Në bujqësi janë investuar mbi 35 milionë $ në kanale kullues, diga mbrojtëse e sistemim tokash, si dhe janë subvencionuar 7 milionë $ duke mbjellë 2250 hektarë vreshta, ullinj, bimë medicinale e are, sera ose 32 herë më shumë se në kohën e qeverisë së Partisë Socialiste. Në sektorin e energjetikës janë në ndërtim 25 HEC – e lokale, investime me vlerë rreth 130 milion $, me fuqi 240MW edhe energji 1200 GWH, ndërsa 330 milion $ janë investuar në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet veç nënstacionit të Koplikut, Vaut të Dejës, Bushatit (20 milion $), si dhe HEC-i i Ashtës. Në këtë qark, numri i bizneseve të reja është rritur mbi 2 herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8550 biznese në vitin 2012.
Në këtë qark janë restauruar, gjithashtu, mbi 60 vepra të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror, duke kthyer kështu në identitet rrugët dhe monumentet e famshme shkodrane.
Në këtë ceremoni përshëndetën edhe banorë të fshatit Vukatanë, të cilët shprehën mirënjohje për investimet e kryera nga qeveria, veçanërisht ndërtimi i shkollës dhe rrugës, të cilat u inauguruan sot. “Vetëm ne mund ta shohim ndryshimin, ndërmjet kësaj rrugë që inaugurojmë sot dhe asaj që ishte më parë, në të cilën mund të kaloje vetëm me traktorë ose në këmbë. Dhe për të shkuar në qytet duhej 1 orë e gjysmë, ndërsa sot duhen vetëm 5 minuta. Ndaj ne s’kemi nevojë të rilindim, sepse kemi rilindur me kohë”, u shpreh një fermer i fshatit Vukatanë.
Kryeministri Berisha u shpreh se fshati Vukatanë, me rrugën që sapo u inaugurua dhe me shkollën paraqet një fshat vërtetë të zhvilluar.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur banorë të fshatit Vukatanë,
zonja kryetare e Parlamentit,
zotërinj kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të qarkut të Shkodrës,
zotërinj qeveritarë vendorë,
Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë dhe kënaqësinë time të madhe që ndaj me ju gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lidh fshatin tuaj me aksin kombëtar, lehtëson shumë nxjerrjen e prodhimeve tuaja në tregun e Shkodrës, ul shpenzimet e transportit dhe së bashku me shkollën paraqet një fshat vërtetë të zhvilluar, i cili ka një infrastrukturë moderne, një fshat që me mundin dhe djersën e banorëve të tij po ndërton çdo ditë e më shumë një të ardhme më të mirë.
Vëllezër e motra,
Një koincidencë shumë e bukur sot. Zotimi ynë është të ndërtojmë në çdo fshat shqiptar infrastrukturë moderne si në lagjet e qyteteve tona, në mënyrë që banorët e fshatrave të kenë rrugë të njëjta me ato të lagjeve të qyteteve, fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla moderne, me internet dhe të gjitha mjetet, në mënyrë që ju të keni shërbimet më cilësore, të merituara. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që fermerët shqiptarë të begatohen gjithnjë e më shumë, të fitojnë gjithnjë e më shumë nga fermat e tyre. Sot vijmë këtu dhe shkojmë kudo me zotimin tonë se do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë në të katër e vendit, do të rindërtojmë dhe ndërtojmë çdo shkollë, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo ujësjellës, do të bëjmë gjithçka që ju të ndjeheni qytetarë aty ku ju jetoni. Ne do të bëjmë gjithçka për sa i përket infrastrukturës që në fermat tuaja të shumëfishoni fitimet.
Ne në një hark kohor të shkurtër kemi financuar 42 mijë projekte për fermerët shqiptarë; kemi ndërtuar mbi 8 mijë kilometër rrugë në Shqipërinë rurale; kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 1000 shkolla; kemi ndërtuar qindra ujësjellës e kanalizime. Ne përsëri kemi për të ndërtuar. Projekti ynë vazhdon. Ne nuk tërhiqemi nga ky projekt, i cili po ndryshon çdo ditë e më shumë për mirë jetën e banorëve. Për një mbështetje më të madhe ndaj jush, ne vendosëm të rimbursojmë me para në dorë të gjithë akcizën e naftës që ju përdorni për punimin e tokave tuaja, për ngrohjen e serave tuaja. Ne vendosëm të rimbursojmë TVSH-në e të gjitha inputeve, e plehrave, makinerive dhe çdo mjeti tjetër që ju përdorni për prodhim. Ne vendosëm që në rast se deri më sot kemi dhënë 56 milionë dollarë grante, në 4 vitet që vijnë të japim 165 milionë dollarë grante.
Vitet që vijnë janë vitet në të cilat ju do të firmosni realizimin e projektit – Vukatana e zhvilluar, Shkodra e zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar; janë vitet në të cilat ju firmosni rritjen e mëtejshme të pensioneve dhe rrogave në fshat, qytet dhe mbarë Shqipërinë; janë vitet që ju firmosni marrjen e statusit për vend anëtar në Bashkimin Evropian dhe hapjen e negociatave; janë vitet në të cilat ne do të arrijmë nivele shumë më të larta zhvillimi, begatie dhe do të ndërtojmë një të ardhme që nuk e kemi pasur.
Krahun tjetër e keni vetë parasysh, një mal me fjalë, me akuza, me shpifje dhe asgjë më shumë; një autobus shtegtar, i vetmuar dhe me xhama të zinj që nuk lejon të shihet asnjë zhvillim dhe asnjë realitet; një përpjekje donkishoteske për të rikthyer neobllokmenët në pushtet, për të rilindur pinjollët e bllokut si pushtetarë të Shqipërisë.
A e dëgjuat shokun e autobusit, u tha – po bëj be në rasën e gurit se nuk do të tradhtoj më. Nuk tha dot në Bibël, se konvertohet çdo 5 vjet. Kështu që mbeti të kthehet te rasa e gurit. Ta lëmë shokun në autobus dhe ne të ndërtojmë rrugë sa më të mira që ai të vazhdojë udhën sa më shumë në autobus.
Ne të ecim drejt Evropës, të ecim drejt zhvillimit. Ai të qëndrojë në autobusin mavi, deri sa ti bëhet autobusi mavri.
Fitore! Fitore! Fitore!”
27/05/2013